Unë jam krenar që vij nga mali!

(Me 7 Korrik, 2024 në Sallën Nenë Tereza të Kishës Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në Nju Jork u zhvillua promovimi i disa veprave të studiuesit shqiptaro-amerikan, Profesorit Gjon Fran Ivezaj, ku ishte ftuar edhe autori i kësaj fjale përshëndetëse për të folur për njërin prej librave: “SHKRELI – Histori dhe ngjarje të vërteta”.
Të nderuar pjesëmarrës – përshëndetjet e mia më të përzemërta për të gjithë ju. Mirënjohje dhe urime studiuesit dhe autorit të veprave që promovohen sot këtu në Sallën Nenë Tereza në Nju Jork, profesorit dhe historianit Gjon Frani Ivezaj. Si malësor, ndihem krenar që marr pjesë në këtë promovim të këtyre veprave sot, por jo vetëm, se Gjon Fran Ivezaj ka edhe kontribute të tjera të konsiderueshme, të botuara anë e mbanë trojeve tona dhe në diasporë, me tematikë studimesh mbi vlerat, historinë dhe traditat e Malësisë së Madhe dhe të malësorëve.
Vlera dhe pasuria më e madhe për ne është Familja dhe LIRIA që të gjithë ne gëzojmë në Amerikë – ashtu siç ishte edhe, historikisht, tradita shekullore e “atyre të maleve”, të Shkrelit dhe të Malësisë së Madhe: Nderi, Besa e Burrëria! Ruajtja me çdo kusht e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe traditave, ndër shekuj! Vlerat, pra, të malësorëve, për të cilat shkruan në librat e tij, autori Gjon Frani Ivezaj.
Pasi është fjala për malësorë dhe vlerat e tyre historike – pa dashur të politizojë këtë tubim – por po e përmend se ishte vërtetë një zhgënjim për mua dhe shumë të tjerë që vijmë nga trojet e Malësisë së Madhe – të dëgjonim disa javë më parë — deklaratën e ish-Ministres së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, një referencë ndaj përvetsimit të një supërfaqeje toke bregdetare në Himarë dhënë bashkëshortit të saj — një i ashtuquajtur, “investitor strategjik” i qeverisë shqiptare. Ndërsa ne flasim për vlerat e malësorëve këtu sot, deklarata e saj për justifikimin e përvetësimit, legal ose ilegal (le ta vendosë gjykata këtë çështje) të asaj hapësire ishte se, “Plazhin e duam që mos të vijë dikush nga mali të vërë çadrën.” Mbrojtja dhe mesazhi i qartë i ish-Ministres së qeverisë shqiptare, Olta Xhaçka për përvetësimin e asaj hapësire bregdetare në emër të familjarëve, “investitorë strategjikë” është, sipas disa reagimeve se Shqipëria nuk është e barabartë për të gjithë, se këta “nga mali”, janë të padëshirueshëm – të huaj në vendin e vet! Zonja Xhaçka i cilësoi reagimet ndaj deklaratës së saj, si “një konotacion dashakeqës krahinor”, por fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që dëgjojmë referenca të tilla, zyrtare dhe jozyrtare mbi lëvizjet demografike të banorëve të Malësisë së Madhe. Deklarata të tilla duhet të dënohen, fuqishëm, nga opinioni publik shqiptar, si të pa tolerueshme, të pa moralshme dhe anti-kombëtare për një shoqëri të lirë e demokratike!
