Studim me vlerë mbi etnogjenezën e kombit ndër shekuj

Para më se nëntë dekadash, pikërisht në vitin 1928, hulumtuesja dhe studiuesja e mirënjohur angleze, bashkëpunëtore e Institutit Mbretëror Antropologjik, Mery Edith Durham, botoi veprën e saj tejet të rëndësishme në lëmin e etnologjisë krahasimtare me titull “Rreth prejardhjes së fiseve, të ligjeve e të zakoneve të ballkanasve”, titulli origjinal i të cilit është “Some Tribal Origins, Laws And Customs Of The Balkans”, të cilin e përktheu përkthyesi i zellshëm nga Shkodra, veprimtari dhe diplomati, Ferit Hafizi, të cilën në gjuhën shqipe për herë të parë ai e botoi në Shkodër në vitin 2005 dhe u ribotua nga Shtëpia botuese “Argeta – LMG”, në Tiranë në vitin 2019

Shaban Hasangjekaj

Autorja Edith Durham, lëndën e kësaj monografie e mblodhi kryesisht në çerekun e parë të shekullit XX, gjatë udhëtimeve të shpeshta në viset malore të Shqipërisë së Veriut e të Malit të Zi, ku u përqendrua në çështjet e dukuritë më të spikatura të shoqërisë tradicionale si organizimi i vjetër shoqëror, e drejta popullore, doket, lindja, martesa, vdekja, tatuazhet, besëtytnitë, mjekësia popullore, etj.
Brumi i materiali të lëndës së veprës në fjalë, është i ndarë në tetë pjesë së zbërthyera në 50 trajtesa shtjelluese të demonstruara dhe konkretizuara me 35 ilustrime (12 fotografi e 23 figura) të vetë autores: I: Fiset e Shqipërisë dhe Malit të Zi; II. Qeverisja dhe ligji; III. Tatuazhi dhe simbolet e shprehura me to; IV. Farefisnia dhe zakoni i gjakut; V. Lindja, martesa dhe vdekja; VI. Pemët dhe frutat; VII. Magji, mjekësi, Parathënia e fatit; VIII. Disa tabu të ballkanasve. Hekuri. Flokët. Në faqet e fundit të veprës gjendet bibliografia e përdorur e shkruar në gjashtë gjuhë: latinisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht dhe serbisht, kurse në faqet e para të saj janë parathënia e këtij botimi dhe ajo e autores.
Gjendja e fisit të madh tërhoqi vëmendjen e autores, sipas së cilës atë stad e kishin kaluar edhe popujt e Europës përpara se të arrinin në epokën e formimit të shtetit, kurse në Gadishullin Ballkanik “Sistemi i fisit”, mbijetoi deri në fillim të shekullit XX, i paprekur vetëm në Shqipëri e Mal të Zi. Përcaktimi i tij, megjithëse jo i plotë, i qëndroi kohës.
“Fisi shqiptar rrjedh nga një pinjoll i lashtë mashkull (ose disa të tillë). Të gjithë pasardhësit që rrjedhin nga i njëjti stërgjysh i përbashkët mashkull, pavarësisht se sa të largët janë, njihen si vëllezër e motra dhe nuk martohen midis tyre. Ligji i egzogamisë (martesa jashtë fisit), respektohet me rreptësi. Kryefamiljarët dinë përmendësh tërë gjenealogjinë e gjatë të fisit të tyre, njohuri që ka rëndësi të madhe, meqenëse martesa, ashtu edhe gjakmarrja, rregullohen sipas bashkësisë së gjakut. Ne mund të jemi të sigurt se grupe që nuk martohen midis tyre, në të vërtetë rrjedhin nga i njëjti stërgjysh. Për gratë kjo nuk ka rëndësi”, shprehej studiuesja Durham dhe në vazhdim gjykonte se historia e formimit të fiseve shqiptare lidhet me shpërnguljet e detyruara që u bënë në tri periudha, në atë të pushtimit romak e turk. Zanafilla e fiseve