Ky takim mes tjerash i shërben integrimit kulturor të shqiptarëve në Malin e Zi. Ju bëj thirrje krijuesve nga Malësia të vijnë në Ulqin për të paraqitur krijimtarinë e tyre sepse “Art Club”-i është i hapur për çfarëdolloj bashkëpunimi në të mirë të artit, kulturës dhe shkencës shqiptare në përgjithësi”, u shpreh Kallaba
Tuz- Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”- Ulqin, në bashkëpunim me QKI “Malësia” në Tuz, kanë organizuar mbrëmje autoriale me shkrimtarin, gazetarin dhe publicistin, mr. Haxhi Shabani dhe përurimin e dy librave të tij, “Shqiptarët në Malin e Zi, çështje e pazgjidhur” dhe “Vizatim hënor me shkëlqim yjesh”.
Në këtë mbrëmje kulturore morën pjesë shkrimtarë dhe studiues nga Ulqini dhe Malësia, ambasadori i Kosovës në Malin e Zi, Z. Skender Durmishi, zv/ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, përfaqësues të jetës kulturore, arsimore dhe politike nga Malësia dhe nga Ulqini.
Në emër të SHAI “Art Club”, si organizator i këtij takimi, ka përshëndetur kryetari i saj Z. Ismet Kallaba, i cili duke falënderuar të gjithë të pranishmit, ka shpalosur një historik të shkurtër të “Art Club”-it si shoqata më e vjetër e shoqërisë civile në Mal të Zi, duke treguar për sukseset e shoqatës në fushën e shkencës dhe kulturës nga themelimi deri më sot. Kallaba tha se si shoqatë elitare kulturore në Mal të Zi janë të prirë të shprehin ankesën ndaj mungesës së bashkëpunimit kulturor me Shqipërinë, Kosovën, etj, me theks të veçantë, në mungesën e bashkëpunimit ndërmjet vetë shqiptarëve në Malin e Zi.
“Ne shumë rrallë vijmë në Malësi për ndonjë aktivitet kulturor e po ashtu edhe dashamirës të kulturës nga Malësia vijnë rrallë në Ulqin për të përcjellur aktivitetet kulturore. Ky takim mes tjerash i shërben integrimit kulturor të shqiptarëve në Malin e Zi. Ju bëj thirrje krijuesve nga Malësia të vijnë në Ulqin për të paraqitur krijimtarinë e tyre, sepse “Art Club”-i është i hapur për çfarëdolloj bashkëpunimi në të mirë të artit, kulturës dhe shkencës shqiptare në përgjithësi”, u shpreh Kallaba.
Ndërkohë, Kallaba ka paraqitur disa refleksione për librin “Shqiptarët në Malin e Zi, çështje e pazgjidhur” të autorit Haxhi Shabani, duke thënë se libri që në titull na lë të nënkuptojmë shqetësimin e autorit për fatin e shqiptarëve të këtushëm dhe rrezikun që u kanoset atyre si pasojë e rrethanave historike, politike e shoqërore të kohës së shkuar dhe fenomeneve negative të kohës së sotme.
“Libri është përmbledhje e artikujve analitikë të botuara në media të ndryshme kryesisht në revistën prestigjioze “Albanica” nga viti 1995 deri në 2010-tën, një periudhë kohore me shumë zhvillime për ne shqiptarët në Mal të Zi dhe shqiptarët në përgjithësi. Në këto përmbledhje autori trajton fenomene të ndryshme identitare të shqiptarëve në Malin e Zi, si pozitën e tyre politiko- shoqërore, gjuhën shqipe, kulturën, emigrimin, mediat shqipe, etj. Duke pasqyruar situatën në fusha të ndryshme, autori bën një skaner të gjendjes së shqiptarëve dhe na jep një tablo të përgjithshme të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi”, theksoi në mes tjerash Kallaba.
