Shqiptarët po përpiqen t’i rigjejnë rrënjët dhe identitetin e vërtetë

“Unë kam dashur, në radhë të parë, që të shkundë njëherë pluhurin e harresës. Dhe më vjen mirë që kam nisur ta ndiej që ne po përpiqemi t’i rigjejmë rrënjët. Kemi dëshirë ta rigjejmë identitetin. Kaluam ato vështirësitë e para dhe tani duam të nxjerrim në sipërfaqe të vërtetat e kombit tonë”, është shprehur ai

Ulqin – Gazetari i njohur Marin Mema, autor i emisionit “Gjurmë shqiptare” në Televizionin Top Channel, ka qenë i ftuar të hënën mbrëma (16 dhjetor 2024) në kuadër të ciklit “Oda e së vërtetës”, të organizuar nga Qendra e Kulturës – Ulqin.
Në bashkëbisedim me udhëheqësin e takimit Gazmend Çitaku, ai ka folur për çështje të ndryshme që lidhen me jetën e tij, gazetarinë, shqiptarët dhe të kaluarën e tyre, emisionin “Gjurmë shqiptare” dhe ndikimin e tij shoqëror etj.

Gazetaria si mision i së vërtetës
Marin Mema ka treguar se zgjedhja e gazetarisë si profesion është diçka e natyrshme dhe lidhet me familjen, pasi që nëna e tij ka punuar gazetare para viteve ’90 në gazetën “Drita” të kohës, kurse pas viteve ’90 korrespondente për Shqipërinë e agjencisë franceze të lajmeve AFP.
Ai ka thënë se si djalë i vetëm që ishte, nëna e merrte kudo me vete, edhe në shtypshkronjë, ku faqosja e gazetës bëhej nga gurët prej plumbi.
“Loja ime asokohe ishin vetëm ato gurë. Dhe unë them shpeshherë me humor, më hyri ai ‘helmi’ i gazetarisë dhe kam qenë i lidhur gjithmonë”, është shprehur gazetari.
Për të gazetaria është “misioni i së vërtetës, misioni i të thënit të gjërave drejtpërdrejt, të thënit të gjërave në tërësi, të vajturit pak më tej”.
Ai ka thënë se i vjen keq që “gazetaria mbase ka devijuar nga ajo që duhet të jetë, por është fakt që për mua do të mbetet gjithmonë mision, mision për t’i shkuar deri në fund të vërtetës, për t’i thënë gjërat pastër dhe qartë”, ndonëse e vërteta nuk i pëlqen gjithkujt.

Të vërtetat e shqiptarëve janë fshehur
Sipas gazetarit Marin Mema, kur flitet për të kaluarën dhe temat historike, të gjithë biem dakort se të vërtetat e shqiptarëve janë fshehur dhe temat politike dhe gjeopolitike që lidhen me shqiptarët trajtohen në mënyrë të mangët.
Ai nuk pajtohet me faktin që për këtë duhet të fajësojmë dhe akuzojmë të huajt, por është i prirur që problemin duhet ta kërkojmë te vetvetja (shqiptarët).
“Të huajt bëjnë politikën e tyre, ecin në gjurmët e tyre dhe përpiqen të bëjnë atë historinë që ata mendojnë dhe që u levërdis atyre. Po ne, a bëjmë mjaftueshëm për pjesën tonë? Kam përshtypjen që ne nuk bëjmë sa duhet. Ne vetë nuk hulumtojmë, nuk kërkojmë, nuk nxjerrim në dritë mjaftueshëm të vërtetat për kombin tonë”, ka deklaruar Mema.
Ai ka thënë se ka edhe një problem tjetër te shqiptarët kur bëhet fjalë për të kaluarën e tyre.
“Ne vetëkënaqemi me historinë tonë. Nuk duhet të mjaftohemi të vetëkënaqemi me historinë tonë. Thelbi është që ne ta rrëfejmë historinë tonë, ne të hapemi përballë botës me historinë tonë, gjë që nuk e bëjmë mjaftueshëm”, ka theksuar gazetari.