të sotme i përket shpërnguljes së tretë. Kjo hipotezë si dhe hamendja e ardhjes së ndonjë fisi nga Bosnja, nuk gjen mbështetje në dokumente. Nga paqartësitë e kohës, kur mungonin studimet e mirëfillta, shpesh i ngatërronin emërtimet Bajrak e Fis me njëri-tjetrin. Kështu, autorja e këtij studimi Mery Edith Durham shkruan se Shala përbëhej nga katër bajrakë (Theth, Pecaj, Lotaj e Lekaj), kur duhej thënë katër vllazëni. As bajrakët: Drish, Shllak, Sumë, etj., nuk qenë fise.
Studimet rreth fiseve malësore, shqiptare e malazeze, marrëdhënieve të tyre historike e fqinjësore, kanë rëndësi të madhe për etnogjenezën e popullit të malazez, e përbërë nga komponentët e ndryshme etnike, tash më të sllavizuara. Shembullin më të qartë e japin fiset e Bërdës, në mes të cilëve Vasoviq, Pipër, Palabardh, Pjeshivc, Pipëri e Vasoviqi deri në shekulli XVIII flisnin shqip dhe ishin katolik. Në Vasoviq “Nga disa portrete të vjetra mësova se deri në brezin e fundit gratë kanë përdorur veshjen e zbukurimet e shqiptareve të Malësisë së Madhe. Shumë prej burrave mbanin ende veshje shqiptare”, ka shkruar studiuesja Durham.
Duke u nisur nga të dhënat e grumbulluara gjatë gjurmimeve në terren, autorja e studimit në fjalë, zonja Durham, gjykon se ka të ngjarë që Lekë Dukagjini të drejtën popullore e ka modifikuar dhe e ka zbatuar, prandaj morri emrin e tij “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Shprehjen kështu e ka thënë Leka “I bënte njerëzit të bindeshin më tepër sesa Dhjetë Porositë dhe predikimet e hoxhëve dhe priftërinjve, shpesh nuk kishin asnjë vlerë po të binin në kundërshtim me ato të Lekës”.
Studiueses Durham i kanë rënë në sy veçori krahinore në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Në Malësi të Madhe Kanuni ishte modifikuar shumë, kurse në Dukagjin, ruhej në formë primitive. Ndonëse Qeveria turke e kishte përmirësuar sado pak, ai kudo ishte i lidhur me “fisin” (bajrakun), që ushtronte juridiksionin e vet brenda kufijve të tij. Përputhjet në mes të disa rregullave e zakoneve malazeze me norma të Kanunit të Lekë Dukagjinit nuk e befasojnë autoren e studimit Mery Edith Durham. Ajo ka shkruar se shumica e fiseve malazeze “janë me prejardhje vllahe shqiptare dhe se malaziasi nuk është aq shumë serb sesa një pasardhës i serbizuar i banorëve të vjetër”. Në Mal të Zi, e drejta popullore nuk zbatohej më në fillim të shekullit të XX. Për të gjetur përqasje me Kanunin e Lekë Dukagjinit, studiuesja i hedhë një vështrim Kodit të Vlladikës Petar I (1796) kodit të Danillit (1855), ligje që zbatoheshin në shtetin malazias. Kurse “Zakoniku” i Stefan Dushanit, i përpiluar me 1349, që i përkiste Serbisë Mesjetare, të feudalizuar dhe të ndarë në fisnikë, robër e skllevër, ndryshonte rrënjësisht me Kanunin e Lekë Dukagjinit. Ky gjykim i jep fund diskutimeve nëse Kanuni i Lekë Dukagjinit, ka ose s’ka të bëjë me Kodin e Dushanit.
