Shkujka – glosë e shqipes

Hajro Ulqinaku

Në të folmen e Ulqinit, si leksiku i detarisë, barkëtarisë, ashtu edhe ai i peshkatarisë është i pasur. Duhet pranuar se është edhe i ngopur me barbarizma, por ka edhe një mori fjalësh që janë glosa, fjalë të rralla, të harruara, ose në harrim.
Ka edhe fjalë të atilla që kuptim kanë vetëm me shpjegimin e shqipes.
Vëmendjen na e tërheq fjala SHKUJKË, glosë e sferës së peshkatarisë.
Ta shtjellojmë.
SHKUJK/Ë, |- A, – AT, gjinia gramatikore – femërore, ndërsa logjike – mashkullore.
Në GLOSAR-in, botim i parë, Instituti Albanologjik i Prishtinës, viti 2003, në faqen 118, e kam dhënë këtë shpjegim:
SHKUJK/Ë, -A f. peshkatar që shikon, e vëzhgon peshkun; peshkatar vëzhgues i cili, kur e sheh masën e peshkut, nga larg i lajmëron shokët, peshkatarët me shenja, duke hedhur në ajër pallton, kapelën, se e ka parë peshkun dhe se duhet ta rrethojnë me fllugë, me tratkë.
Këtë botim (edhe të Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë/MZ) e përuruam në Shkodër, në Fakultetin Filologjik, të Universitetit ‘Luigj Gurakuqi’. Isha autor me shumë fat. Recensent të librit e kisha prof. dr. Shefkije Islamajn (IAP), ndërsa të përurimit, prof. dr. David Lukën, leksikolog me emër të madh. Në recensionin e tij, fjalën shkujk, e kishte komentuar kësisoj.
‘Vlerën dhe rëndësinë e GLOSARIT të z. Hajro Ulqinaku, do të përpiqem ta jap nëpërmjet tre shembujsh, të cilët nuk kanë nevojë për koment.

