
Poeti i madh gjerman Bertolt Brecht në vitin 1937 shkroi një poezi me titull “Në kohë të errëta”: Nuk do të thuhet: /Atëherë kur u përkul arra nga era, /Por do të thuhet: Atëherë kur Shkarravitësi (Hitleri) shtypi punëtorët /Nuk do thuhet: Atëherë kur fëmija me kuarcin e plantë bënte bretkosë /Por do të thuhet: Atëherë kur përgatiteshin luftëra të mëdha. /Nuk do të thuhet: Atëherë kur gruaja hyri në dhomë, /Por: Atëherë kur fuqitë e mëdha nënshkruan marrëveshjen kundër luftës. /Dhe nuk do të thuhet as se: Kohët ishin të errëta, /Por vetëm do të thuhet: Përse vallë heshtën poetët e tyre?
Përse kjo poezi e Brecht në hyrje të këtij shkrimi?
Sepse kohët e zeza në hapësirën ish-jugosllave, sidomos në Serbi erdhën direkt nga kokat e poetëve dhe shkrimtarëve, ku shkrimtarët nuk heshtën, por përkundrazi, thirrën me zë të lartë mesazhe urrejtjeje dhe ligësie në luftërat vëllavrasëse; poetët vargjet i paketuan në rima, prozatorët mobilizuan heronjtë e tyre dhe i përgatitën për në fushën e betejës dhe të gjithë së bashku krijuan një formacion “stilistik” paraushtarak. Siç thotë profesori amerikan i sllavistikës Endrju Vahtel (Andrew Wachtel) në esenë e tij “Shkrimtarët dhe nacionalizmi”: “Veprat letrare u bënë armë në arsenalin e nacionalizmit serb”. Armët e trillimit nacionalist shkatërrues u punuan nga shkrimtarë të ndryshëm si Dobrica Qosiq, Matija Beqkoviq, Gojko Gjogo, Brano Crnçeviq, Momo Kapor, Rajko Nogo, Milan Komneniq, Danko Popoviq, Millovan Vitezoviq e dhjetëra të tjerë, nga të cilët Sllobodan Millosheviqi mori si produkt të përfunduar artilerinë letrare dhe filloi t’i vërë zjarrin tërë rajonit. Mirëpo në tensionet në agimin e luftës kontribuuan edhe disa shkrimtarë, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Malit të Zi me orientim proserb.
Ajo që drejtpërdrejt më shtyu të bëj një shkrim të këtillë për bardin e letërsisë malazeze Jevrem Brkoviq, në radhë të parë, është një artikull i gazetarit slloven Ervin Hlladnik – Miharçiq në gazetën “Mladina”, nr. 36, më 3 shtator 1991, për pozicionimin e shkrimtarëve ndaj luftës vëllavrasëse në hapësirat e ish-Jugosllavisë, ku konkretisht thotë: “Brkoviqi, kur flet për imperializmin, nuk fillon me Malin e Zi, por gjithmonë thotë se viktimat e para ishin shqiptarët në Kosovë… Jevrem Brkoviq është i vetmi intelektual në zonat e kontrolluara nga Serbia që ngriti kokën dhe pa kompromis u rreshtua në anën e shqiptarëve”.
Kundërshtimet e veta të para të Brkoviqit lidhur me politikën antishqiptare, në radhët e SHSHMZ-së i manifestoi lidhur me një raport armiqësor ndaj Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës që u shfaq në një nga tekstet më të ashpra të botuara në gazetën “Pobjeda” në janar të vitit 1989, si përgjigje ndaj një telegrami të kryetarit të atëhershëm të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, në të cilin kërkesa malazeze për shuarjen e SHSHK-së trajtohej si e çmendur dhe segregative dhe më së paku që u shkonte shkrimtarëve. Në atë telegram Rugova theksoi se një kërkesë e tillë nuk e befasoi, sepse përputhej me kërkesat e njohura të disa qarqeve kulturore dhe politike më reaksionare të Beogradit kundër çdo gjëje shqiptare. Këtu përfshihen, shkruan Rugova, 27 shkrimtarë serbë, malazezë dhe myslimanë (në atë moment, sepse ishin rreth dyzet), të cilët madje janë të privilegjuar në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, me një qëllim: të krijojnë një akuzë tjetër kundër kolegëve të tyre, shkrimtarëve shqiptarë, nën etiketën dhe shprehjen e “pastërtisë etnike” dhe “ndarjes kombëtare” dhe të kënaqin akuzuesit e tyre nga Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, siç keni bërë ju me këtë rast. Por kjo nuk do të ndodhë. Shpresojmë që këtë nuk do ta lejojnë as shoqatat e tjera. Ju urojmë më shumë arsye dhe mençuri shkrimore në Vitin e Ri 1989, përfundon Rugova.
