Koritë – Manifestimi vjetor tradicional “Logu i Bjeshkës” u organizua të shtunën (03 gusht 2024) në bjeshkën e Koritës, aktivitet ky që organizohet tash e mbi dy dekada më parë me rastin e festës së Shën Shtjefnit, ose siç njihet ndryshe nga vendësit, festa e bjeshkatarëve.
Ky manifestim kulturor, në një ambient të hapur, mes ajri të pastër e të freskët që ofron kjo bjeshkë e bukur, mblodhi një numër të konsiderueshëm të publikut nga të gjitha anët e Malësisë, por dhe mërgimtarë të cilët këtë periudhë kohore po qëndrojnë në vendlindje.
Publiku i pranishëm pati mundësi që, pas celebrimit të meshës shenjte e cila si rëndom i paraprinë këtij manifestimi, të argëtohet me këngë dhe valle folklorike nga repertori i tyre autokton i SHKA-ve “Besa”, “Koha”, “Maja e Karafilit”, etj, të cilët u paraqitën në skenë, të veshur me veshje kombëtare, çakçirë dhe xhubleta, sollën çaste argëtimi dhe dëfrimi për të gjithë.
Në hapje të këtij manifestimi, kryetari i SHKA-së “Besa”, Dedë Nikprelaj, duke falënderuar të gjithë të pranishmit dhe ata të cilët e kanë mbështetur realizimin e këtij manifestimi, shprehu mirënjohje të posaçme ndaj bashkatdhetarëve që jetojnë në diasporë, duke i quajtur ata si një shtyllë e fortë e Malësisë.
“Ju na jepni forcë për të vazhduar që të ndërtojmë në kontinuitet, një komunitet të bashkuar dhe të përkushtuar ndaj ruajtjes së kulturës, traditave dhe identitetit tonë kombëtar. Falënderojmë të gjithë që, me kontributin e tyre po na ndihmojnë për të vazhduar punën tonë të cilën e bëjmë me shumë përkushtim dhe dashuri ndaj kulturës sonë” u shpreh kryetari i SHKA-së “Besa”, Dedë Nikprelaj.
Ai gjithashtu shprehu falënderim ndaj anëtarëve të Shoqërisë Kulturore- Artistike “Besa” të cilët, siç tha ai, çdo javë po sakrifikojnë kohën dhe planet e tyre, duke ushtruar me orë të tëra për të realizuar një manifestim të tillë.
“Ju ftoj që të festojmë dhe gëzojmë së bashku dhe të kujtojmë me krenari e dinjitet trashëgiminë e të parëve tonë” tha Nikprelaj.
Manifestimi i sivjetshëm i parashikuar sipas agjendës programore të organizatorit, nuk u realizua deri në fund, pasi kushtet atmosferike- reshjet e shiut, e ndërprenë, ndërsa publiku u shpërnda.
Ky manifestim tradicional i ka rrënjët që në kohërat e hershme, por si eveniment i organizuar publikisht, është shënuar dhe vazhdon tash e mbi dy dekada me radhë, nga SHKA “Besa” e cila ka është promovuese e bukurisë së vajzave të bjeshkës të cilat përpara publikut janë paraqitur me kostumin tradicional të zonës së Malësisë, atë të xhubletës.
Ky manifestim tradicional synon që të promovojë etnokulturën, folklorin dhe veshjet tradicionale kombëtare, në këtë kohë të teknologjisë digjitale të avancuar, në mënyrë që thesari i pasur kulturor e kombëtar të ruhet e të avancohet për t’ua transmetuar atë brezave pasardhës.
t. u.