  1. Në vitin 1927, G. Waigandi e botoi artikullin me titull “A janë shqiptarët pasardhësit e ilirëve apo trakasve?”. Për të vërtetuar tezën e vet, ai shtroi 12 argumente. Në njërin prej tyre shkruante: “Terminologjia e lundrimit dhe e peshkimit në gjuhën shqipe është e burimit të huaj. Dihet se ilirët kanë qenë detarë me një gjuhë me një terminologji të pasur të detarisë e të peshkimit. Kjo duhet të ishte ruajtur në shqipen së paku pjesërisht, në qoftë se shqiptarët do të ishin stërnipër të ilirëve e të kishin banuar gjithmonë në Iliri. Përkundrazi, gjithë emrat e lundrimit, të peshqve e të veglave të peshkimit janë të huaja, greqisht, venecianisht, sllavisht ose turqisht; ato janë përgjithësisht krejt të reja. Pra shqiptarët janë të ardhur nga hinterlandi në anët e bregdetit”1).
    Po ta kishte pasur në dorë në atë kohë E. Çabej librin e z. Ulqinaku, do ta kishte shumë më lehtë t’i jepte përgjigje G. Waigandit.
    Po ta kishte pasur përkthyesi i “Iliadës” Fjalorin e z. Ulqinak, do të na jepte edhe më saktë në shqipe këtë vepër të madhe të antikitetit grek.
    Është me interes shpjegimi i emrit shkujkë.
  2. GLOSARI i z. Ulqinaku sjell një ndihmesë të vyer edhe për dialektologjinë historike e veçanërisht për kuptimet e reja të fjalëve, deri më tani të panjohura e të parreshtuara ndër fjalorë të shqipes.
    Për fjalën shkulkë të shqipes (me varantin shkujkë) E. Çabej ka njohur vetëm kuptimin “degë shelgu e qëruar që ngulet midis një livadhi si shenjë që vendi është i zënë e që nuk lejohet kullotja e bagëtisë; me të kositur livadhi, shkulka hiqet” (SGJ I, f. 143).
    Edhe në Fjalorin e gjuhës shqipe të vitit 1954 (f. 530) është dhënë vetëm ky kuptim.
    Mirëpo Fjalori i vitit 1980 (f. 1875) sjell edhe dy kuptime të reja: “Dru bigë i ngulur në tokë, mbi të cilin peshkatarët ndejnë mjetet për t’u terur… 3. Vala e ujit (kur valon në një enë); shkulm”.
    Tani dy kuptime të reja, që sjell Fjalori 1980, na lejon të dyshojmë në prejardhjen latine të fjalës, qoftë ky depërtim i drejtpërdrejtë, apo nëpërmjet greqishtes së mesme apo të re, siç mendon E. Çabej (SGJ II, f. 174).
    Ne nuk e ndajmë dot përbrenda shqipes shkulkë, shkujkë me shkulm dhe i shohim këto në atë rreth fjalësh që kanë në qendër primitivin kul, kulem – “lëshon bark” (për murin), u kul muri (Fjalor 1980, f. 908), përkulem, përkulje etj., si dhe trajtat e tjera krahinore kular, kulaç, kulajkë, kulim, kularëza etj.3)
    Mirëpo, kuptimi i ri që sjell tani GLOSARI për fjalën shkujk/ë, -a – “peshkatar i cili e shikon, e vëzhgon peshkun, peshkatar vëzhgues…”, na detyron që ta rivështrojmë edhe një herë etimologjinë e kësaj fjale.’
    (Citate nxjerrë nga recensioni i Profesorit leksikolog).
    Emrin shkujkë, për herë të parë e kam dëgjuar nga, ‘mohikani i fundit’, i peshkaxhive legjendarë, Cafo Sela – Ishmaku (1922-2003).
    Në bisedën e parë me të, më ka treguar:
  • Pra kemi peshkuar 10 vetë. Gjashtë kanë qëndruar në fllugë, e të tjerët në tokë. Ata kanë shikuar kah kalon peshku. Ata thirren shkujka.
    Shkujka kanë qenë: Ramazan Ushaku, Rexhep Himçja, Hamdi Dema, Niko Tërceta.
    Në fllugë komandon rremi i kiçit. Në fillim flluga ka qenë pa timue. Rremtarët janë ndërruar. Kur ka dhënë shkujka urdhër, rremi i kiçit ka voguar.
    Bahri Dema, (1938), bir i peshkatarit më të moçëm. Alushit, më ka treguar:
    Hamdija ka gjuejtë peshk deri sa ka vdekë, e ka vdekuëi ri, 45-vjeçar. Si Alushi, ashtu edhe Hamdija – kanë qenë shkujka.
    Fahri – Jusho Nimanbegu më tregonte çka bënte shkujka.
  • Shkujka shikonte masat e peshkut. Ai ka pa mirë, larg. E ka dalluar peshkun kur ka lëvizë. Kur e ka hetuar peshkun, që t’i bëjë me dije shokët në largësi, shkujka e ka hedhë fesin në hava, ose pallton. Ashtu u ka dhënë isharet (u ka sinjalizuar) të vijnë me fllugë dhe të nisë rrethimi i peshkut me tratkën e gjatë. Isht xanë shumë.
    Ruzhdi Alibegu (1935) një erudit i rrallë i Ulqinit, si i ri ka gjuajtur me peshkaxhitë e moçëm. Më ka shpjeguar:
  • Mënyra si është gjuajtur. Dy vetë prej grupit, ata më me përvojë, kanë dalë në tokë. Ata janë quajtur shkujka. Kanë shikuar detin, kanë shikuar kur kalon masa e peshkut dhe e kanë caktuar vendin se ku ka me u hedhë tratka.
    Çdo fllugë (grup peshkatarësh) e ka pasur kapidanin e vet dhe (vetëm) ai ka dhanë urdhër; ai është quajtur kapidan. Kapidana kanë qenë: Hamdi Dema, Alush Dema, Emro Abazi, Sylë (Sylejman) Bushati, të gjithë peshkatarët më me përvojë. Ata nuk kanë pasur dallim në paj (paji).
    Shkujka ishte kapidan në fllugë, vetëm ai komandonte, urdhëronte gjonjë.
    S’është larg moti që kjo fjalë e veçantë shkujk/ë, -a do të harrohet, sepse: nuk ka më peshkim (të moçëm) me flluga e tratka. S’ka më peshkaxhi të moçëm. As flluga me rrema.
    Në vend të shkujkës, ka dalë radari, që nga sateliti lart në qiell, e xhiron fundin e detit me peshq e goca.
    Ka mbetur thënia proverbiale Synit t’Harapit (shkujka) s’ka mujt’ m’i ikë peshku.
    E rëndësishme është që – emri shkujkë, është glosë autoktone, ulqinake, e shqipes.
    Emrin shkujka, nga shqipja, e përdorin edhe peshkatarët lokalë, malazez.
    Informatorë:
    Cafo Sela – Ishmaku (1922 – ) peshkatar i moçëm.
    Ruzhdi Alibegu (1935 – ) arsimtar historisë-gjeografisë.
    Bahri Dema (1938 – ) peshkatar-detar.
    Literatura:
    Hajro Ulqinaku: Glosar (fjalor i detarisë i të folmes së Ulqinit): Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2003;
    Hajro Ulqinaku: Peshqit e detit tonë (glosar i iktiologjisë) , IAP, Prishtinë, 2024..
    Hajro Ulqinaku: Deti, detarët e Ulqinit, Asociacioni Ulqini, Ulqin, 2000.
    Hajro Ulqinaku: Detarë, peshkatarë, ulqinakë, Dulcignopress, Ulqin, 2002.
    Hajro Ulqinaku: GLOSAR, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2003.
    Hajro Ulqinaku: Zëri i detit, BKSH, Ulqin, 2017.
    Hajro Ulqinaku: Detaria, detarë, dokumente, RB,Ulqin, 2004.

Të fundit

më të lexuarat