
(vijon nga numri i kaluar)
Autori Enver Ulaj, librin e ka titulluar “Studime tiflopedagogjike – përvoja dhe hulumtime” me qëllim që ky të jetë një titull që i tregon në mënyrë korrekte lexuesit kompleksitetin e tij me gjithë këtë larushi temash e formash që përmban.
Tiflopedagogjia (typhlopedagogy) është një degë e pedagogjisë që merret me edukimin e personave të verbër dhe me dëmtime në të parë, e krijuar prej fjalëve greke “tiphlos” (i verbër) dhe “pedagogy” (shkenca mbi metodat dhe praktikat e punës së mësimdhënësve). Ashtu siç quhet tiflologji shkenca e studimit sistematik, ndërdisiplinor, multidisiplinor dhe transdisiplinor për çështjen e verbërisë fizike. Në gjuhën shqipe, në mungesë të ekspertëve dhe studimeve në këtë fushë, terminologjia me tiflo është pothuaj e papërdorur dhe për këtë arsye ky titull libri prej fillimit mund të jetë i panjohur për shumë persona, mes tyre edhe nga ata që punojnë në fushën e aftësisë së kufizuar, pasi ky është libri i parë i këtij lloji në këtë fushë në Kosovë, thekson autori i tij, Enver Ulaj.
Në përmbajtjen e tekstit të librit, autori Ulaj bën me dije se ka përdorur termin “trajtesë”, që është një punim shkencor jo shumë i gjatë rreth një problemi të caktuar, pasi ishte vështirë të gjente një tjetër fjalë që lidh të gjitha llojet e ndryshme që përmbajnë 20 pjesë të këtij libri.
Përkitazi me terminologjinë, autori Ulaj është munduar të përdorë terminologji që tashmë pothuaj është standardizuar në gjuhën shqipe, duke afirmuar gjuhën pozitive që beson në mundësi dhe nuk shpreh kufizime në terminologjinë e bazuar në legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar dhe të pranuar edhe nga shoqatat e aftësisë së kufizuar në Kosovë. Termat “aftësi e kufizuar” dhe “nevojë e veçantë”, autori Ulaj i ka trajtuar gjerësisht në tekst duke nënkuptuar me të parin si një gjendje të përhershme të personit, kurse të dytin si një nevojë e përkohshme në një sferë të jetës, si shkollimi, transporti apo puna. Edhe termat “inkluzion” dhe “gjithëpërfshirje”, autori i ka përdorur po ashtu në kuptimin e një sinonimie të pjesshme, edhe pse nuk janë tërësisht të njëjta, pasi e para i referohet një procesi në arsim, kurse e dyta ka kuptim dhe përdorim më të gjerë në shoqëri. Autori Ulaj shpesh ka përdorur edhe togfjalëshin “punëtorët profesionalë” në arsim për të nënkuptuar ata që e kanë profesion, që punojnë në sektorin e aftësisë së kufizuar dhe kanë përvojën dhe modelet e tyre të punës, e aty përfshihen: mësimdhënësit, psikologët e shkollave, pedagogët, mësimdhënësit mbështetës, asistentët për fëmijë me nevoja të veçanta, menaxhmentet e shkollave etj.
Lidhur me aspektin gjinor, për arsye praktike gjuhësore dhe teknike autori Ulaj ka përdorur formën tipike të gjinisë mashkullore përfshirëse për të dy gjinitë (p.sh. nxënësi, mësimdhënësi etj.) edhe pse si aktivist shumëvjeçar dhe trajnues për barazinë gjinore, ka qenë i vetëdijshëm se duhet përdorur gjithmonë forma dygjinore: nxënësi/nxënësja, mësimdhënësi/sja.
Pasi libri iu është dedikuar të gjithë atyre që në një mënyrë janë të angazhuar në punën me persona me aftësi të kufizuara, e në radhë të parë me personat e verbër dhe me dëmtime në të parë, autori beson se shumica prej tyre nuk do ta kenë të vështirë t’i kuptojnë temat, qasjen dhe terminologjinë e përdorur. Libri mund t’u shërbejë mësimdhënësve dhe punonjësve të tjerë të angazhuar profesionalisht në punën me nxënës me nevoja të veçanta, pedagogëve, psikologëve, mësimdhënësve mbështetës, edukatorëve, asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta dhe në përgjithësi stafit menaxherial dhe administrativ që punon në sistemin arsimor të Kosovës. Libri po ashtu është menduar edhe si një ndihmesë për prindërit dhe familjarët e personave të verbër, studentët dhe studiuesit, mediat, zyrat e shoqatave të personave me aftësi të kufizuara.
Temat e njëzet trajtesave shtjellohen për herë të parë në një libër në Kosovë dhe në përgjithësi në hapësirën shqipfolëse në shtetet e Ballkanit. Aty hyn tërësisht puna me nxënës të verbër, e sidomos në shkollat dhe ambientet gjithëpërfshirëse, ku ka nxënës të verbër të integruar në vlerat dhe shkollat e rregullta. Një temë që është trajtuar për herë të parë në institucione parashkollore dhe me fëmijë të moshës 0-6 vjeçare, si dhe pjesa e lojës dhe funksionet e saj në zhvillimin e fëmijëve jo vetëm në fëmijërinë e hershme, por edhe në fazat tjera të jetës. Edhe hulumtimet direkt me personat e verbër, lidhur me jetën dhe vështirësitë me të cilat përballen, kapacitetet dhe mundësitë e tyre për pavarësim dhe për t’u përshtatur me tregun e punës, vështirësitë që kanë ata në vendin e punës dhe tema të tjera që lidhen me funksionimin e shoqatave të personave të verbër në Kosovë, janë hulumtime që kryhen për herë të parë në Kosovë.
Një tjetër temë që është tërësisht e re dhe që ka qenë e patrajtuar në gjuhën shqipe, me të cilën në forma të ndryshme autori Ulaj është marrë në dhjetë vitet e fundit, është ajo që ka të bëjë me personat me aftësi të kufizuara dhe median, mënyrat e paraqitjes dhe raportet që ka media ndaj personave me aftësi të kufizuara, qasja që ka shoqëria etj., si dhe shfrytëzimi i terminologjisë dhe vendosja e një standardi në përdorimin e gjuhës jo ofenduese në gjuhën shqipe.
Përvoja dydekadëshe e autorit Enver Ulaj në gazetari dhe po aq në shoqërinë civile, jo vetëm që i ka mundësuar që përmes mësimdhënësve të shumtë që punojnë në edukimin special në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, të ketë më shumë mundësi për të trajtuar temat e tilla, por edhe në një mënyrë e ka obliguar që të merret pikërisht me çështje të tilla dhe të japë kontributin e vet aty.
Recensenti i librit, Xhavit Kastrati, nga këndvështrimi i drejtuesit të institucionit përgjegjës për procesin mësimor të personave të verbër në Kosovë tash sa vite, konsideron se ky libër i Ulajt është kontribut shumë i rëndësishëm në njohjen dhe aftësimin për punë me personat e verbër në përgjithësi dhe në procesin edukativo-arsimor në veçanti. Kastrati thekson se libri në fjalë është vazhdimësi e punës së bërë si institucion ndër vite duke botuar katër vëllime të serisë “Edukimi i fëmijëve me dëmtime në të parë”, që ofrojnë informacione bazike dhe tema specifike që kanë të bëjnë me arsimimin e personave të verbër dhe iu shërben të gjithë punonjësve të arsimit dhe prindërve e familjarëve të tyre. Në recensionin e vet, ai shprehet se ajo është një ndërmarrje e madhe e bërë me mund dhe sakrificë dhe me mundësitë që janë dhënë herë pas here për të botuar materiale nga donatorë të ndryshëm, e simbolikisht edhe me buxhet vetanak dhe me kontributin e hartuesve dhe edituesve të këtyre vëllimeve që kanë marrë vlerësime të larta nga profesionistët dhe falënderime nga kolegët dhe prindërit, të cilëve këto materiale u kanë shërbyer shumë në punën e tyre të përditshme si prindër, mësimdhënës e edukatorë.
Recensenti Kastrati thekson se gjithë kjo punë, pa kontributin e Enver Ulajt do të ishte e pamundur dhe në këtë pikë angazhimi i tij është për t’u vlerësuar edhe si një nismëtar i parë në këtë fushë, pasi në gjuhën shqipe kemi pasur mungesa të mëdha edhe në studime, edhe në hulumtim, edhe në shpërndarjen e përvojave dhe njohurive në përgjithësi për punën me personat me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe jashtë saj.
Në përmbyllje të librit “Studime tiflopedagogjike – përvoja dhe hulumtime”, që shpreh punën kërkimore dhe përvojat e 20 vjetëve në edukimin special në Kosovë, autori Enver Ulaj shpreh falënderim të përzemërt për të gjithë ata, ndihma e të cilëve ka qenë shumë e rëndësishme për të, jo vetëm për hartimin e këtij libri, por për gjithë angazhimin e tij profesional në sistemin arsimor.
Vitin e kaluar, Enver Ulaj ka botuar librat “Refugjatë dhe turistë” (udhëpërshkrime) dhe “Sportet për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë”, në bashkautorësi me Ahmet Mahmutajn, ka përgatitur për botim katër edicione të librit “Edukimi i personave me dëmtime në të parë” (2013-2018), si dhe është autor i disa doracakëve për edukimin special, personat me aftësi të kufizuara dhe media.
Në fund të këtij recensioni, me plot gojë dhe ndjenja shpirtërore, pa ngurrim dhe me bindje të plotë vlerësoj se libri “Studime tiflopedagogjike” i autorit Enver Ulaj, vërtet dhe pa mëdyshje është vepër unike me përmasa të gjera për punën speciale me persona të verbër në Kosovë dhe më gjerë. (Fund)