Vepra e tij dëshmon për fuqinë e letërsisë për të bashkuar, frymëzuar dhe transformuar

“Dimitrov Popoviq është një fener në fushën e përkthimit letrar, një dritë që ndezi rrugën për shkëmbimin kulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Përkthimet e tij shërbyen si një urë e rëndësishme kulturore, duke thelluar lidhjen dhe dialogun midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Me përpjekjet e tij të palodhura, Popoviq përmirësoi ndjeshëm dialogun ndërkulturor, duke sjellë pasurinë e letërsisë malazeze te lexuesit shqiptarë dhe anasjelltas”, ka thënë Dr. Gjekë Marinaj, drejtor i Mundus Artium Press, e cila e ndan çmimin “Orpheus Texts”

Çmimi i Përkthyesit “Orpheus Texts” për vitin 2024, të cilin e ndan Mundus Artium Press nga Teksasi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i është ndarë përkthyesit Dimitrov Popoviq, redaktor i botimeve në gjuhën shqipe pranë Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore – Podgoricë, në një ceremoni solemne të organizuar të dielën e kaluar (4 gusht 2024) në Qendrën Kulturore-Informative “Budo Tomoviq” në Podgoricë.
Çmimi i është ndarë atij nga shkrimtari, përkthyesi dhe kritiku letrar Dr. Gjekë Marinaj, drejtor i shtëpisë botuese dhe mediave të tjera “Mundus Artium Press”, pranë Universitetit të Teksasit në Dallas.
Në fjalën e tij, Marinaj ka thënë se kontributet e Popoviqit në botën e përkthimit letrar jo vetëm ndërtuan ura kulturore, por edhe pasuruan peizazhet letrare të Malit të Zi dhe Shqipërisë.
“Dimitrov Popoviq është një fener në fushën e përkthimit letrar, një dritë që ndezi rrugën për shkëmbimin kulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Përkthimet e tij shërbyen si një urë e rëndësishme kulturore, duke thelluar lidhjen dhe dialogun midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Me përpjekjet e tij të palodhura, Popoviq përmirësoi ndjeshëm dialogun ndërkulturor, duke sjellë pasurinë e letërsisë malazeze te lexuesit shqiptarë dhe anasjelltas”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se përkushtimi i Dimitrov Popoviqit për promovimin e letërsisë malazeze dhe forcimin e shkëmbimit letrar dhe kulturor është vërtet i lavdërueshëm.
“Vepra e tij pasqyron idealet më të larta të të kuptuarit kulturor dhe të përsosmërisë letrare, duke e bërë atë një laureat të denjë të këtij çmimi prestigjioz”, ka theksuar Marinaj, duke shtuar se “vepra e tij dëshmon për fuqinë e letërsisë për të bashkuar, frymëzuar dhe transformuar”.
Më tej, Marinaj ka thënë se “Orpheus Texts” mbetet fort i përkushtuar për të promovuar vlerësimin letrar dhe kulturor nëpërmjet njohjes së kontributeve të rëndësishme artistike.
“Sot ne nderojmë jo vetëm një përkthyes, por edhe një vizionar që ia kushtoi jetën kërkimit të harmonisë kulturore dhe ekselencës letrare”, ka theksuar ai.
Vetë përkthyesi Dimitrov Popoviq, fitues i Çmimit “Orpheus Texts”, ka thënë se kur ka filluar të përkthejë nuk e ka nisur me idenë se dikush do ta lavdërojë për këtë punë.
“Mund të them se kurdoherë jam nisur thjesht, pa menduar se dikush do të më lavdërojë për këtë punë. Asnjë gjë materiale nuk më ka shtyrë dhe as kam përfituar”, ka thënë ai.
Popoviq ka theksuar se popujt duhen dashur mes vete dhe se te njëri-tjetri duhet të shohin jo urrejtjen, por mbështetjen.
“Ky ka qenë motivi që më ka shtyrë në misionin tim, që të punoj sa mundem në njohjen dhe afrimin e dy popujve”, ka nënvizuar ai, duke mos e fshehur gëzimin që “dikush fizikisht larg shtëpisë sime, por afër zemrës dhe mendimit tim, ka kuptuar misionin tim dhe e ka vlerësuar atë si të suksesshëm”.
Përkthyesi ka folur edhe për jetën e tij të ndarë dysh – nga qëndrimi në Shqipëri, ku ka lindur, rritur dhe arsimuar dhe në Mal të Zi, ku po kalon vitet e fundit të jetës së tij.
Ai e ka cilësuar fat të madh për të punësimin në Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore.
“Duke mësuar nën shembullin e një pune vërtet profesionale mes kolektivit kompetent ku punoj, më është krijuar mundësia të përkthej pothuaj më shumë se gjysmën e librave e sidomos lëndët zgjedhëse dhe të redaktoj me kujdes të gjitha tekstet mësimore të shkollës fillore dhe të mesme. Shpërblimi i sotëm më jep forcë ta shoh e të vlerësoj të kaluarën, por dhe të ardhmen e mbetur. Kur fillova përkthimet kuptova sa larg isha prej të fshehurave të botës”, është shprehur Popoviq.
Mbi rëndësinë e përkthimit, sfidat e tij, si dhe për kolegun e saj Dimitrov Popoviq, ka folur këshilltarja për botime në Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore – Podgoricë, Nagja Durkoviq.
Në faqen e “Mundus Artium Press” thuhet se është një botues i pavarur, i themeluar që në vitin 1967. Për Çmimin “Orpheus Texts” kandidojnë përkthyes nga vendet e ndryshme të botës, ndërsa për laureatin vendos komiteti prej 24 anëtarësh, të cilët janë profesorë universitarë.
Ceremonia e ndarjes së çmimit është organizuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat