Durrës – Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Malin e Zi (CEKUM) në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Ulqini” – Durrës organizuan në qytetin e Durrësit të shtunën mbrëma (1 shkurt 2025) aktivitetin kulturor “Dy qytete, një urë komunikimi dhe miqësie”, në nderim të marrëdhënieve të forta miqësore që vazhdojnë t’i ruajnë dhe t’i zhvillojnë dy qytetet e lashta bregdetare, Ulqini dhe Durrësi, dhe në përkujtim e nderim të kryetarit të ndjerë të kësaj shoqate, Zyhni Beqiraj, shkrimtar, politikan, “Qytetar Nderi i Ulqinit”, “Nderi i Qytetit të Durrësit”, “Çmimi i Karrierës”, i cili u nda nga jeta në gusht të vitit 2023, në moshën 77-vjeçare.
Moderatorja e programit, Teuta Dhimo, duke folur për urën e miqësisë dhe bashkëpunimit mes Durrësit dhe Ulqinit u shpreh se tashmë ulqinakët në qytetin e Durrësit janë një komunitet kompakt, ku dashuria dhe malli për qytetin e tyre të origjinës jo vetëm që nuk është shuar por përkundrazi, sa vjen dhe rritet.
“Kjo ndjenjë e bukur nuk gjallëron vetëm mes ulqinakëve, por edhe te durrsakët mikpritës, durrsakët fisnikë që çelën dyert e shtëpive të tyre për të pritur ulqinakët. Dhe ulqinakët, të lindur dhe të rritur këtu në Durrës, treguan me dekada se janë njerëz punëtorë, të ndershëm dhe që trashëgojnë dhe ruajnë traditat më të mira të qytetit të tyre të origjinës – Ulqinit”, u shpreh ajo.
Ardian Gurra, drejtor i Arsimit dhe Kulturës në Bashkinë e Durrësit, u shpreh se kjo mbrëmje festive në nderim të një marrëdhënieje bashkëpunimi që Bashkia e Durrësit ka ngritur 15 vite më parë me Komunën e Ulqinit dhe në përkujtim të një figure, siç tha ai, shumë karizmatike dhe qendrore në qytetin e Durrësit, profesor Zyhni Beqiraj, njëherësh dhe kryetar i mëhershëm i Shoqatës Kulturore “Ulqini” – Durrës.
“Si njëri ndër aktorët që kam qenë i përfshirë në këtë projekt, nuk mund të mos kujtoj atë moment të 15 viteve më parë kur Zyhniu erdhi dhe ma parashtroi si propozim të tij ngritjen e një ure komunikimi ndërmjet Komunës së Ulqinit dhe Bashkisë së Durrësit. Për këtë nuk jam matur dy herë, por kam thënë menjëherë po”, u shpreh ai.
U ndanë mirënjohje për kontributin në ndërtimin e urave të bashkëpunimit
Marrëdhëniet mes dy qyteteve kanë pasur përherë vlerësime të ndërsjella, vlerësime këto që vazhduan edhe në këtë mbrëmje të larmishme kulturore dhe artistike.
Drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, Gzim Hajdinaga ka ndarë në emër të institucionit që drejton, mirënjohje (post mortum) për tre personalitete të qytetit të Durrësit, të cilët nuk jetojnë më, por që dhanë kontribut tejet të çmuar dhe gjurmë të pashlyera në këtë qytet: Kabil Haxhimolla, Eqrem Lazoja dhe Zyhni Beqiraj. Gjithashtu, ai i ndau mirënjohje edhe kryetarit aktual të Shoqatës Kulturore “Ulqini” – Durrës, Artion Beqirajt dhe drejtorit të Arsimit dhe Kulturës në Bashkinë e Durrësit, Ardian Gurrajt, me motivacionin: “për kontributin e dhënë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit në mes dy qyteteve të lashta, atij të Durrësit dhe të Ulqinit”.
Ai gjithashtu iu dhuroi ulqinakëve të Durrësit një pikturë të Kalasë së vjetër ilire të Ulqinit me një anije e cila simbolizon largimin e familjeve ulqinake shumë vite më parë drejt qytetit të Durrësit, të cilët lanë vulë në traditën e detarisë së Durrësit.
U nënshkrua protokoll marrëveshja midis Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave dhe Shoqatës Kulturore “Ulqini” – Durrës
Në këtë marrëveshje janë paraparë disa nene të cilat përcaktojnë takime kohë pas kohe dhe organizimin e manifestimeve të ndryshme kulturore, mes të cilave edhe mundësimi i regjistrimit të të rinjve dhe të rejave nga Ulqini të cilët dëshirojnë t’i ndjekin studimet në Fakultetin e Detarisë, për të vazhduar kështu këtë traditë.