Si të “ulur nga mali” me kohë, shumë prej nesh, ndonëse jetojmë në Amerikën e lirë prej dekadash, ndjehemi të zhgënjyer, e disa edhe të ofenduar, me deklaratën e Zonjës Xhaçka, një ish-zyrtare e lartë e qeverisë aktuale të Shqipërisë, por edhe me heshtjen zyrtare ndaj deklaratave të tilla. Me atë rast mu kujtua poema e Azem Shkrelit, “Këngë e Turpshme” – “Qava sonte për ty Arbëri. Më vjen turp, Pse s’munda të bëjë tjetër, Nga turpi qava”:
KËNGË E TURPSHME
Këngë e turpshme
Sonte
Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Me vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër,
Nga turpi qava. (Këngë e Turpshme nga Azem Shkreli)
Por ne e dimë se kush jemi! Ndonëse të përhapur anë e mbanë botës, jemi malësorë, të ulur ose jo nga malet, por krenarë të origjinës tonë, nga trojet e asaj Malësie të Madhe dhe vlerave të saj shekullore: Gjithmonë, nën një “Flamur të Pandarë”, (Agim Doçi) –Malësorë, po – por mbi të gjitha: Shqiptarë, Bijtë e Shqiponjës, sepse: “Këtu, sipas Azem Shkrelit:
Këtu linda
Dhe këtu do t’mbes
E të vdes.
Se ky mur
Kjo votër me gurë
E ky prak
Janë t’lam me gjak
Të t’ parve t’mij
Që luftuen,
Qendruen,
Dhe ranë
Për liri—E liri s’panë”.
(Nga vjersha, “Këtu”: Azem Shkreli) –njërit prej figurave të përfshira në librin, “SHKRELI – Histori dhe ngjarje të vërteta”: Marrë nga “Kroje të reja në Parnaz shqiptar”, shkrim nga Ernest Koliqi, Shejzat, Viti I –Gusht, 1957
Unë për veten deklaroj se pa marrë parasysh se ç’mendon Zonja Xhaçka për ata “të ulurit nga mali”, si ish-zyrtare e lartë e qeverisë së Shqipërisë për ne të “ulurit nga malet” qofshim në bregdetin shqiptar apo në Amerikë, unë jam krenar që jam me origjinë malësor i Malësisë së Madhe, ndonëse mbi një gjysmë shekulli në Shtetet e Bashkuara.
Prandaj, le ta kthejmë këtë tubim sot këtu në sallën Nenë Tereza, të Kishës Katolike, “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, në një celebrim, jo vetëm të librave të Gjon Franit Ivezaj – por edhe në një celebrim të vlerave, traditave, ngjarjeve dhe të vërtetave të Shkrelit dhe të Malësisë së Madhe, në përgjithësi.
Libri, pra, është: “SHKRELI: Histori dhe ngjarje të Vërteta”, me autor Profesorin Gjon Fran Ivezaj, Enti Botues: “Gjergj Fishta”. Kjo vepër është në vazhdën e librave të tjerë të autorit mbi Malësinë e Madhe dhe malësorët dhe në vijim të botimeve të tjera të shumta publicitare të tij, bazuar në burime arkivore dokumentare, sipas autorit. Libri i Z. Ivezaj është një kontribut mjaft në shenjë, që drejt-për-drejti ose tërthorazi, jep lëndën informative nëpërmjet disa prej figurave më të njohura historike të fisit të Shkrelit, por jo vetëm. Libri është gjithashtu i pasuruar edhe me disa fotografi të rralla historike. Flet mbi jetën, zhvillimet shoqërore dhe politike, si dhe mbi marrëdhëniet midis tyre dhe me të tjerët për rreth, në periudha të ndryshme të kaluarës së këtij fisi të njohur dhe me kontribute historike në Malësi të Madhe dhe më gjerë. Duke lexuar librin, nxirren përfundime mbi burrërinë, besën, nderin dhe fisnikërinë e fisit të Shkrelit. Si rrjedhojë, libri është një kontribut i vlefshëm që autori i dhuron historiografisë së ngjarjeve të vërteta dhe të rolit të disa prej protagonistëve kryesorë në historinë e krahinës së Shkrelit, por edhe të mbarë Kombit. Sepse historia e Shkrelit dhe e Malësisë së Madhe është pjesë e pandarë e historisë kombëtare dhe shpeshherë edhe vendimtare në rrjedhën e saj shekullore, në mbrojtjen e atyre trojeve dhe të identitetit kombëtar të shqiptarëve, në përgjithësi.