Mediatizimi i historisë në “Gjurmë shqiptare”
Mema ka thënë se në emisionet e tij “Gjurmë shqiptare” përpiqet ta tregojë historinë në mënyrë të thjeshtëzuar me qëllim që ta kuptojë publiku i gjerë.
“Unë nuk jam historian, nuk kam pretenduar kurrë të jem historian, por ndoshta kjo më ka ndihmuar më shumë, sepse gjatë gjithë kohës kam thënë: unë e sjell një histori të caktuar si gazetar. Pra, e sjell pak më të thjeshtë për publikun e gjerë”, është shprehur ai, duke shtuar se këtë gjë është përpjekur që t’ua thotë historianëve gjatë komunikimit me ta.
Në mesin e temave të ndryshme që ka trajtuar në emisionet e tij, ai ka veçuar ato të asimilimit që tek ai kanë lënë vragë dhe kanë krijuar dhembje.
“Sigurisht, më ka lënë përshtypje për dhimbjen që më ka sjellë, situata në Plavë e Guci, se nuk besoj që ka shqiptarë që nuk ia jep atë dhimbjen situata në Plavë e Guci. Sigurisht që më ka lënë përshtypje situata në Tivar, ku ti gjeje shqiptar që të fliste shqip, por të thoshte gjithçka përveçse të qenit shqiptar. Më ka lënë përshtypje situata në Rozhajë. Ka shumë tema të tilla që kanë lënë vraga tek unë dhe kanë shërbyer si eksperiencë”, është shprehur ai.
Mema ka shprehur kënaqësi që trajtimi i temës së asimilimit në emisionet e tij ka ndikuar në një lloj zgjimi. Si shembull ai ka përmendur Sanxhakun e Pazarit të Ri, ku vërehet një lloj pranimi i identitetit shqiptar te një pjesë e banorëve të kësaj treve.
Ai ka thënë se përmes emisioneve të tij ka dashur, në radhë të parë, të shkundë njëherë pluhurin e harresës.
“Dhe më vjen mirë që kam nisur ta ndiej që ne po përpiqemi t’i rigjejmë rrënjët. Kemi dëshirë ta rigjejmë identitetin. Kaluam ato vështirësitë e para dhe tani duam të nxjerrim në sipërfaqe të vërtetat e kombit tonë”, ka thënë gazetari.

Patriotizmi, i lidhur me fuqinë e shtetit
Çështjen e patriotizmit të shqiptarëve, Mema e sheh të lidhur ngushtë me shtetin.
“Problemi është shteti, i cili duhet të bëjë funksionin e tij. Shqipëria, për fat të mirë dhe të keq në të njëjtën kohë, ka mjaftueshëm pasuri natyrore, por të gjitha këto pasuri natyrore që Zoti ia ka dhënë mjaftueshëm, nuk i shfrytëzon siç duhet për të forcuar ekonominë. Dhe e ke vështirë shpeshherë që t’i thuash një njeriu që ka probleme shumë të mëdha ekonomike, që të jetë edhe patriot. Pra, ti duhet ta mbështesësh atë njeri, t’i japësh mundësinë atij njeriu, t’i japësh edhe shtytjen e nevojshme që ai të jetë edhe patriot”, ka thënë ai.
Gazetari ka thënë se në momentin që nuk ndërton një shtet të fortë, shumë dukuri negative, përfshirë edhe mungesën e patriotizmit, janë të pritshme.
“Do të thotë, të ndërtosh një shtet të fortë, një ekonomi të fortë, një zhvillim të qëndrueshëm që jo vetëm të mos kesh probleme brenda kufijve të tu, por të kesh mundësi të mbështesësh shqiptarët jashtë”, ka thënë ai, duke përmendur raste të keqpërdorimit për efekt reklame të ndihmës së shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë.

Libri që pret të shohë dritën e botimit
Në përgjigje të interesimit të publikut, gazetari Marin Mema ka treguar se është duke punuar për botimin e një libri në fokus të të cilit janë temat që ka trajtuar në emisionin “Gjurmë shqiptare”.
“Të ulesh të bësh një libër të tillë, kërkon punë shumë serioze, vëmendje shumë të madhe, do të gjesh dhe kohën. Dhe unë me kohën po kam vërtet probleme shumë të mëdha, ka disa vite. Por është fakt që kam nisur të punoj. U bënë disa vite që hedh të paktën një pjesë të mirë të temave që unë i shikoj me më shumë interes. Dhe shpresoj që së shpejti të sjell një libër të parë, të përmbledhë një pjesë të emisioneve, përfshirë edhe elemente që nuk kanë qenë pjesë e emisioneve”, ka thënë ai.
Gazetari ka theksuar se librin e konsideron si një gjë shumë serioze, prandaj nuk don të bëjë si disa kolegë të tij gazetarë, të cilët kopjojnë atë që kanë thënë në një emision dhe e hedhin në libër.
“Është tjetër gjë libri. Libri kërkon tjetër seriozitet. Do shkruar, por mbi të gjitha do sjell elemente të reja gjithashtu”, ka thënë Mema, duke shtuar se shpreson që libri do të shohë dritën e botimit deri në fund të vitit të ardhshëm.

i.k.

Të fundit

më të lexuarat