Tuz – Koncertin me këngë dhe valle “Ahengu shkodran” e solli në skenën e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” më 19 shkurt 2025, orkestra e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” dhe Ansambli “Karajfilat që ka Shkodra”, ky i fundit me një traditë mbi dyzetvjeçare në ruajtjen, kultivimin dhe transmetimin e vlerave të mirëfillta të këtij qyteti.
Artistët e këtyre institucioneve kulturore sollën një atmosferë të këndshme dhe të veçantë të këngës qytetare shkodrane, këngë lirike dedikuar dashurisë, por edhe këngë epike kushtuar trimave dhe ngjarjeve historike që kanë lënë gjurmë në memorien historike të popullit shqiptar.
Këngëtarët pjesëmarrës në koncert, mes të cilëve emra të mëdhenj të muzikës shkodrane, dhe grupet e vallëzimit, kënduan dhe vallëzuan për afro dy orë këngë nga repertori i tyre i pasur, shoqëruar nga një orkestër e kompletuar dhe profesioniste. Ata përmes vargjeve të këngës dhe koreografive të shumë valleve të njohura, shpalosën një histori qindravjeçare të traditave, dokeve, zakoneve dhe vlerave të mirëfillta kulturore dhe artistike.
Udhëheqësi artistik i këtij koncerti, Bardhyl Hysa, në prononcimin për mediat e pranishme u shpreh se Shkodra dhe Tuzi janë afër si distancë, por edhe për nga kultura. Ai tha se në këtë buqetë këngësh që sollën përpara publikut në Malësi, bëjnë pjesë këngët më të vjetra shkodrane, të interpretuara nga këngëtarë të mirënjohur, por edhe nga këngëtarë të rinj.
“Ishte ‘Ahengu shkodran’, që ne e mbajmë çdo vit në Shkodër dhe kishim fatin që ta sillnim atë në këtë skenë dhe në këtë ambient të ngrohtë në Tuz”, u shpreh Hysa.
I pyetur se sa kanë rëndësi ruajtja, kultivimi dhe transmetimi i vlerave të mirëfillta të muzikës popullore, e në veçanti të asaj shkodrane te brezat e rinj, Hysa tha se është detyrë e tyre dhe e institucionit që përfaqësojnë që ta ruajnë këtë trashëgimi, e cila është njëra ndër shtatë kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore e që është e mbrojtur me ligj.
“Ne e kemi për detyrë ta transmetojnë atë”, tha ai.
Hysa më tutje tha se janë afro katërqind këngë që tashmë njihen në Shkodër dhe në mbarë shqiptarinë, që janë të regjistruara e të cilat, siç tha ai, duhet t’ia përçojmë brezit të ri.
“Siç e shikuat edhe ju, ne përveç këngëtarëve të njohur, patëm edhe këngëtare të reja, të cilat e përcjellin këngën shkodrane”, u shpreh Hysa.
Ndërkohë, lidhur me bashkëpunimin kulturor midis Tuzit dhe Shkodrës, Hysa u shpreh se ka nevojë që të bashkëpunohet më shumë dhe që ky rast të mos jetë bashkëpunimi i vetëm.
“Ne duhet që të bashkëpunojmë më shpesh, për të ruajtur traditat”, përfundoi Hysa.
Ndërkaq, njëri ndër përfaqësuesit më të vjetër të ansamblit “Karajfilat që ka Shkodra”, Ruzhdi Çeka, tha se ky ansambël është një formacion popullor i cili për herë të parë është paraqitur në skenë në vitin 1983, me këngën popullore qytetare shkodrane.
I pyetur nga mediat e pranishme për idenë e krijimit të këtij ansambli, ai u shpreh se ideja u jetësua në kohën dhe në momentin e duhur.
“Ky ansambël kishte dhe ka qëllimin e tij për të ruajtur traditën e këngës popullore qytetare shkodrane. Dhe jo vetëm për ta ruajtur, por edhe për ta transmetuar tek brezat e ardhshëm. Kënga shkodrane, në përgjithësi nga ajo kohë, ka pas tendencë të këndohet nëpër gëzimet familjare, që janë datëlindjet, fejesat, martesat, dhe nëse kënga qytetare shkodrane është kënduar në një dhomë, në një çardak apo në një oborr, formacioni ynë ‘Karajfilat që ka Shkodra’ e solli atë në skenë, duke e bërë më profesioniste dhe i këndoi ato më profesionalisht”, u shpreh Çeka.
“Në atë kohë, por edhe sot”, shprehet ai, “ky ansambël ia ka arritur qëllimit të tij, pasi në Shkodër ose në Shqipëri ka pasur solistë gjigantë që janë shkodranë, të cilët sot nuk jetojnë më, por të cilët kanë pasur kërkesa që të këndojnë me ‘Karajfilat që ka Shkodra’ e që është kurora e këtij qyteti”.
Ai tha se kjo është kënga e popullit dhe si të tillë duhet ta mbështesim dhe ta masivizojmë më shumë.
t. u.