Nga pikëpamja historike, autori shkruan se emri i fisit të Shkrelit, për herë të parë del si emër në vitin 1416, bazuar në regjistrimin e Kadastrës së Shkodrës. Profesori Gjon F. Ivezaj tregon kujdes të posaçëm, për të vërtetuar zbulimet e veta për lexuesin, duke theksuar dhe dokumentuar, ndër të tjera, edhe lidhjet e veçanta të banorëve të Shkrelit ndër shekuj me Kishën Katolike dhe me përfaqësuesit e saj, gjatë historisë së lashtë e deri në ditët e sotme.
Në të vërtetë, ndoshta nuk është krejtësisht e rastit që ky promovim i kësaj vepre mbi Shkrelin e Malësisë së Madhe, por edhe të librave të tjerë, po zhvillohet pikërisht këtu në Sallën e Shën Nenë Terezës, në Kishën Zoja e Shkodrës në Nju Jork, e cila para disa javësh festoi 25-vjetorin e inaugurimit të saj. Por, mund të jetë e rastësishme që ky promovim po bëhet gjithashtu në 100-vjetorin e lindjes së Françeskanit famë-madh At Zef Pllumit, me origjinë nga Shkreli. Zef Pllumit, autorit të veprës së madhe mbi krimet barbare të regjimit komunist në Shqipëri për pothuaj një gjysmë shekulli – dokumentuar në veprën e madhe, “Rrno për më tregue”. At Zef Pllumi — Krenaria e Shkrelit dhe “Nderi i Kombit — është një prej françeskanëve më të mëdhenj shqiptarë dhe njëri prej protagonistëve kryesorë të librit: “SHKRELI – Histori dhe ngjarje të vërteta”, të autorit Z. Gjon F. Ivezaj.
Libri është mjaft seleksionues por dhe gjithëpërfshirës për ato që i paraqet lexuesit, për temat mbi krahinën Shkrel dhe për personalitetet e dalluara të asaj zone historike, duke filluar nga Dasho Shkreli, (Djal fisi e burrë nderi), At Zef Plumi (Kleriku françeskan nga Shkreli), At Anton Luli (Dëshmitar i mbijetesës së torturave çnjerzore, e deri tek shkrimtari e poeti Azem Shkreli (nga Shkreli i Rugovës) dhe shumë personalitete të tjera të atij fisi, të njohura e më pak të njohura. Libri përmbledh dhe pasqyron, gjithashtu, fakte dhe dëshmi mbi fisin e Shkrelit edhe nga studiues të huaj, perfshir albanologun e ndjerë Robert Elsie, Edit Durham, e të tjerë.
Historia është mësuesja e jetës (magistra vitae est), ka thënë Ciceroni. Gjuha, identiteti dhe kultura e lashtë janë shpirti dhe fryma që kanë mbajtur gjallë fisin e Shkrelit përball sfidave, shpeshherë, të rënda, gjatë historisë. Kush nuk ka dijeni për figurat më në zë të Kombit shqiptar, përfshirë edhe ato të Malësisë së Madhe dhe veçanërisht në këtë rast, fisit të Shkrelit, figurat e shquara e protagonistë që shfaqen në libra si ky që promovohet sot, ai atëherë nuk ka mësuar asgjë nga historia, se si të ndjehet shqiptar, me gjuhë, kulturë e identitet kombëtar. Dikush mund të thotë se është shqiptar, por, sigurisht, ndihet i huaj në shtëpinë e vet, kur nuk njeh të kaluarën e vërtetë historike të familjes, të fisit dhe të Kombit. Historia mësohet duke lexuar libra të historisë si, “SHKRELI – Histori dhe ngjarje të vërteta”, së bashku me një seri materialesh të tjera shkencore, historike dhe kulturore mbi Malësinë e Madhe dhe malësorët të autorit Gjon Frani Ivezaj.
