Ullishta në traditën ulqinake

Mullinjtë e vajit
Mënyra më e vjetër e përfitimit të vajit të ullirit është ajo me thes. Mbushet thesi plot me ullinj, vendoset në magje druri dhe shkilet me këmbëzbathur. Thesi shkilet deri sa të formohet brumi dhe gjatë gjithë kohës laget me ujë të ngrohtë. Nga përzierja e fituar ndahet uji e kuqla nga vaji. Vaji i fituar në këtë mënyrë është vaji më i mirë dhe quhet Vaj magje i thesit.
Deri në vitin 1914, në Ulqin kishte afro 100 mullinj me një ose me dy gurë. Të gjitha pjesët që viheshin në lëvizje ishin prej drurit: boshti, sirenat, lopatat e brendshme dhe të jashtme, kularët dhe çdo send tjetër. Më së shumti mullinj kishte në Mëhallë të Re kurse deri në shek. XIX kishte tre mullinj edhe në kala.
Pas vitit 1920 shumë ulqinakë sollën nga Dalmacia dhe Italia presa të ndryshme. Deri në fillim të Luftës II Botërore kishte mbi 15 mullinj të tillë e që për kohën paraqitnin fazë të lartë modernizimi. Këso mullinjsh kishin: Nuti i Adem Manit, Hysnia i Myrtezajt, Caf Mavriqi, Meti i Muharremit, Januzi i Muharremit, Alo Kasmi, Duli i Haxhimollës, Mani i Mehmet Fatimes, Daut Katana, Daut Mavriqi, Latifi i Haxhibrahimit, Halil Milla, Janus Milla, Dalip Myrtoja, Janus Myrtoja, Caf Fici, Nuro Kollari, Bim Canka, Cafo Çapunja, Cufo Bozhina, Lit Qyrkoja, Hysejn Brisku, Shevqet Cungu, Bet Byzyku, Ali Kaceni. Në Krruç mullinj në këtë periudhë kishin: Januz Milla, Oso Milla, Fadil Milla, Mehmet Milla, Pala i Pjetrushit Andrisë, Tula i fazlos, Januz Myrtoja, Pjetri i Ndrekës (në Braticë) etj.
Në mulli zakonisht kanë punuar 5-6 vetë varësisht prej sasisë së ullinjve dhe kapacitetit. Mjeshtri kryesor ose udhëheqësi i punës zakonisht ishte pronari i mullirit. Puna në mulli fillon në mëngjes dhe mbaron me mbarimin e ullinjve. Di të shkojë deri në tri turne.
Mulliri i parë modern, të cilin edhe e kanë quajtur fabrika e vajit, është ndërtuar nga Anton Pogu, pasanik i kohës. Ky mulli është vënë në funksion në vitin 1942, kishte tre gurë dhe tri presa të cilat viheshin në punë nga motorët.

Mjeshtrit për ndërtimin e mullirit
Mjeshtër për ndërtimin e mullinjve, sipas studimit të Bahri Briskut nga viti 1974, ishin: Demë Brahimi, Omer Sula (nga Krruçi), Sylo Brisku, Simë Pepgjoni, Rizo Hoxha etj. Për ndërtimin e mullirit këta përdornin këto vegla: çekani, dalta, pergjeli (përdorej për të bërë vija të rrumbullakëta), qeseri, zdrukthi, latusha, turjela, metra, sharra etj.

Prodhimet nga ulliri
Frutat e ullirit janë shumë të shijshme për ngrënie. Dikur përgatiteshin në dy mënyra: të bardhë dhe të zinj. Ullinjtë e bardhë së pari shtypeshin me një çekiç druri ose një gurë, pastaj mbaheshin në ujë për 10 ditë. Gjatë kësaj periudhe uji ndërrohej çdo ditë. Ullinjtë e zinj janë ata ullinj të cilët kur piqen fitojnë ngjyrën e kuqërremtë. Pasi që ta fitojnë këtë ngjyrë dhe të rrudhen ata regjen me kripë. Futen në një thes dhe përmbi iu vihet një gurë i madh e i rëndë, kështu mbahen një kohë deri sa t’u dalë hidhësia dhe të bëhen gati për ngrënie. Kohës së fundit ullinjtë futen edhe turshi.

Vaji i ullirit
Vaji i ullirit dallon nga varieteja e ullirit, mënyra e bluarjes si dhe kryesorja është aciditeti, sa më i vogël aqë më kualitativ është vaji. Vaji i thesit është vaji më i mirë dhe më kualitativi me aciditetin më të vogël dhe quhet vaj magje i thesit. Pastaj dallojmë vajin e mullirit të gurit ku edhe këtu dallojmë vajin më të mirë që del i pari e që e quajmë vaj magje dhe është i mirë për ilaç. Pas tij vjen vaji tjetër i përfituar përmes presave. Ky vaj pastaj është i kualitetit më të ulët. Sot në kohë moderne vaji i ullirit përfitohet përmes makinave moderne me centrifuga, ku pas mbledhjes së frutave nga dega dhe sipas standardeve moderne aciditeti mund të ulet edhe nën 2.0% dhe ky vaj quhet Virgin oil por ka edhe të tillë që aciditeti i ulet nën 0,8%, atëherë kemi të bëjmë me Extra virgin oil.

