“Ngushëllimin e gjejmë në shpresën se në rendin e ri që Italia dhe Gjermania po vendosin në Evropë, të drejtat kombëtare të popujve të bashkangjitur padrejtësisht Jugosllavisë me paqen e rreme të Versajës do të njihen dhe respektohen. Solidaritetin tonë me Fuqitë Qendrore e dëshmon telegrami që kemi dërguar Duçes së Italisë fashiste. Shpresojmë në bashkëpunimin dhe mbështetjen e këtij Mëkëmbësie Mbretëror, që në Shqipëri, vendin vëlla të Malit tonë të Zi, përfaqëson Madhërinë e Tij Mbretin Perandor dhe dinastinë Savoia, në venat e princave të së cilës rrjedh gjaku i linjës tonë malazeze.”
Ky entriizëm politik i kolaboracionistëve potencialë u përhap deri në Cetinë, ku më 17 prill u formua një Komitet i Përkohshëm Administrativ, nën drejtimin e Jovo Popoviqit, ish-këshilltar i mbretit malazez Nikolla I Petroviq, i cili kishte marrë pjesë në kryengritjen kundër bashkimit të Malit të Zi me Serbinë në vitin 1918.
Po atë ditë, në orët e hershme të mëngjesit, nga Shkodra mbërriti Nicola Lorusso Attoma, drejtori i përgjithshëm për shtypin pranë Presidencës së Këshillit Shqiptar. Mbrëmjen e kaluar, ai kishte arritur një marrëveshje me gjeneralin Giuseppe Profundi, komandantin e Korpusit të XVIII-të ushtarak, i cili ishte stacionuar në Shqipëri që nga 4 prilli për t’u përgatitur për operacionet ushtarake kundër Jugosllavisë. Marrëveshja lidhej me veprimet politike që do të ndërmerreshin në Malin e Zi, bazuar në direktivat e mëkëmbësit të Përgjithshëm të Mbretërisë Shqiptare, Jacomoni.
Ciano u tërhoq dhe, në kundërshtim me qëllimet e tij fillestare, më 26 maj shkroi në ditarin e tij:
“Duhet t’i drejtohemi përsëri Mihailit, i cili jeton pranë liqenit Kostanca. Nëse edhe ai refuzon, do të shqyrtojmë idenë e një mëkëmbësie. Sinqerisht, kurrë nuk e kisha menduar se do të më duhej të harxhoja kaq shumë energji për një vend si Mali i Zi.”
Ndërhyrja mbretërore kulmoi me përpjekjen për të gjetur një trashëgimtar që do të pranonte fronin malazez, por kjo opsion u rrëzua shpejt, pasi princi Mihailo Petroviq-Njegosh, nipi i mbretit Nikolla, refuzoi duke deklaruar besnikëri ndaj dinastisë Karagjorgjeviq dhe duke argumentuar se Mali i Zi duhet të mbetej një rajon i Mbretërisë Jugosllave. Sipas tij, popullsia malazeze duhej të konsiderohej serbe, “ashtu si popullsia e Venedikut apo e Siçilisë duhet të jetë dhe të mbetet italiane.”
Propozimi për t’ia dorëzuar fronin mbretëreshës italiane Elena, vajzës së mbretit Nikolla I Petroviq, dhe për të krijuar një shtet malazez të bazuar në lidhjet dinastike me oborrin e Savojës, u hodh poshtë me vendosmëri nga vetë Viktor Emanueli III.
Përkeqësimi i vazhdueshëm i situatës shoqërore dhe çështjet e hapura kufitare përbënin një element të rëndësishëm politik për forcat kundërshtare në Malin e Zi.
Serafino Mazzolini, ish-zëvendëssekretar i Partisë Kombëtare Fashiste, i avancuar në Komisionar të Lartë për Malin e Zi, kuptoi pjesërisht këto lëvizje të njëkohshme dhe të drejtuara në të njëjtin qëllim. Sa i përket çështjes së Ulqinit, ai ishte i qartë dhe dërgoi në Romë një raport të përgatitur në bashkëpunim me pjesëtarë të shërbimit informativ shqiptar, ku theksohej se përbërja e popullsisë, sipas statistikave zyrtare, ishte 60% shqiptarë dhe 40% malazezë.
“Humbja e Kripores ishte një goditje e rëndë për ekonominë malazeze,” shkruhej në raport, “duke shkaktuar mungesë të një mjeti të rëndësishëm për ruajtjen e produkteve ushqimore dhe për prodhimin e djathit.”
Mungesa e kripës u bë një problem i madh. Në fshatrat ku inspektoi guvernatori ushtarak Alessandro Pircio Biroli, popullsia kërkonte njëzëri: “Kripë për bagëtinë tonë!”
Kriporja, e cila më parë ishte pronë e një ndërmarrjeje monopol të Mbretërisë së Jugosllavisë dhe ishte ndërtuar për nevojat e Malit të Zi, u përdor nga qeveria shqiptare pas pushtimit italian. Madje edhe kripa e ruajtur u shit për interes të saj, duke rënduar situatën në Malin e Zi.
Mazzolini argumentoi se çështja territoriale ishte jetike për vetëqëndrueshmërinë ekonomike të rajonit të vogël ballkanik. “Nëse Ulqini bëhet pjesë e Shqipërisë, Kriporja duhet të mbetet patjetër në pronësi të Malit të Zi, përndryshe ekonomia e saj, tashmë e varfër, do të përkeqësohet më tej,” shkroi ai.
Përveç për avullimin e ujit të detit, Kriporja kishte një termocentral, pompa për transport dhe një punishte për riparimin e anijeve. Në shtator të vitit 1941, pavarësisht periudhës së krizës politike dhe ekonomike, ajo punësonte 320 punëtorë për 2.584 ditë pune dhe vetëm për paga shpenzonte 60.000 lira.
Produksioni i Kryporës së Ulqinit, që arrinte mbi 10 mijë tonë kripë në vit, ishte i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat lokale për shkak të vonesave në transportin detar dhe ndërhyrjeve politike. Në tetor 1941, raportet flisnin për vazhdimësi të krizës dhe vështirësi në furnizimin e kripës.
Italia i dha Shqipërisë qytetin e Tivarit me nji fashë territori në veri të Liqenit Shkodrës, qytetin e Ulqinit, pjesën e Malësisë shqiptare në verilindje të Podgoricës, një pjesë të rëndësishme të territorit të distriktit së Andrijevicës me Plavën dhe Gucinë.
Me 12 korrik 1941, Mali i Zi u shpall shtet sovran dhe i pavarur me formen e qeverisëse të monarkisë kushtetuese, që bashkonte fatin dhe jeten e saj me atë të Italisë.
Me 13 korrik 1941,pak orë pas shpalljes së pavarësisë, në Mal të Zi shpërtheu revolta dhe kështu Mbretëria e Malit të Zi, si pjesë e orbitës së Romës, ishte tashmë nji entitet i vdekur pa lindur mirë.
Në fund të muajit qershor 1941 për të mbështetur rivendikimet e qeveris shqiptare, erdhi nji apel nga parësia shqiptare e Hotit, Grudës, Trieshit, Tuzit dhe Kojës që kërkonte bashkimin e territoreve të tyre bashkëngjiten me Shqipëri. Ata shpallën se ishin të gatshëm për çdo sakrificë vetëm mos të ishin më me (Crnagorët) “malazezët e urryer”.
(Vijon)