Podgoricë – Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM) së bashku me Shoqatën e Artistëve Figurativë “Perla Blu”- Ulqin, organizoi të enjten (07 nëntor 2024) në Galerinë e Pavijonit të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi në Podgoricë ekspozitën kolektive “Pjesë e mediteranit” të dhjetë piktorëve nga Ulqini, Vahida Nimanbegu, Edin Kapllani, Mersiha Resulbegoviq- Mavriq, Jozo Kocoviq, Brigita Antoni, Jetmira Hoxha, Bilal Nikeziq, Emina Nimanbegu dhe Allmi Sukaj, në të cilën u shpalosën dyzetë vepra artistike të punuara në forma dhe teknika të ndryshme.
Në prani të artdashësve nga Ulqini, Podgorica dhe Tuzi, të kryetarit të Komunës se Ulqinit Genci Nimanbegut dhe të figurave të tjera të jetës publike, duke e shpallur të hapur ekspozitën në fjalë, drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, Gëzim Hajdinaga u shpreh se, piktorët përmes kreativitetit të tyre artistik përcjellin një pjesë të shpirtit të mediteranit, edhe këtu në Podgoricë.
”Ekspozita e sotshme me dyzetë piktura, flet në vetvete që këtu realisht përcillet shpirti i një qyteti i cili gjithmonë ka bart dëshirën për komunikim. Një qytet pa komplekse, një qytet që dëshiron të jetojë me të tjerët” u shpreh ndër të tjera Hajdinaga.
Ai më tej ka thënë se qyteti i Ulqinit i jep një pasuri të madhe kulturës dhe shtetit të Malit të Zi.
Z. Hajdinaga, duke treguar mbi organizimin e të njëjtës ekspozitë një natë më herët në Plevla, (6 nëntor 2024), theksoi se kjo tregon se kultura është vlerë universale.
“Dua t’ju them se Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi do të vazhdojë edhe më tutje të mbështesë të gjithë njerëzit punëtorë që janë pjesë e kësaj trashëgimie gjithëpërfshirëse kulturore. Ai që merret me kulturën, eliminon muret. Ai që merret me kulturën, dëshiron të njohë njëri- tjetrin” theksoi mes tjerash Hajdinaga.
Ekspozita në fjalë qëndroi e hapur deri më 14 nëntor 2024.
t. u.