Shtylla e tretë

Jaho Kollari

„… o nëpër fushë t’mejdanit,
shkan e vjen dyrnjaja…“

Lufta për dije, betejat e njohjes së vetes, doket që ngulisin identitetin e një etnie…, janë sot më aktuale se asnjëherë më parë. E gjithë kjo mbase edhe nga arsyeja se më e vështirë është ruajtja sesa fitimi i frytit të betejës?!
E gjitha qëndron në këmbë po të ketë së paku tri pika mbështetëse (jo kot thuhej: „e treta, e vërteta“). Ne kishim shtyllën e parë; familjen, etninë…, sidomos nënën (kot s’i thonë: „Gjuha Amtare“), pastaj atë të dytën; gjedhe, shëmbëlltyra, pra, e udhëheqësit, prijësit, parisë… që në historinë e etnisë sonë (ndonëse vente çalë) nuk mungonte! Ajo që mungonte e që armiku nuk na e jepte ishte shkolla në gjuhën amtare, pra, shtylla e arsimimit. Këtë të fundit armiqtë/pushtuesit kurdoherë na e kanë gjymtuar (apo ndaluar me dekret) meqë ishte shtylla e vetme që të nxirrte përjashta vathës së etnisë për të të bërë kozmopolit çka do të thotë që, sa më shumë që e ke hulumtuar botën, aq më tepër njeh dhe çmon etninë tënde, pra, kombin dhe gjuhën. Sendërtimi i shtyllës së tretë qe mbështetësja më e rryer që i parapriu shpalljes së Pavarësisë.
Po t’i referohemi të kaluarës sonë dihet mirëfilli se Kongresi i Alfabetit Shqip në Manastir i ka paraprirë Shpalljes së Pavarësisë ndërkaq që këtyre dy ngjarjeve u ka paraprirë Lidhja e Prizrenit. Baballarët tanë mendjendritur, ndonëse në rrethana, të jesh apo të mos jesh, bukur i kanë kurdisur këto ngjarje jetike për rimëkëmbjen e kombit tonë; së pari identiteti dhe territori e më pastaj alfabeti për të hapur shkolla dhe organizuar arsimin. Ata që sadopak kanë kënduar histori e kanë të qartë se osmanët, sikundër edhe heleno-sllavët (këta të fundit sot më tepër se kurrë) gjithmonë kanë luftuar që të shfarosej shqipja meqë kjo u ndillte tmerr të mos bëhemi një shoqëri e organizuar mbarëkombëtare Në këtë ndërlidhje edhe shkollat shqipe në Ulqin dhe rrethinë kanë pasur një histori sa të gjatë aq edhe flijuese meqë, edhe sot (2024) kemi përballje të nduarnduarta për ta çuar tutje arsimimin e brezit të ri.
Në botën shqiptare zeja e mësuesit ishte një mision. E tillë duhet të jetë edhe sot, madje sot më tepër se kurrë, veçmas në trojet etnike nën administrime të nduarnduartë. Etja më e madhe për dije gjithmonë ka pasuar pas trazirave, pra, pas kohëve të vështira. Mësuesi atëbotë ishte për nxënësit një dritare e hapur për të kundruar botën. Ashtu ishte, kështu duhej qenë edhe sot por, për keqardhje, ka ardhur kohë ku fryjnë erëra tjera! Kot nuk thuhej se kohët e vështira sajojnë njerëz të fuqishëm ndërkaq që kohët e mira krijojnë njerëz të dobët. Pikërisht kjo duhet të na nxisë të zotohemi që t’i jepej shtat një breznie që dallon të vërtetën prej të „vërtetës“?! Arsimimi, pra, i brezit të ri të bëhej më i thukët në gjetjen e mënyrës që të zhduken lajmet e rreme, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat, veçmas dezinformatat dhe teoritë konspirative. Kjo nga arsyeja se bota është bërë sa një grusht ndërkaq që rinia gjendet nën breshninë e informatave ku sheshitja, shoshitja, pra, përshkimi nëpër shoshë (filtër) duhej bërë zotim i çdo mësimdhënësi. Në anën tjetër lufta duhej përqendruar edhe në suazën e kultivimit të fjalës shqipe sidomos në shkëmbimet nëpër rrjetat sociale. T’i bëhej asaj një qasje e duhur, të shkruhej në mënyrë të kulturuar, të pastër dhe të drejtë në mënyrë që të mos vejë në margjinë e të anashkalohej nga gjuhët e huaja, sidomos anglishtes (për shkak të modernizmit). Në këtë mënyrë mund të ruhet gjuha jonë, një nga reliktet më të çmuar të kulturës botërore (këtë e kanë thënë dhe e thonë shumë gjuhëtarë të huaj ndërkaq që ne këtë duhet ta çojmë më tej për ta ruajtur shpirtin e saj të pastër).
Çdo mësues shqiptar, veçmas në territoret etnike, ishte një hero më vete. E gjitha nga thelbi i çështjes se lufta më e rreptë bëhej përmes dijes veçmas në shtigje të gjatë. Fati ynë në fatkeqësi ishte se shumica dërmuese e territoreve etnike ishin nën administrimin e sllavëve të jugut që njihej si një krijesë shumëkombëshe. Edhe neve (ndonëse me të drejta të cunguara, si qytetarë të rendit të dytë, pra, „kombësi“) na u dha rasti të përftojmë duke ndjekur mësimin në Gjuhën Amtare. E gjitha, natyrisht, me sakrificë e vetëmohim.
Duhej cekur se kjo monografi është vepra e tretë e këtij lloji në trekëndëshin Ulqin-Ana e Malit-Krajë. Kjo duhej përshëndetur dhe autorët duhen përgëzuar duke u bërë mirënjohje për këtë punë të shkëlqyer meqë të tri këto monografi s’janë veçse vepra kapitale të historisë dhe kulturës sonë me theks në Gjuhën Shqipe.
Për veprën në fjalë një lëvdatë e madhe shkon në adresë të autorëve Ulqinaku e Karamanaga për zotimin e tyre të parezervë që gjetën fuqi (ndonëse në një moshë të thyer) për të shpalosur këtë histori mësuesie të këtyre trojeve legjendarë. Aferim!
Përpiluesi i këtyre rreshtave është fryt i shkollës shqipe në Ulqin gjatë Luftës së II-të Botërore, i cili mori mësime nga i ndjeri Faik Hasanaga (ndjekës i asaj shkolle) sidomos mbi formulimin e fjalive dhe periudhave, sikundër vendosjes së fjalës aty ku e ka vendin!
Një homazh për këtë personalitet pothuajse të panjohur që zotëronte gjuhën dhe shkrimin shqip gati në përkryeni. Lavdi!

Të fundit

më të lexuarat