Toka është art, fotografi është vetëm dëshmitar

Gazmend Çitaku

Për këtë shkrim po shfrytëzoj thënien e Yann Arthus-Bertrand, i cili përveç se fotograf është edhe gazetar, regjisor dhe ambientalist. Yann-i me projektet e tija në fushën e fotografisë ka bërë që rezultatet e pashme të jenë shumë mbresëlënëse. Historia e fotografisë është shumë interesante. Fjala fotografi do të thotë “shkrim me dritë”. Projeksionet e imazheve përmes vrimës së dritës “camera obscura” kanë qenë të njohura në antikitet e poashtu edhe nga kinezët e lashtë d.m.th. para 2000 vjetëve. Në fund të shek. XVI, shkencëtari dhe shkrimtari italian Gaimbattista della Porta demonstroi dhe përshkroi në detaje përdorimin e një kamere obscura me një lente. Nicephore Niepce më 1826 dhe Louis Daguerre në vitn 1838 janë pionierët e fotografive të para. Daguerre vë themelet e fotografisë së qëndrueshme. Ai punoi sipas shënimeve të bashkëpunëtorit e kolegut të tij Niepce i cili vdes papritur dhe duke avancu procesin kimik të zhvillimit të fotografisë zbulon procesin të cilin e quan sipas tij dagerotipi. Me këtë teknikë për herë të parë na sjell një pamje të qytetit me njerëz në të gjë që ishte e vështirë deri atëherë për shkak të ekspozicionit të gjatë.
Fotografia e parë shqiptare është realizuar në vitin 1858 në Shkodër, në studion e quajtur “Marubbi” të Pietro Marubit e që me këtë mund të konstatojmë se vjen vetëm dy dekada pas fotografisë së Dagerit. Kështu edhepse italian, Pietro Marubi bëhet pionieri i fotografisë së parë shqiptare. Ne shqiptarët gjithmonë i kemi gjërat pak të koklavitura kështu që edhe rreth fotografisë së parë shqiptare ka dilema se cila është fotografia e parë dhe viti kur do të jetë e mundur që është bërë ajo. Disa studiues e shënojnë se autoportreti i Marubit është fotografia e parë, disa portreti i Hamzë Kazazit (zyrtarisht) e disa tjerë e zhvendosin për një dekadë më vonë dhe e lidhin me fotografinë e “Vajzës malësore me xhubletë”.
Meqë tek ne kishte mbrrit fotografia kaq shpejt dhe kjo dëshmon se kemi qenë në trend me kohën unë do të mundohem të sjell vetëm disa të dhëna bazë që kanë të bëjnë me fotografinë shqiptare.
Derisa në Europë studio i parë i fotografisë njihet ai i Richard Beard hapur në vitin 1841 te ne është Foto – Studio “Marubbi” themeluar në vitin 1856. Prandaj, mund të konstatojmë se Shkodra si vendbanim shqiptar është sinonim i djepit të fotografisë shqiptare. Gjithashtu në këtë drejtim kontribut të rëndësishëm japin edhe vendbanimet si Dardha, Korça etj., në Shqipëri e në Kosovë fotografitë e para zhvillohen në: Gjakovë, Prizren, Mitrovicë dhe duke mos anashkaluar fotografinë e hershme në Ulqin dhe Manastir.
Sipas mendimit tim sa i përket suksesit në fushën e fotografisë fronin e mbanë Gjon Mili.
Fotografi i parë shqiptar është Pjetër Marubi. Vazhdon dinastia e tij me Kelin dhe Gegën, njëkohësisht në Shkodër vepron Kolë Idromeno, kurse në Korçë Kristaq Sotiri etj.
Në Kosovë fotografinë e parë e sjell Ahmet Zherka (1896, Gjakovë dhe Prizren), Osman Zymi (1903, Mitrovicë).
Fotografet e para shqiptare, femra, janë: Bernardina Marubi (Shqipëri) dhe Myzejene Zymi (Kosovë).
Filmin e parë (1905) e xhirojnë vëllezërit Manaqi. Janaqi dhe Miltoni nga Manastiri.
Nga fotografët e mëdhenj personalisht kam njohur Angjelin Nenshatin, Pirro Naçen (fotografin e shkollës çeke të fotografisë) dhe Naim Shalën (artistin e fotografisë bardhë e zi). Në Ulqin më duhet të përmend fotografin e veçantë Riza Shurdha (afro-ulqinak) dhe Hajro Likën i cili hapat e para i ka bërë në studion e Rizas.
Sot kam raporte miqësore me fotografët e çmuar Hazir Rekën e Fahredin Spahija dhe patjetër se me shumë respekt më duhet të përmend edhe fotografët tjerë që u di punën si Ilaz Bylykbashi (fotografi dokumentare), Enver Bylykbashi (portrete), Burim Myftiu (fotografi bashkëkohore), Fadil Berisha (fashion), Arian Mavriqi e Blerim Gjoci (bota e egër), Shkëlzen Rexha. Në Shqipëri vlerësoj Roland Tashon, Rozafa Shpuzën, Alket Islamin, Alket Misja (Albanian scapes) etj.
Që fotografia mos të jetë vetëm imazh por edhe mesazh me analizat e tyre dhe informatat për fotografinë, kulturën e artit të fotografisë na e plotësojnë miku im Qerim Vrioni dhe Kristaq Balli të cilët janë të vetmit që marrin guximin dhe na sjellin mrekulli informatash për fotografë, fotografi dhe çdo gjë lidhur me këtë fushë arti.
Patjetër se çdo ditë vijnë në shprehje fotografë të ri që doemos se janë shumë të mirë dhe shumë inovativ. Sot ka metoda të ndryshme të të shprehurit me fotografi dhe mediumet bashkëkohore kanë bërë që lidhjet mes fotografëve të jenë shumë të mira, kurse mundësia e pjesëmarrjes në konkurse dhe ekspozita shumë e qasshme dhe e lehtë.
Në Ulqin ka fotografë dasmash por edhe disa të cilët kultivojnë fotografinë artistike. Përveç Gazmend Çitakut një prej tyre është edhe Fisnik Dobreci i cili punon si fotograf “freelancer”. Fisniku është edhe laureat i çmimit të parë të Konkursit “Gjon Mili” për vitin 2009. Ali Zhygjeli është një tjetër ulqinak i cili jeton dhe punon në Zvicër dhe kryesisht merret me fotografinë e modës.
Në Tuz sipas informatave që kam pionier i fotografisë është Shtjefën Ivezaj i cili sot shtëpinë e vet e ka shndërruar në muze etnografik. “Foto Ivezaj” ka punuar me shumë vështirësi e një nga shkaktarët është afërsia e madhe Podgoricës si kryeqendër dhe Tuzi si një vend shumë i vogël. Sa i përket gjeneratave të reja nga Tuzi kryesisht të gjithë lëvrojnë fotografinë e dasmave por që fotografi interesante kohë pas kohe na sjell Vinko Prenkoçaj, Beni Hasanaj dhe fotografi nga ajri Fahredin Gjokaj.
Zhvillimi i fotografisë artistike, në vendin tonë nuk paraqet një veprimtari me të cilën është e mundur të jetohet, por të krijohet për shpirt patjetër se është një mundësi e madhe. Andaj në fund pajtohem me thënien e Andy Warhol kur thotë “The best thing about a picture is that it never changes, even when the people in it do.” (Fotografia mbetet e njëjtë edhe atëherë kur protagonistët në të ndryshojnë).

Të fundit

më të lexuarat