U shpalosën informacione të konsiderueshme mbi bëmat e Skendërbeut

Tuz – Për nder të 23 Prillit- Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës Autoriale por gjithashtu dhe të 580 vjetorit të Kuvendit të Lezhës, Qendra Kulturore- Informative “Malësia” organizoi mbrëmje akademike me ish-diplomatin, deputetin, historianin dhe akademikun shqiptar, prof. dr. Pëllumb Xhufin dhe me historianin nga Malësia, Mark Junçaj, e cila u mbajt të martën në mbrëmje më 23 prill 2024, në prani të adhuruesve të librit.
Historianët e pranishëm një hapësirë kohore relativisht të gjatë, ia kushtuan pikërisht personalitetit të madh të kombit tonë, Gjergj Kastriotit- Skendërbeut.
Prof. dr. Pëllumb Xhufi ka thënë se Skënderbeu nuk është thjeshtë një mit, por një personazh historik.
“Të gjitha historitë e tij, të betejave të tij, por edhe të raporteve të tij të jashtëzakonshme që pati me të gjitha kancelaritë e Evropës: me Mbretërinë e Napolit, me Republikën e Venedikut, me Republikën e Raguzës (Dubrovnikun e sotëm), me Mbretërinë e Spanjës, me Mbretërinë e Francës, me Mbretërinë e Hungarisë, pra me të gjitha shtetet që llogariteshin në atë kohë, të gjitha këto kanë lënë gjurmë në arkivat e këtyre vendeve”, u shpreh Xhufi.
Ai më tutje tha se ne, deri para disa dekadave e kemi njohur Skënderbeun kryesisht nëpërmjet librit të shkodranit, Marin Barleti i cili, tha ai, e frymëzoi gjithë Evropën në atë kohë me librin që u shkrua në vitin 1510 dhe u botua në të gjitha gjuhët, madje edhe në gjuhën ruse në atë kohë.
“Sepse Skënderbeu ishte vërtetë një hero real. Dhe ne sot, si rezultat i hapjes së arkivave të vjetra, kemi vëllime të tëra me dokumente arkivore për Skënderbeun. Vetëm nga Arkivi i Venedikut, ne kemi sot të botuara rreth 25 vëllime, ndërkohë që dalin edhe dokumente të reja herë pas here” u shpreh Xhufi.
Ai tha se janë të panumërta dokumentet për Skendërbeun edhe në Arkivin e Vatikanit, Napolit dhe Mbretërisë së Spanjës, por edhe nga arkivat më të vogla të shteteve italiane.
“Skënderbeun e njohim mbi të gjitha nga dokumentet arkivore. Pra, ne kemi shumë dokumente, shumë të dhëna, shumë burime që e bëjnë Skënderbeun një personazh historik”, tha ai.
Ndërkohë, ai theksoi se shqiptarët e shohin edhe në ëndërr Skënderbeun, me gjeste jashtëzakonisht titanike e heroike dhe kjo tregon se shqiptarët e kanë atë, një personazh të ëndrrave dhe jo një personazh mitologjik, por historik.
Ndërkaq, Z. Xhufi është ndalur edhe tek luftimi i malësorëve kundër osmanëve.
Ai ka thënë se venecianët e kanë preferuar zonën e Malësisë, sepse siç tha ai, me një nxitje që i bënte Venediku Malësisë: Hotit, Grudës, Kelemendit e deri në Palabardhë sipër, malësorët ngriheshin kundër osmanëve, edhe gjatë pushtimit, në vitin 1600, 1700.
”Dhe venecianët rrinin dhe shikonin se si përgjakeshin malësorët shqiptarë, pastaj bënin paqen e radhës me Turqinë, me portën e lartë dhe i linin malësorët përballë hakmarrjes së turqve osmanë”, tha ndër të tjera, Xhufi.
Prof. dr. Pëllumb Xhufi së bashku me profesorin e historisë, Mark Junçaj, kanë folur gjerësisht mbi bëmat e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot- Skënderbeut, duke e informuar publikun edhe mbi ngjarje të tjera historike si, Kryengritja e Malësisë, Kongresi i Berlinit, si dhe kanë dhënë informacione mbi dokumentet e vitit 1620 që janë nga Arkivi i Venedikut, Vatikanit dhe Vienës, që flasin për fiset e Veriut të Shqipërisë si ato të Kuçit, Bratonozhiqëve, Palabardhëve, të Vasojeviqëve etj., fise këto të cilat janë tjetërsuar.
Kjo mbrëmje e cila zgjati mbi një orë e gjysmë solli për publikun të dhëna të bollshme mbi Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, i cili personifikon një hero të admiruar dhe të vlerësuar, jo vetëm nga kombi shqiptar por edhe nga mbarë bota.
Pëllumb Xhufi ka lindur në Durrës në vitin 1951. Formimi i tij në vitet e shkollës së mesme e të lartë u orientua drejt përvetësimit të gjuhëve klasike dhe specializimit në Historinë e Mesjetës dhe në atë të Bizantit. Autori ka kryer specializime të gjata pasuniversitare në Gjermani, Greqi e Austri. Ka punuar për shumë vite si studiues në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Në vitet 1997-2004 shërbeu në diplomaci, e më tej u angazhua në politikë.
Në vitin 1997, punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale, ku dhe u emërua, zv/ministër i Punëve të Jashtme.
Karriera e tij diplomatike vazhdoi duke qenë ambasador i Shqipërisë në Itali.
Prof. dr. Pëllumb Xhufi ka qenë pjesëmarrës në shumë konferenca e simpoziume shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Ai, gjithashtu ka mbi 50 artikujt dhe studime të botuara, monografi të shumta. Është bashkautor i disa veprave, i disa përkthimeve shkencore dhe ligjërues akademik nëpër shumë vende të botës. Profesori ka botuar edhe shumë vepra, si: “Dilemat e Arbërit”, “Ikje nga Bizanti”, “Nga Paleologët te Muzakajt”, “Çamëria: vështrim historik dhe etno-kulturor” (bashkautor), “Arbërit e Jonit, Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII”, etj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat