Ulqin – Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Organizata Joqeveritare “Eksodi ‘99” nga Mitrovica, në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini” kanë organizuar të shtunën mbrëma (25 maj 2024) përurimin e librit “Përjetimet dhe kontributi i gruas shqiptare përballë gjenocidit serb gjatë luftës dhe Eksodit ‘99”.
Libri është përmbledhje e akteve nga konferenca shkencore e organizuar nga OJQ “Eksodi ‘99”, më 15 prill 2022 në Institutin Albanologjik në Prishtinë. Në të sillen dëshmi rrëqethëse mbi krimet dhe mizoritë e forcave policore, paramilitare e ushtarake serbe të kryera ndaj popullatës shqiptare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999, por edhe periudhave të mëhershme. Në libër vihet në spikamë roli dhe kontributi i gruas shqiptare në përpjekjet shekullore të popullit të Kosovës për liri, rezistenca dhe sakrificat e saj, vuajtjet, përdhunimet etj.
Në fjalën përshëndetëse në emër të organizatorit, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba ka thënë se libri është dëshmi, por edhe kujtesë dhe thirrje për të mos harruar.
“Ai është një dëshmi dokumentare se luftën nuk e kanë bërë vetëm meshkujt, por krah për krah me ta kanë qenë edhe gratë”, ka thënë ai.
Kallaba ka përkujtuar se si për koincidencë, përurimi i këtij libri bëhet vetëm dy ditë pas miratimit nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara të Rezolutës për gjenocidin serb të kryer në Srebrenicë në vitin 1995, gjë që tregon se krimet dhe masakrat nuk mund të fshihen dhe nuk harrohen kurrë.
“E unë besoj se një ditë do të kemi fatin të kemi një rezolutë të OKB-së edhe për gjenocidin e kryer nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë, por edhe për masakrat e kryera ndaj shqiptarëve përgjatë gjithë historisë, siç është edhe ajo e Tivarit në vitin 1945”, ka theksuar si, duke shtuar se për këtë duhet punë e pareshtur për dokumentimin e krimeve, siç po bën që 25 vite OJQ “Eksodi ‘99”.
Kryetari i OJQ “Eksodi ‘99”, Mustafë Kryeziu ka thënë se është viti i 25-të që e përkujtojnë gjenocidin serb ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare nga barbarët serbë, të cilët historikisht ushtruan terror me të vetmin qëllim – që Kosova të mbetet pa shqiptarë.
Ai ka thënë se duke u bazuar në kontributin e madh të gruas shqiptare në çdo kohë, e veçanërisht gjatë luftës çlirimtare, në vitin 2022 kanë organizuar konferencën shkencore “Përjetimet dhe kontributi i gruas shqiptare përballë gjenocidit serb dhe Eksodit ‘99”, në të cilën kanë marrë pjesë njëzet autorë nga treva të ndryshme shqiptare, të cilët në artikujt e tyre “argumentuan për rolin dhe integritetin e nënave shqiptare, me të cilat duhet të krenohemi dhe falë kontributit të tyre sot ekzistojmë edhe si komb”.
Ndërsa duke folur për qëllimin e përurimit të këtij libri në Ulqin, Kryeziu ka thënë se “që nga vitet ’90 kur ishin kohët më të rënda, Ulqini dhe ulqinakët me atdhedashuri u bënë strehë e popullatës shqiptare. Ulqini nuk ishte vetëm vend i pushimeve, por i takimeve, afërsisë, kulturës dhe përkujdesjes emocionale mbarëkombëtare”.
Ai ka përfunduar duke thënë se “Ulqini ishte, është dhe do mbetet në Kosovë dhe Kosova në Ulqin”.
Drejtoresha e Librarisë “Ulqini”, Arlinda Osmani ka thënë se roli i gruas në historinë shqiptare ka qenë përcaktues në ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kur është cenuar liria, duke i edukuar fëmijët por edhe luftuar shpesh krah në krah me burrat.
“Sonte, kur ne flasim për rolin e gruas edhe pse në një kohë më të mirë si ekonomike edhe sociale, nuk duhet harruar sakrificat e nënave, grave, gjysheve e motrave për t’i bërë ballë armikut dhe për të ruajtur vatanin dhe lirinë që gëzohet sot”, është shprehur Osmani.
Ajo ka lexuar edhe një fragment nga recensioni për librin i recensentes Shpresa Raça – Hoxha.
Nënkryetari i OJQ “Eksodi ‘99”, Prof. dr. Ali Topalli ka evokuar kujtime mbi dëbimin e shqiptarëve nga Mitrovica dhe trevat tjera gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Ai ka rrëfyer se në natën ndërmjet 14 dhe 15 prillit 1999 në Mitrovicë janë vrarë dhjetëra shqiptarë nga policia serbe me qëllim që popullatës t’ia fusë tmerrin, frikën në mënyrë që menjëherë, sa më shpejt t’i lëshojnë banesat dhe shtëpitë e tyre.