Një situatë e këtillë krijoi përplasje tek anëtarët e SHSHMZ-së dhe nxori në sipërfaqe problemet e akumuluara në kulturën malazeze, duke shtyrë politikën zyrtare të angazhohet për një dialog me krijuesit e kulturës. Takimi i parë i një sërë bisedimesh mbeti nën hijen e po një telegrami, kësaj radhe të shkrimtarit Jevrem Brkoviq, në të cilin vinte në dukje ndarjen e strukturës letrare malazeze në proserbë dhe promalazezë dhe kritikën për qëndrimin ndaj SHSHK-së, duke konstatuar se historia nuk do t’ua falë një gjë të tillë dhe se një qëndrim i këtillë është një mbetje e farsave të famshme staliniste, duke pyetur përse shkrimtarët më të njohur malazezë Branko Banjeviq, Sreten Peroviq, Jevrem Brkoviq, Husein Bashiq, Zuvdija Hoxhiq, Sreten Asanoviq, Mlladen Llompar, Millorad Popoviq, Shefket Krciq, Vojo Vullanoviq, Sreten Vujoviq, Lubo Janusheviq, Marko Veshoviq dhe të tjerët, nuk ishin të ftuar në bisedime?
Një reagim të këtillë u detyrua ta bënte edhe në Shoqatën e Shkrimtarëve të Jugosllavisë, kryetari i së cilës, siç thotë ai, fatkeqësisht ishte me prejardhje malazeze, duke u detyruar që të dalë në mbrojtje të shkrimtarëve shqiptarë – Hasan Mekulit, Din Mehmetit e të tjerë që atëherë ishin në kryesinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Jugosllavisë.
Mirëpo, Brkoviqi nuk iu nënshtrua histerisë nacionaliste, nuk mbylli sytë para tmerrit që sulmoi nga të gjitha anët. Shkroi me guxim për atë që pa, me dorën e një burri të nderuar dhe dëshmitari të besueshëm, duke iu kundërvënë së keqes dhe duke shpëtuar nderin e letërsisë. Përveç kontributit të tij të madh në kulturë, shqiptarët do ta kujtojnë angazhimin e tij të guximshëm kundër luftës në vitet 1990.
Ka shumë shkrimtarë pacifistë që pozicionohen kundër luftës, por Jevrem Brkoviqi është një shkrimtar i veçantë, madje i vetmi nga hapësira e ish-Jugosllavisë që pa kurrfarë ngurrimi dhe frike u pozicionua në anën e shqiptarëve të Kosovës, në kohën e dhunës dhe terrorit, në këtë hapësirë të veçantë, të frikshme për të mbajtur krahun e njërës apo tjetrës palë, që të dy fqinjë. Është lehtë sot të shkruash për Mariupolin, Palestinën apo Gazën që gjenden diku atje në largësi, por ishte vështirë atëherë të mbaje krahun e Kosovës kur shpatën e kishe mbi kokë, aty, në shtëpinë tënde, nga fqinji yt. Shkrimtari që eci nëpër fusha të minuara, siç thoshte i mirënjohuri Basri Çapriqi, u detyrua të lëshojë atdheun e tij, Malin e Zi dhe të strehohej në Zagreb. E bëri këtë përmes Republikës së Shqipërisë, dhe përsëri zgjodhi miqtë e tij, shkrimtarët shqiptarë nga Shoqata e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Dritëro Agollin, Xhevahir Spahiun, Adem Istrefin, Nasi Lerën, Mimoza Ahmetin… për t’u vendosur në Zagreb me zemër të përvëluar, i vuajtur e i përmalluar si shkrimtar i përndjekur, në një gjendje të rëndë shpirtërore, ç’gjë e shpreh në librin e tij “Glosar”, botuar në Zagreb në vitin 1995; në faqen 311, ai përveç tjerash shkruan:
“Mbase nuk do ta shoh më kurrë nipin tim të parë, Brajanin. Mbase nuk do ta puth kurrë më gurin e varrit të mermertë të nënë Gorkës. Mbase nuk do t’i shoh më kurrë Ballshën, Damjanin, Kaqën dhe Aleksandrën… Mbase nuk do ta shoh më kurrë Cetinën… Mbase nuk do t’i shoh kurrë fytyrat e dashura të disa miqve të mi, atyre që nuk më tradhtuan kurrë: Mlladen Llomparin, Momir Markoviqin, Voja Staniqin, Sreten Asanoviqin…, Ali Podrimjen, Zekeria Canën…”.
Pra, edhe në atë kohë aq të vështirë për ta, mendja i shkonte jo vetëm te më të afërmit, por edhe te miqtë e tij shkrimtarë, edhe nga Kosova, te Cetina e tij epike, por edhe te Kosova që po përjetonte tmerre të luftës dhe po mbytej në gjak nga fashizmi serb… (vijon)