Autorja e studimit, Edith Durham, lashtësinë e popullit shqiptar e qëmton tek doket, besimet, besëtytnitë e simbolet, disa nga të cilat i analizon në momente të ndryshme gjatë ceremonive e riteve në lindje, martesa e vdekje. Ajo me ngulm përdorë fjalët “e shitur”, “e blerë”, për vajzën malësore të fejuar, mendim mjaft i diskutuar nga etnologët. Përshkrimin më të gjallë, studiuesja Durham i bëri dasmës qytetare katolike në Shkodër, që menjëherë të kujton tablonë e Nikollë Idromenos “Dasma shkodrane”, ku është fiksuar momenti i përcjelljes së vajzës – nuse, nga shtëpia atërore (e prindërve), për tek ajo e dhëndrit.
Studimi dhe analiza i mjaft dukurive në jetën e përditshme të malësorit të fillimit të shekullit XX, si besëtytni e simbole të vjetra (hëna, dielli, kryqi, gjarpri, etj.) të qëndisura apo të gdhendura, por tashmë të shndërruara në motive zbukurimi, tregon se ende besimet fetare monoteiste në viset malore shqiptare, ishin të lidhura me të kaluarën e tyre pagane. Tatuazhi që praktikohej tek katolikët dhe myslimanët, njihej edhe në kohën para romake e para sllave. Studiuesja Durham, zbuloi se disa motive tatuazhi ishin të njëjta me ato të gdhendura në gurë varresh, në kryqe bronze e hekuri si simbol i diellit.
Vepra monografike “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve” e autores Mery Edith Durham, është kryesisht përfitim i lëndës që ajo vet mblodhi në terren në viset fisnore të Malit të Zi, e sidomos në ekspeditën e vitit 1908, gjatë 8 muajve në Shqipëri të Veriut (Kastrat, Shkrel, Grudë, Selcë, Vukël, Bogë, Reç, Xhajë, Plan, Theth, Vuthaj, Shalë e Poshtme, Shosh, Sumë, Dushman, Berishë, Nikaj, Shkodër, Pukë, Has, Gjakovë, Prizren, Prishtinë, Mitrovicë, Lumë, Mirditë, Milot e Lezhë), e botuar në veprën “Shqipëria e Epërme” (High Albania, London, 1909). Duket se për këtë arsye në bibliografinë kryesore nuk shënohen vepra të autorëve më të njohur si: Han, Ekar, Koci, Gjeçov, etj. Me këtë autorja Durham u shprehte mirënjohje dijetarëve F. Nopça, E. Koci, N. Ashta e L. Mjeda, me të cilët ishte konsultuar për ndonjë çështje.
Vepra monografike “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve” të autores angleze, studiueses së mirënjohur, Edith Durham, për studiuesin shqiptar, është një arkiv me lëndë burimore nga kultura tradicionale, pjesa dërrmuese e së cilës nuk gjendet më në terren.
Studiuesja dhe hulumtuesja e mirënjohur Mery Edith Durham, dallohet në mesin e albanologëve bashkëkohës për objektivitet, që gjurmimet i shtriu në një hapësirë më të gjerë se të tjerët. Për mungesë paragjykimesh të karakterit etnik, politik, fetar e shoqëror. Ajo deri në fund të jetës vërtetë mbeti dashamirëse dhe mike e popullit shqiptar, vlerësuese e traditave të tija të lashta ndër shekuj.
Studiuesja M. E. Durham, nuk hezitoi për të falënderuar baronin Franc Nopça, për ndihmën e madhe që ia dha, njohuritë e të cilit për Shqipërinë Veriore janë të pa shoqe. Ajo po ashtu u është mirënjohëse edhe një numri të madh miqsh nga Ballkani që e pranuan në gjirin e tyre familjar dhe ia mundësuan dhe e lejuan të vëzhgojë mënyrën e tyre të jetës. Midis tyre ajo kujton në mënyrë të veçantë shoqëruesin e saj të vjetër shqiptar, Mark Shantojen, pa aftësitë, bujarinë dhe kujdesin e të cilit, ajo s’do të kishte mundur t’i bëjë ato udhëtime të lodhshme nëpër male.

Të fundit

më të lexuarat