U bë përurimi i librit “Peshqit e detit tonë – Glosar iktiologjik” i autorit Hajro Ulqinaku

As i nxehti tropikal i cili e ka mbërthyer vendin tonë tash e sa ditë nuk ka paraqitur pengesë në mënyrë që të ndalë adhuruesit e fjalës së shkruar që të marrin pjesë në përurimin e një libri sa të rrallë aq edhe shumë të domosdoshëm. Pra, më 14 qershor 2024 në Atelier Gazi në Ulqin u bë përurimi i librit “Peshqit e detit tonë – Glosar iktiologjik” të autorit Hajro Ulqinaku i cili kohë më parë doli nga shtypi në botim të Institutit albanologjik të Prishtinës.
Në emër të organizatorëve të pranishmit i përshëndeti Gazmend Çitaku i cili solli copëza nga biografia e pasur letrare e publicistike e Hajro Ulqinakut. Pastaj para të pranishmëve u lexua recensioni lidhur me librin duke e vendosur në piedestalin më të lartë, aty ku edhe e ka vendin kjo vepër gjuhësore. Duke falënderuar Hajro Ulqinakun i cili me këtë glosar dha një kontribut shumë të çmueshëm për gjuhën tonë shqipe u pajtuam me konkluzionin e prof. dr. Shefkije Islamaj, që po ashtu është edhe redaktore e këtij botimi ku thotë: “Si përfundim mund të thuhet se vepra e fundit Peshqit e detit tonë i Hajro Ulqinakut plotëson kriteret shkencore e gjuhësore të një fjalori të mirëfilltë terminologjik dialektor dhe paraqet pasurim leksikor e semantik për gjuhën shqipe e për fjalësin e saj.”
Në vazhdim kryetari i Bashkimit të krijuesve shqiptarë në Mal të Zi, dr. Gani Karamanaga solli momente nga bashkëpunimi i shoqatës dhe Hajro Ulqinakut i cili pa dyshim se është jo vetëm nderi i Ulqinit por edhe i mbarë shqiptarisë.
Në mesin e mysafirëve të pranishëm kishte edhe miq nga Prishtina e Ferizaj e që për të pranishmit gazetari i njohur Gjergj Anton Filipaj evokoi momente nga intervista me axha Hajron të cilën e kishte zhvilluar disa viti më parë. Atëbotë Hajroja i kishte thënë se nuk i garanton se peshqit flasin shqip, por që mbajnë emra shqip këtë e dëshmon.
Lidhur me glosarin “Peshqit e detit tonë” recensenti Jaho Kollari tha se e ndjen veten shumë të privilegjuar që ishte pjesë e një botimi të tillë e të rrallë dhe duke sjellë përshtypjet e veta mes tjerash thotë: “Qëllimi parësor i Ulqinakut mbase nuk është për të na nxjerrë në tepsi sa të vendit janë këta emra peshqish, madhor është fakti se ata (emërtimet) janë këtu, të përfshirë në një libër të vetëm dhe kjo është për tu përshëndetur”. Kollari propozon që të thuhet se “Vilen peshqit” pasi që ata konsiderohen frutat më të këndshëm të detit tonë andaj edhe peshkatarët tanë i vjelin. Recenzenti me të drejtë përfundon duke thënë: “Me këtë vëllim Hajro Ulqinaku e ka sjellë peshkun në tryezë para se e ka vënë tiganin në zjarr, çfarë shihet ashiqare meqë Ulqini s’ishte veçse një vendbanim me status të pavarur ku shekuj me radhë lindi dhe u zhvillua një specifikë e rrojtjes”.
Në përfundim të takimit të pranishmit i falënderoi për praninë e tyre autori i librit Hajro Ulqinaku. Ai gjithashtu vlerësoi shumë të gjithë ata që i ndihmuan në çfarëdo forme rreth përgatitjes dhe botimit të këtij libri të rrallë e në veçanti me shumë mall tregoi momentet e mbledhjes së fjalëve të rralla, proces ky që i ka zgjatur me vite të tëra. Të veçanta ishin takimet me mikun e tij tashmë të ndjerë Beto Kas’hoxhën i cili për secilën fjalë kishte një kërkesë: “Një fjalë – një pije”
“Peshqit e detit tonë” është një botim që na vjen si plotësim logjik i “Glosarit – fjalorth i terminologjisë detare të folmes së Ulqinit” të botuar në vitin 2003 po nga Instituti albanologjik i Prishtinës. Këta dy glosarë janë fryte të punës gjashtëdhjetë vjeçare të autorit Hajro Ulqinaku i cili këto fjalë ka filluar t’i mbledhë që nga koha e studimeve, andaj edhe për të mos i harruar i ka botuar pjesë-pjesë në fund të librave të veta si shpjegime për fjalë të panjohura që i ka përdorë brenda tregimeve.
Ky libër ka 130 faqe dhe përbëhet prej dy pjesëve. Pjesa e parë përmes katër njësive trajton: peshqit (104) fjalë, gjonjën (46 fjalë), barkat e peshkimit (79 fjalë) dhe erërat e detit (36 fjalë). Në pjesën e dytë gjithashtu na përafron me tri lista të cilat përmbajnë këto informacione: peshq që kanë emra shqip, emra – fjalë autoktone shqipe, emra të huazuar në shqip. Ky libër siç u cek më lart është botimi i Institutit albanologjik të Prishtinës. Redaktore prof. dr. Shefkije Islamaj, recensentë Prof. dr. Naim Berisha dhe shkrimtari i njohur Jaho Kollari kurse konsulent Hajro Nimanbegu. Organizata Turistike e Ulqinit e ka mbështetur shtypin e librit.
Hajro Ulqinaku lindi më 3 maj 1938 në Ulqin. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, Normalen në Prishtinë kurse është diplomuar në Beograd për Gjuhë dhe letërsi shqipe. Ka shërbyer në arsim si në Mal të Zi ashtu edhe në Kosovë. Nga viti 1974 e deri në përjashtim nga puna prej forcave policore serbe me 5 korrik 1990 ishte redaktor i Redaksisë së Programit për fëmijë në Televizionin e Prishtinës. Është shkrimtar i cili kryesisht shkruan prozë dhe poezi ku motivi kryesor është deti kurse viteve të fundit njihet për kontributin e tij dhënë publicistikës me temë detin, detarët dhe Ulqinin.
Më 29 dhjetor 2023 në Presidencën e Republikës së Kosovës iu nda dekorata dhe medalja presidenciale me motivacion “Për vlera të larta dhe veprimtari kulturore” kurse më 10 qershor 2024 në nder të shënimit të 25 vjetorit të çlirmit të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i ndanë Hajro Ulqinakut Mirënjohje me motivacion “Për kontributin e jashtëzakonshëm në gazetari dhe medie, në rrethana të okupimit, para dhe gjatë luftës në Kosovë 1998-99”.
Të pranishmit në përurimin e librit ishin të gjithë krijues dhe studiues të fushave e kalibrave të ndryshëm që nga shkrimtarë e deri në doktorë shkencash. Të gjithë vlerësuan lartë kontributin e Hajro Ulqinakut, kurse ky për prezencën e tyre u shtroi një koktej rasti duke u premtuar se shpejt do të mblidhen rreth një libri të ri.

Gazmend Çitaku

Të fundit

më të lexuarat