“Qëllimi dihet që ishte spastrimi etnik i Kosovës… Ishte projekti ‘Patkoi’ që Millosheviqi e vuri në veprim. Paraprakisht u zbraz Rrafshi i Dukagjinit, por ata e kishin pak më afër kufirin. U zbraz Prishtina, i dërguan me kamionë, me trena, me autobusë deri në Bllacë. Kurse e fundit ka qenë Mitrovica. Ishte mëngjesi i 15 prillit, ku u detyruan qytetarët që për pesë minuta t’i lëshojnë shtëpitë e veta dhe i orientuan në drejtim të rrugës Mitrovicë – Pejë. Dihej që do të na dërgojnë kah Shqipëria”, ka pohuar Topalli.
Ai ka thënë se si përjetues i eksodit e ka provuar tmerrin e lëvizjes në këmbë. Që vuajtjet e tyre të ishin edhe më të mëdha, i kanë kthyer disa herë në rrugë, ndërsa në Xërxë kanë ndenjur tri ditë.
“Natën e fundit ka ardhur policia dhe na ka thënë: nesër duhet të udhëtoni kah Shqipëria. Mos të flas për keqtrajtime, sharje, rrahje, plaçkitje. Kurrgjë me vlerë nuk na kanë lënë. Krejt na i ka marrë policia”, ka përshkruar Topalli vuajtjet.
Përkundër gjithë kësaj, në ato momente të vështira ishte marrë vendimi që kush të shpëtojë, të gjejë formë dhe mënyrë që ta përkujtojë eksodin në mënyrë që të mos harrohet.
“Dhe u organizuam. Për 25 vite ndërtuam kullat e eksodit në Kukës, në Xërxë, monumentin e Eksodit në Mitrovicë me qëllim që breznive të reja t’u lëmë gjurmë që ata t’i përkujtojnë, mos t’i harrojnë këto vuajtje, sepse një popull i cili e harron dhe nuk e shënon historinë e vet, është i gjykuar ta përsërisë. Ky është edhe qëllimi ynë – që ne kurrë më të mos e përsërisim këtë histori”, ka porositur ai.
Mjekja dhe veprimtarja nga Ulqini, Zylfije Duraku, artikulli i së cilës është pjesë e librit “Përjetimet dhe kontributi i gruas shqiptare përballë gjenocidit serb gjatë luftës dhe Eksodit ‘99”, ka folur për kontributin e femrës shqiptare në Ulqin gjatë luftës së Kosovës.
Ajo ka uruar që eksodi i vitit 1999 të mos përsëritet kurrë më në asnjë cep të trojeve shqiptare.
Megjithatë, Duraku ka thënë se ndonëse ishin vite të vështira, është krenare që i përket gjeneratës që ka përjetuar lirinë e Kosovës.
“Vërtet ndihemi të gjithë krenarë me atë Kosovë. Përse? Ne jemi nxënësit e Kosovës, studentë të Kosovës, jemi ata që kemi ngrënë bukën e Kosovës dhe atë bukë nuk mund ta harrojmë kurrë. Ne (shqiptarët në Malin e Zi) përjetë jemi borxhlinj të Kosovës”, është shprehur ajo.
Sipas saj, të gjithë shqiptarët në Malin e Zi – nga Rozhaja deri në Ulqin, “kanë dhënë nga vetja, kush më shumë dhe kush më pak, por nuk ka familje, nuk ka grua që nuk ka kontribuar sadopak për të mirën e Kosovës në atë kohë të vështirë. Gjithkush e ka ndier dhimbjen për Kosovën”.
Gjatë përurimit janë shfaqur pamje të eksodit, kurse sekretari i OJQ “Eksodi”, Haki Shyti, ka lexuar vargje nga pjesa “Kosovë – përmendorja e parë nënës shqiptare” e shkrimtarit nga Kukësi, Rexhep Shahu. Në fund të përurimit, OJQ “Eksodi ‘99” ka ndarë libra falas për të gjithë pjesëmarrësit.
Me këtë veprimtari përuruese të mbajtur në Librarinë “Ulqini”, edhe Ulqini, si qytet i cili e ka përjetuar shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Kosova dhe ku janë strehuar disa dhjetëra mijëra të përndjekur gjatë luftës së viteve 1998-1999, ka përkujtuar 25-vjetorin e eksodit biblik të shqiptarëve të Kosovës dhe ka shënuar 25-vjetorin e çlirimit dhe lirisë së Kosovës.
i. k.
Mirënjohje për Komunën e Ulqinit, Shoqatën e Gruas “Anima” dhe SHAI “Art Club”
OJQ “Eksodi ‘99” ka ndarë me këtë rast mirënjohje për Komunën e Ulqinit me motivacionin “për pritjen vëllazërore dhe ndihmën e jashtëzakonshme dhënë eksoduesve nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999”, për Shoqatën e Gruas “Anima” “për kontributin e dhënë gjatë luftës në Kosovë dhe kujdesin e treguar për eksoduesit kosovarë në Malin e Zi” si dhe për Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” “për kontributin e dhënë gjatë Eksodit ’99 dhe për pasqyrimin e vlerave universale, kulturore e kombëtare të kombit shqiptar”.