Tregime për fëmijë me vlera edukative

Fabulat e tregimeve janë përzgjedhur me mjeshtëri dhe kanë pothuajse një lidhje organike me njëra-tjetrën. Tregimet përshkohen nga vlerat edukative që autori synon t’i transmetojë te fëmijët, si njohja e së kaluarës, dashuria për natyrën, gjallesat ujore, triumfi i së mirës etj. Përmes tregimeve të Bishës fëmijët mësojnë për historinë dhe gjeografinë e vendit të tyre, mësojnë për “Shasin plak”, të kaluarën e tij të bujshme, përrallat dhe legjendat e shumta rreth tij si ajo e Princeshës Albionë, toponimet dhe mikrotoponimet e Ulqinit dhe Anës së Malit etj

Ismet Kallaba

Letërsia shqipe që krijohet në Malin e Zi është pjesë përbërëse e letërsisë shqipe, por në të njëjtën kohë si letërsi e pakicave edhe e mozaikut të përgjithshëm letrar të Malit të Zi. Ndonëse të paktë në numër, shqiptarët në Malin e Zi i kanë dhënë letërsisë shqipe disa emra të shquar që përbëjnë ajkën e letërsisë shqipe, si Esad Mekuli, Mehmet Kraja, Hajro Ulqinaku, Basri Çapriqi etj.
Krahas kësaj plejade shkrimtarësh që veprimtarinë e vet e ka zhvilluar kryesisht jashtë vendlindjes, ekziston një grup tjetër i shkrimtarëve, mbase më pak të njohur, të cilët i kanë mbetur besnik asaj (vendlindjes). Me krijimtarinë e vet, ky grup i krijuesve ka ndikuar në ruajtjen e identitetit gjuhësor e kombëtar të shqiptarëve në Malin e Zi. Në mesin e këtyre krijuesve, shkrimtari Asllan Bisha zë një vend të veçantë. Ai bën pjesë ndër ata shkrimtarë që shkruan me të njëjtin sukses për të rritur dhe për fëmijë.
Letërsia për fëmijë, si një lloj i veçantë i letërsisë, kultivohet pak dhe është deficitare në kuadër të letërsisë shqipe. Kjo ka të bëjë, në radhë të parë, me vështirësinë e krijimtarisë për fëmijë. Të shkruash për fëmijë nuk është aspak e lehtë, sepse duhet t’i përshtatesh moshës dhe interesimit të fëmijëve. Edhe në letërsinë shqipe që krijohet në Malin e Zi ka pak shkrimtarë që shkruajnë për fëmijë. Shkrimtarët Hajro Ulqinaku, Asllan Bisha, Ibrahim Berjashi e ndonjë tjetër janë ata që e mbajnë sot gjallë letërsinë për fëmijë ndër shqiptarët në Malin e Zi.
Duke punuar një kohë të gjatë si mësues (tani në pension), Asllan Bisha e njeh mirë psikologjinë dhe mentalitetin e fëmijëve. Kjo e ndihmon që të depërtojë në imagjinatën e tyre. Këtë gjë ai e bën me sukses edhe te përmbledhja me tregime për fëmijë “Foleja e bilbilit”.

Duke punuar një kohë të gjatë si mësues (tani në pension), Asllan Bisha e njeh mirë psikologjinë dhe mentalitetin e fëmijëve. Kjo e ndihmon që të depërtojë në imagjinatën e tyre. Këtë gjë ai e bën me sukses edhe te përmbledhja me tregime për fëmijë “Foleja e bilbilit”.

Shkrimtari Bisha ka një lidhje të veçantë me vendlindjen, saqë atë e gjen kudo në veprat e tij. Edhe në këtë libër autori u mbetet besnik temave të tij të preferuara, që lidhen me Bunën, detin, liqenin, peshkimin dhe ngjarjet fëmijërore që ndodhin në këto mjedise. Fabulat e tregimeve janë përzgjedhur me mjeshtëri dhe kanë pothuajse një lidhje organike me njëra-tjetrën. Tregimet përshkohen nga vlerat edukative që autori synon t’i transmetojë te fëmijët, si njohja e së kaluarës, dashuria për natyrën, gjallesat ujore, triumfi i së mirës etj. Përmes tregimeve të Bishës fëmijët mësojnë për historinë dhe gjeografinë e vendit të tyre, mësojnë për “Shasin plak”, të kaluarën e tij të bujshme, përrallat dhe legjendat e shumta rreth tij si ajo e Princeshës Albionë, toponimet dhe mikrotoponimet e Ulqinit dhe Anës së Malit etj. Shkrimtari është rritur me lumin Buna dhe me detin, e njeh mirë leksikun detar dhe të peshkimit që synon t’ua mësojë fëmijëve përmes këtyre tregimeve. Ai na fut në botën e peshqve dhe “dasmën” e tyre.
Në tregimet e tij autori ngjiz dashurinë e fëmijëve, ndjenjën e dhembshurisë dhe altruizmit jo vetëm ndaj njerëzve, por edhe ndaj kafshëve. Dashuria dhe miqësia e Gencit dhe e Suzanës me delfinin është për ta marrë si shembull. Ata bëjnë çdo gjë për ta shpëtuar delfinin e plagosur në kufi, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Ja si e përshkruan autori “dialogun” e Gencit me delfinin pas lidhjes së plagës me mëngën e këmishës:

Fëmijët që janë personazhe të tregimeve janë të mirë, të sjellshëm dhe të edukuar, të ditur. Tensionet që krijohen nëpërmjet rrëfimit të autorit dhe dialogëve të personazheve tërheqin kureshtjen dhe vëmendjen e lexuesit. Bisha shkruan me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë, që i përshtatet moshës së fëmijëve, duke arritur të depërtojë aq bukur në botën e tyre të pasur me plot emocione. Kjo përbën çelësin e suksesit në komunikimin e tij me fëmijët

“Do të të shpëtoj, o miku im. Ti i ndihmon njerëzit. Në det i ndihmon nga peshkaqenët. Ke feçkën e fortë. Ata frikësohen prej teje, sepse je luftëtar i vërtetë. Mua më ka treguar gjyshi për forcën tënde dhe guximin në det. Ti je i mençur. O Zot, sa mirë qëllova për të të dhënë dorën dhe ndihmën e parë”. (Delfini në Barbanë)
Skena të tilla të altruizmit fëmijëror ka gjithandej në libër.
Ashtu si pothuajse në çdo vepër të Bishës, edhe në këtë libër, e mira ngadhënjen mbi të keqen. Fëmijët që janë personazhe të tregimeve janë të mirë, të sjellshëm dhe të edukuar, të ditur. Tensionet që krijohen nëpërmjet rrëfimit të autorit dhe dialogëve të personazheve tërheqin kureshtjen dhe vëmendjen e lexuesit. Bisha shkruan me një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë, që i përshtatet moshës së fëmijëve, duke arritur të depërtojë aq bukur në botën e tyre të pasur me plot emocione. Kjo përbën çelësin e suksesit në komunikimin e tij me fëmijët.
Duke përçuar mesazhe edukative, ky libër arrin të përmbushë një ndër kriteret kryesore të letërsisë për fëmijë siç janë vlerat edukative të tij. Në anën tjetër, autori dëshmohet edhe një herë si mjeshtër i prozës së shkurtër për fëmijë.
Mendoj se Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore po vazhdon me sukses rrugën e nisur për botimin e librave artistikë të shkrimtarëve shqiptarë që përfshihen në programin mësimor në shkollat tona.

Të fundit

më të lexuarat