Prandaj, po e mbyll këtë paraqitje modeste me një porosi ose më mirë me një thirrje për lexuesit shqiptarë kudo, nga shkrimtari dhe poeti, Ernest Koliqi, dikur Ministër i Arsimit, i cili ka përhapur mësimin e gjuhës shqipe, kulturën dhe identitetin shqiptar anë e mbanë trojeve shqiptare, në fillim të 1940-ave. Ai ka dërguar mbi 200-mësuesë e mësuese në Kosovë, Mal të Zi dhe trojet tjera shqiptare. Si pronar i revistës së famshme “Shëjzat”, porosia e tij për lexuesit shqiptarë, në kohën e tij dhe sot, e që ia vlen ta citojmë me këtë rast promovimi të librit: “SHKRELI – Histori dhe ngjarje të vërteta”, të autorit Z. Gjon F. Ivezaj, është: “Lexues i dashtun, ashtu si e ushqen trupin me bukë e bylmet, ushqeje shpirtin me libra e shfaqje të arteve shqiptare. Në një skutë të shtëpisë s’ate mos të mungojë libri shqip dhe libri në gjuhë të huej që flet për Shqipni. Në lexim të tyne, gjaku i yt ka me gufue plot hare, se në ‘të ka me ndie frymën e Atdheut t’adhuruem.”
Duhet theksuar fakti se libri: “SHKRELI – Histori dhe ngjarje të vërteta”, ka një vlerë të dyfishtë pasi është i shkruar në shqip dhe anglisht, duke bërë të mundur leximin nga anglishtfolësit amerikanë që dëshirojnë të dinë më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por edhe për brezin e ri të shqiptaro-amerikanëve – fëmijëve tanë pra – nëse duan të mësojnë sadopak për prejardhjen e tyre. Përkthimi nga një gjuhë në tjetrën nuk është kurrë i lehtë është një art në vetvete, e sidomos përkthimi i poezisë nga shqip në anglisht është gjithmonë një sfidë edhe më e madhe. (Eposi i Legjendave në Këngë Epike të Shkrelit). Por megjithëkëtë, pjesa anglisht e librit e ka vlerën e vet të shtuar për brezin e fëmijëve të familjeve shqiptare të lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të cilët gjuhën shqipe nuk e kanë në nivelin e duhur. Atyre, ky libër u jep mundësi, në anglisht të mësojnë diçka nga historia e të parëve të tyre dhe nga të dhënat etnografike përshkruese, të prejardhjes së familjeve të tyre – në këtë rast, nga Shkreli i Malësisë së Madhe.
Kështu që, Libri “SHKRELI – Histori dhe ngjarje të vërteta”, meriton të lexohet nga të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë diçka më shumë për historinë e atyre trojeve, personalitetet e saj, si dhe për zhvillimin e disa prej ngjarjeve historike të krahinës Malësi e Madhe – e madhe ndoshta jo aq shumë për nga sipërfaqja gjeografike – por gjigande për nga qëndresa, nderi, besa e burrëria!
Duke e përgëzuar për veprimtarinë e tij frytdhënëse gjatë viteve, 10 vepra gjithsej dhe një mori materialesh të tjera historike, profesor Gjon Fran Ivezajt i urojmë jetë të gjatë, ndërsa presim prej tij edhe vepra të tjera të çmueshme në dobi të historisë dhe etnografisë së trojeve të Malësisë së Madhe, në veçanti, por edhe të çështjes kombëtare në përgjithësi.
Falënderimet e mia për ftesën!

Frank Shkreli / Nju Jork
*Autori i këtij shkrimi është shpallur Qytetar Nderi i Komunës Shkrel, (2012) dhe Qytetar Nderi i Malësisë së Madhe (2023)

Të fundit

më të lexuarat