Këtë mbrëmje autoriale e moderoi studiuesja, Liridona Sinishtaj e cila pyeti autorin rreth veprimtarisë së tij të gjerë si gazetar, publicist e shkrimtar, për sfidat që ka hasur, por dhe për problemet e shumta që hasin sot shkrimtarët në Mal të Zi, për gjendjen politike në vend dhe për shumë çështje të rëndësishme që edhe sot janë shqetësuese dhe brengosëse, të cilat për fat të keq po rrezikojnë dita- ditës qenien shqiptare në këtë vend.
Shabani duke paraqitur një vështrim të përgjithshëm të situatës së shqiptarëve në Malin e Zi nga e kaluara në kohën e sotme, tha se sot situata është vështirësuar, duke qenë se sipas tij, shqiptarët si në Ulqin, në Malësi dhe në treva të tjera po përjetojnë atë që ai e quajti të pandalshme “shpërnguljen”. “Shqiptarët në Malin e Zi- shtoi ai- përfshirë edhe Malësinë, po defaktorizohen gjithnjë e më shumë”.
“Për këtë gjendje ne shpeshherë fajësojmë të tjerët, por mendoj se fajin kryesor e kemi ne shqiptarët. Ne nuk kemi arritur ende deri më sot që të hartojmë një platformë minimale për zgjidhjen e problemeve që janë jetike për shqiptarët në Malin e Zi”, tha ndër të tjera Shabani duke ju ka bërë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi që ta ruajnë identitetin e tyre.
“Ne shqiptarët jemi një ndër themeluesit e këtij shteti, këtë duhet ta dëgjojë edhe Podgorica zyrtare e po ashtu duhet ta dëgjojë me vëmendje edhe Tirana zyrtare edhe Prishtina zyrtare, sepse këtu janë rrënjët e shqipes së shkruar. Ulqini, Tuzi, Plava dhe Gucia i kanë dhënë shumë historisë shqiptare, i kanë dhënë shqipes së shkruar. Ngado që ta sjellësh, shqipja e shkruar i ka elementët në trekëndëshin, Ulqin- Tivar- Shkodër”, tha Shabani.
Ndërkaq, i pyetur për situatën politike ndër shqiptarët në Mal të Zi, shkrimtari, gazetari dhe publicisti Haxhi Shabani tha se politika shqiptare në vend nuk e ka bërë punën që i takon. Sot shqiptarët në Mal të Zi- shtoi Shabani- kanë humbur besimin ndaj përfaqësuesve politikë në ndryshimin pozitiv të gjerave.
“Politika do të duhej të kuptohej si një shërbim publik dhe përderisa shqiptarët në Malin e Zi, struktura qeverisëse për aq sa është nuk do ta kuptojnë politikën si një shërbim publik në shërbim të interesave të popullatës së vendeve, besoj se ne do të kemi probleme edhe më të mëdha”, theksoi Shabani.
Në të njëjtën kohë, Shabani duke ju referuar peshës së ngjarjeve historike në Malësi, ka thënë se ngjarjet e kësaj treve i kanë paraprirë disa ngjarjeve që kanë qenë të rëndësishme në tërë nivelin kombëtar, fakt për të cilin sipas Shabanit, Malësia duhet të jenë krenare.
Një vështrim mbi veprën “Vizatim hënor me shkëlqim yjesh” e ka shpalosur Dimitrov Popoviq, si përfaqësues i Entit të Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore në Podgoricë, të cilët e botuan këtë vepër , kurse libri “Shqiptarët në Malin e Zi, çështje e pazgjidhur” është botuar nga SHAI “Art Club”. Popoviq vështrimin e tij e titulloi “Ndoshta thashë pak, të tjerat janë aty” duke thënë mes tjerash se Shabani me poezitë e tij është bërë një penë e dashur dhe e pranueshme për sferat letrare të krijimtarisë në shqip.
Në fund të kësaj mbrëmje autoriale kulturore, autori ka lexuar dhe dy poezi nga libri i tij “Vizatim hënor me shkëlqim yjesh”.
Kjo është hera e parë që në Malësi mr. Haxhi Shabani promovon veprat e tij letrare. t. u.