Tradita folklorike e Trieshit, një thesar me vlera të mëdha që pasuron visarin tonë kombëtar

Gjekë Gjonaj

Përkundër varfërisë dhe prapambeturisë së gjithanshme, folklori, në të gjitha format, ka qenë i vetmi prodhim artistik i krahinës së Trieshit. Letërsia gojore ishte ushqim shpirtëror. Malësorët trieshianë krijues dëshmuan aftësi për vështrimin e ngjarjeve dhe dukurive shoqërore, me një sy të mprehtë e mjaft objektiv. Ata pasqyruan realitetin e vrazhdë. Në tubime, gazmende e ceremoni i lëshuan fre imagjinatës së tyre të pasur, duke i kontribuuar zhvillimit mendor e psikik, duke ngritur virtytet më të larta, atdhedashurinë, besnikërinë e bujarinë, trimërinë e luftën.
Trieshiani shekuj me radhë e ka pasur folklorin e vet të vetmin argëtim. Nëna trieshiane me këngë e vë djalin në gjumë, duke përkundur në djep. Me këngë kushtrimi trieshiani shkonte në luftë. Bariu i deleve nuk del në kullota pa fyell në brez. Me vargje të prekshme elegjiake e përcjell vajtorja trieshianin në rrugën e fundit të jetës së tij. Prandaj, kjo e tregon vlerën e madhe dhe të gjerë të folklorit trieshian , i cili ende kultivohet dhe ruhet brez pas brezi. Krijuesit janë gjeni të popullit, me fuqi e mprehtësi të jashtëzakonshme mendore, me aftësi e talent të njeriut të madh. Janë krijues dhe interpretues në frymën e traditës. Gjuha e këngëtarëve dhe tregimtarëve është gjuhë popullore, me stil dhe figuracion të pasur, me shprehje të kondensuara e të konsoliduara. Është tërheqëse për dëgjuesit, me forcë bindëse të fjalës artistike.
Në Triesh me këngë përcillet fejesa dhe martesa e vajzave. Kur vajza ( nusja) niset nga shtëpia e saj këndohet:

“More Lulja e frashnis barll,
Kjaj ti Lul e çona mall.
Se kan arll dasmort met marr.
Kjaj ti Lul pa marak,
Se ke lanun stolin par.
Pot thot baba ulla e par,
Ulla e par bi me shkua,
Sot për sot dahesh me mua.”

Me vargje të prekshme e përcjell vajtorja trieshianin në rrugën e fundit të jetës së tij:

“Po t’vajtoj Kol’ me shumë mall,
Shumë robnia t’aska arll,
Me t’nerua Malsija ën ball,
Si psues edhe pisar.

More Kol’, more daji,
Paske l’shua mall e shpi,
Paske dal prej k’saj shoqni ,
Lashke pazar e mejhan ,
E dashke me g’zua bab e nan”.

Kur vajtohet dikush, atij i përmenden: rrethanat e ngjarjes, bëmat e tij sa qe gjallë, i numërohen fëmijët që ka lënë pas dhe pozicionin e tyre social, bëhet aluzion për të ardhmen e fëmijëve jetimë, vihen në dukje, tiparet karakteristike të tij, vija e sjelljes në familje e në shoqëri, bamirësitë dhe trimëritë e tij, si është përjetuar largimi i tij ( i saj), nga jeta, në mjedise të ndryshëm shoqërorë etj. etj.
Kjo pasuri e madhe shpirtërore e krijimtarisë popullore, e cila ruan elemente epokash të kësaj krahinë, është ruajtur brez pas brezi deri në ditët e sotme me dashuri e kujdes. Ky thesar i paçmueshëm folklorik i kësaj zonë shpesh këndohet gjatë kërcimit të valleve popullore, të shoqëruara me vegla muzikore, lahutë e çifteli, me tingujt e fyellit, defit, zypareve (zumareve), e gjethes së malit në shtëpi, në tëbane, në bjeshkë e në kullota .
Trieshianët mendimet dhe vërejtjet e tyre rreth botës ose fenomeneve të saj , dëshirat dhe luftën për të sunduar mbi forcat e natyrës , qëndrimet dhe gjykimet e tyre rreth marrëdhënieve në shoqëri i kanë shprehur edhe përmes prozës popullore me anën e përrallave, anekdotave, fabulave, tregimeve, fjalëve të urta, kashelashave e mahive të popullit shqiptar të cilat përbëjnë një pasuri shumë të madhe dhe të rëndësishme të visarit tonë kombëtar.
Kënga popullore, si përcjellëse mjaft besnike e këtyre ngjarjeve, vazhdimisht ka luajtur e do të luajë rolin e vet të pamohueshëm, qoftë në paraqitjen e një realiteti, qoftë edhe në ruajtjen e shpirtit liridashës te masat e përgjithshme popullore, në situata më të ndjeshme të historisë. Kënga, si një segment i rëndësishëm i kulturës shpirtërore të një populli, ka luajtur dhe padyshim vazhdon të luajë rol të veçantë edhe në integrimin shpirtëror ndërshqiptar, në këtë rast trieshian si pjesë e pandarë e trungut të lashtë të shqipes. Se kjo është kështu, këtë më së miri e tregojnë vargjet e të gjitha këngëve që burimin e kanë në Triesh e Malësi. Në të gjitha këto këngë (të vjetra e të reja), këndohet për Trieshin si një tërësi të pandarë etnike, etnografike dhe folklorike. Kjo është një parametër i rëndësishëm që tregon se elementi integrues në këtë krahinë është ruajtur dhe vazhdon të ruhet jo vetëm në këngë, por edhe në rite të tjera folklorike. Dhe kjo është një meritë e trieshianëve si pjesë e vetëdijes gjithmonë të zgjuar kombëtare.
Prandaj, kënga popullore dhe folklori në përgjithësi i krahinës së Trieshit padyshim se ka luajtur, po luan dhe do të luajë rol të rëndësishëm integrues edhe në raportet e gjithmbarshme kombëtare. Këtë e tregojnë më së miri pjesëmarrja e grupit folklorik “ Besa të Trieshit si një tërësi edhe në Festivalin kombëtar të folklorit në Gjirokastër, pastaj në festivalin “Hasi jehon”, në fshatin Gjonaj, e shumë manifestime të tjera kulturore që janë mbajtur në Shqipëri dhe në Kosovë.
Tradita folklorike e Trieshit është një thesar me vlera të mëdha, e cila pasuron visarin tonë kombëtar me vlera të larta të artit të vërtetë.
Krijuesit dhe bartësit e thesarit tradicional popullor ishin personalitete më të afta në fshatra të caktuara, për të trashëguar, ruajtur dhe bartur traditën shekullore kombëtare të popullit të vet. Në sjelljet e tyre reflektojnë virtytet më të larta njerëzore, etike, filozofike, psikologjike, po edhe shoqërore e politike. Ata i dalloi: arti i fjalës, atdhedashuria e autoriteti, dinjiteti e dituria, besa e burrëria, aktualiteti e altruizmi, drejtësia, e vërteta dhe frymëzimi, guximi intelektual e ideali, inteligjenca e karakteri, mençuria e mendimet e shëndosha, mikpritja e morali, përvoja e popullarizimi, sinqeriteti e toleranca, trimëria e vendosmëria, vetëbesimi e vullneti i pathyeshëm dhe vizioni i pakrahasueshëm.

Të fundit

më të lexuarat