Gjethi i ullirit gjithashtu përdoret për çaj. Ky çaj me gjethe ulliri përdoret për rregullimin e tensionit të gjakut, përmirësimin e ritmit të zemrës, pastrimin e mushkërive dhe shpretkës. Gjithashtu përdoret edhe kundra gripit, kollit dhe përmirësimit të oreksit.

Në të vërtetë prej ullirit nuk hidhet asgjë.
Druri i ullirit është lëndë djegëse me cilësi shumë të mirë. Druri i ullirit, përpos aromës së veçantë, shumë karakteristike dhe të këndshme, ka edhe kalori shumë të fuqishme për ngrohje. Sot druri i ullirit përdoret për dekorimin e çardakëve (dyshemeve), tavaneve, mobilieve dhe për prodhimin e sendeve artistike.
Lëndë djegëse është edhe bërsija e cila gjithashtu ka shumë kalori, sepse përmban yndyrën e vajit.
Kuqla gjithashtu është përdorur për larjen e: tinave, butave, qypave, gaviçave, arkave të gurit dhe të gjitha enëve ku është mbajtur dhe ruajtur vaji i ullirit.

Caponi (Sapuni)
Vaji i ullirit nuk është hedhur kurrë. Edhe në qoftë se ka qenë shumë i fortë, prej atij vaji është bërë sapuni për t’u larë (pastruar). Ulqinakët deri vonë për larje nuk kanë përdorur sapun tjetër përveç atij të fituar prej vajit të fortë të ullirit ose prej baltës se vajit. Dallojmë dy lloje sapuni të shtëpisë: Saponi budallë dhe saponi krekc.
Sapuni është zier në çdo shtëpi. Edhe ata që nuk ka pasur ullishtë, vajin e fortë ose baltën e vajit për sapun e kanë blerë ke mullisi. Vaji ose balta e vajit për sapun e ka qenë i lirë sepse ka qenë vaj i fortë, me shumë acid dhe nuk është përdor për ushqim. Gjyshet e prindërit tanë janë larë vetëm me sapun shtëpie.
Sapuni prej vajit të ullirit bëhet fare thjeshtë. Në kazan, ku zihet sapuni, duhet hedhur:

  • pesë (5) kilogramë vaj të ullirit ose baltë, një (1) kilogram sodë kaustike dhe shtatë (7) litra ujë. Sami Misherri, avokat nga Ulqini tregon: “Në shpinë tonë zakonisht isht zi sasija prej 15 kilogram vaj ullinit ose baltë, 3 kilogram sodë kaustike dhe 21 litër ujë. Kja ka qenë sasija e nevojshme s’pakut për dy vjet, në kushtet kur caponin e shpisë e kajnë përdoru të gjithë antart e shpisë”.

Shportat
Shportat janë dy llojesh: të dendura – punoheshin prej zhukes dhe të rralla që punoheshin prej xungës. Më vonë shportat janë punuar nga liri apo kërpi. Nga ajo kohë mjeshtër për punimin e shportave kanë qenë: Muho Katana, Bet Kallari, Caf Milla, Osman Kroma, Fadil Milla, Salë Hoxha, Hasan Guçi.

Ruajtja e vajit të ullirit
Vaji më së miri ruhet në dybek guri, qypa dheu dhe saranxha vaji.
Dybeku i gurit ka zënë deri në 500 kilogramë, qypat e dheut deri 300 kurse saranxha deri në 1000 kilogramë vaj ulliri. Dybekët dhe saranxhat zakonisht ishin prej guri (në kohë më te re edhe nga çimentoja) dhe gjendeshin në oborr pranë mullirit. Në këtë mënyrë vaji ruhej për një kohë të gjatë dhe mullisi i mundësonte pronarit të vajit të vinte kur të kishte dëshirë për ta marrë vajin. Kësisoj mullisi kishte hapësirë për të bërë tregti me vaj.
Qypat e vajit të ullirit janë zakonisht qypa dheu dhe kishin madhësi të ndryshme. Vaji që përdorej për shtëpi vendosej nëpër qypa më të vegjël kurse atë që përgatitej për t’u shitur, pronarët e vendosnin nëpër qypa më të mëdhenj. Në këta qypa vaji mund të qëndronte një kohë të gjatë dhe me kalimin e kohës edhe fitonte në cilësi dhe nuk prishej.
(Fund)

Të fundit

më të lexuarat