Kjo mbrëmje kulturore u zbukurua dhe më shumë falë atmosferës së ngrohtë dhe argëtuese me këngë dhe valle të cilat fillimisht i shpalosi SHKA “Olcinium” nga Ulqini, që sollën pjesë tradicionale të këtij qyteti. Atmosfera në sallë u elektrizua edhe më shumë, ku të gjithë pjesëmarrësit (përfshirë dhe organizatorët) duartrokitën dhe shoqëruan grupin “Acoustic Bend” nga Ulqini, të cilët sollën një repertor të pasur të këngëve qytetare ulqinake.
Programi i pasur kulturor dhe artistik, i cili zgjati më shumë se dy orë, vijoi me interpretimin e këngës “Moj e bukura Shqipëri”, kënduar nga Lizarta Beqiraj, një e re që po vazhdon traditën muzikore në familjen Beqiraj në qytetin e Durrësit, ndërsa këngën “Pranvera filloi me ardhë” e interpretuan motrat Kristelë dhe Naeli Shyti.
Në fund të këtij manifestimi kulturor, moderatorja e programit lexoi tekstin (poezinë) e këngës “Mall për Ulqinin” nga Zyhni Beqiraj.
Drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillim e Kulturës së Pakicave në Malin e Zi, Gzim Hajdinaga u shpreh për gazetën “Koha javore” se organizimi i këtij aktiviteti ka një rëndësi të veçantë, pasi institucioni që ai drejton, në fokus ka bashkëpunimin me qytetarët që vijnë nga Mali i Zi, qofshin ata shqiptarë, boshnjakë apo kroatë që jetojnë në vende të tjera.
“Unë kam pasur fatin që edhe si ministër, por dhe si kryetar i Komunës së Ulqinit të punoj në këtë drejtim dhe nga ky pozicion që jam sot, për të forcuar këto marrëdhënie. Këtu në Durrës jetojnë mbi njëqind familje të vjetra ulqinake. Këto janë familje me të cilat mburret Ulqini në historinë e vet. Janë familjet më të vjetra ulqinake. Ato kanë lënë shenjë në vlerat që ka qyteti i Durrësit”, u shpreh ai.
Hajdinaga theksoi më tej se detarët e vjetër ulqinakë, të cilët kanë shkuar të jetojnë në Durrës, kanë dhënë kontributin kryesor për formimin e flotës detare të Durrësit.
“Këtu ka pasur shumë drejtorë, inxhinierë, mjekë ulqinakë të cilët i kanë dhënë vlerë Durrësit por edhe kanë ruajtur traditën e vjetër të Ulqinit”, tha Hajdinaga, duke u zotuar se manifestime të tilla të përbashkëta mes dy qyteteve, do të vazhdojnë ende, ndërsa i pari i radhës pritet të organizohet në fillim të prillit në Podgoricë.
Kryetari i Shoqatës Kulturore “Ulqini” – Durrës, Artion Beqiraj tha për gazetën “Koha javore” se përmes këtyre aktiviteteve shoqata që ai drejton dhe Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillim e Kulturës së Pakicave në Malin e Zi kanë si synim që t’i mbajnë afër të dyja këto komunitete, ulqinakët që janë në Durrës dhe ulqinakët që janë në Ulqin.
“Le të jetë kjo një urë lidhëse ku njerëzit të komunikojnë dhe vendosin objektiva të përbashkëta. Sepse kur njerëzit kanë dialog, atëherë ato ofrojnë dhe ndërtojnë gjithmonë e më shumë marrëdhënie të forta”, u shpreh Beqiraj.
Duke folur për aktivitetet në kuadër të bashkëpunimit që ka kjo shoqatë me Qendrën për Ruajtjen dhe Zhvillim e Kulturës së Pakicave në Malin e Zi, ai tha se po angazhohen për organizimin e një aktiviteti për një figurë detarie që aktualisht po studiohet.
Sipas Beqirajt, takimet dhe aktivitetet e këtilla kulturore ndërmjet dy qyteteve janë jo vetëm të rëndësishme por edhe themelore, pasi njerëzit janë ata që i kthejnë ato në një traditë dhe në diçka dinamike, për të mbajtur me tej marrëdhëniet midis komuniteteve.
T. Ujkaj