Ulqin – Edicioni i tetë i kolonisë së piktorëve “Ulqini në telajo”, që është mbajtur më 17-20 tetor 2024, ka tubuar rreth 45 piktorë nga vendet e rajonit (Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Lugina e Preshevës) dhe bota (Austria, Rusia).
Sipas drejtoreshës së Institutit të Librit dhe Promocionit nga Tirana, Irena Toçi, pjesëmarrja e piktorëve nga këto vende i dhanë kësaj kolonie një karakter pak më ndërkombëtar sesa herët tjera.
“U krijuan rreth 150 tablo të bukura, të cilat do ta përjetësojnë Ulqinin tonë në vite dhe do të krijojnë historinë e tij artistike, por edhe bukuritë e tij në këtë vit, pikërisht në vitin 2024”, ka thënë ajo në ceremoninë e organizuar të dielën në mjediset e kompleksit “Llolla”, ku është hapur ekspozita dhe janë prezantuar punimet e realizuara nga piktorët pjesëmarrës në koloninë artistike.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, ka falënderuar piktorët pjesëmarrës në koloninë artistike duke thënë se vazhdimisht po bëjnë promovimin e qytetit të Ulqinit përmes pikturave të tyre, jo vetëm në këtë qytet, por edhe në qytetet të tjera ku ata ekspozojnë.
Në fjalën përshëndetëse, ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka ka treguar se kolonia e sivjetshme është organizuar në një afat të shkurtër dhe ka premtuar se vitin e ardhshëm do të përpiqen ta organizojnë edhe më mirë dhe të ketë edhe më shumë artistë.
Përshtypjet e tyre për koloninë artistike kanë dhënë disa prej piktorëve pjesëmarrës.
“Artistët flasin me një gjuhë, që është universale dhe të cilën e kupton e gjithë bota. Ky është privilegji ynë”, ka thënë piktori Beli Bojatiq nga Plevla, pjesëmarrës për të katërtën herë në këtë koloni.
Për piktorin e njohur nga Lugina e Preshevës, Eshref Qahili, profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kolonitë e këtilla janë më tepër takime të artistëve, të cilat i ndihmojnë ata për njohjen mes tyre dhe punës që ata bëjnë.
Piktori Rifat Çeliku nga Maqedonia e Veriut ka thënë se këto koloni janë shumë të rëndësishme në aspektin e frymëzimit për punë.
“Sepse ndonjëherë ne nuk kemi frymëzim që të punojmë, por kur sheh që të gjithë punojnë, kjo është një kënaqësi”, ka thënë ai, duke shprehur dëshirën që kjo traditë të vazhdojë dhe pjesëmarrja në kolonitë e ardhshme të jetë edhe më e madhe.
Kolonia artistike “Ulqini në telajo” është mbyllur me ekspozitën e organizuar të dielën, me ç’rast janë ndarë edhe certifikata për të gjithë piktorët pjesëmarrës.
Kolonia e sivjetshme është organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit – Tiranë, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave dhe Organizata Turistike e Ulqinit.
i. k.