“Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe.” Mithat Frashëri
Viti shkollor 1916/1917 është vit i artë për arsimimin e trieshianëve, sepse në Triesh u krijua ( u hap) shkolla e parë shqipe. Kjo ëndërr shekullore e tyre u bë realitet vetëm 29 vite pas hapjes së mësonjëtores së parë shqipe në Korçë ( Shqipëri) më mars të vitit 1887, çka tregon se kjo trevë ka një traditë të vjetër arsimore në gjuhën amtare. Hapja e shkollës shqipe në Triesh 137 vite më parë është faqe e ndritur dhe e lavdishme atdhedashurie e arsimit tonë kombëtar, është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Trieshit.
Pavarësisht frymës ideologjike të pushtetit Austro-hungarez , i cili njohu të drejtat e pakicave kombëtare, trieshianët për herë të parë dëgjuan zërin e mësuesit shqiptar dhe lirshëm mësuan në shkollën e Trieshit, për herë të parë u ndanë nga mësimi në gjuhë të huaj ( serbe) dhe për herë të parë mësuan gjuhën dhe vlerat pozitive të traditës shqiptare. Nga të dhënat për historikun e kësaj shkollë, ish – drejtorit të saj, Zef Gjuravçaj mësojmë se gjatë dy viteve shkollore 1916/1917 dhe 1917/1918 sa zgjati shkolla shqipe mësimin e gjuhës shqipe e zhvilluan Mirash Kërstiq nga Zara, Josip Vlladoviq Rela ( Zef Rela) dhe Leonardo Shijaku nga Ljara – Shestan (Krajë), përndryshe meshtar-famullitari i Trieshit, emri civil i të cilit ka qenë Zef Shijaku.
Fatkeqësisht shkolla shqipe në Triesh mbyllet në vitin 1918 dhe përsëri mësimi zhvillohet me ndërprerje të vogla në gjuhën sllave-serbe , siç e kemi theksuar më lartë, deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Në 1941/1942 rihapet shkolla shqipe në Triesh prej klasës I-IV, e cila punon me ndërprerje. Mësues i kësaj shkolle ishte Lucë Lucaj, vendas.
Gjatë vitit shkollor 1944-1945 në Triesh nuk punoi asnjë shkollë fillore, ndërsa një vit shkollor më vonë riçelet shkolla fillore me mësim në gjuhën shqipe në Triesh të Poshtëm.
Në vitin shkollor 1959/1960 hapet klasa e pestë, kurse në vitin shkollor 1962/1963 rritet në shkollë të plotë tetëvjeçare me seli në Stjepoh me paralele të shpërndara në Poprat, Triesh i Poshtëm dhe Cem i Trieshit.
Shkolla në gjuhën shqipe në Triesh të Poshtëm hapet në vitin shkollor 1945/1946 . Mësues i parë ishte Preloc Mark Margilaj.
Shkolla Cemi i Trieshit hapet në vitin shkollor 1947/1948 . Mësues i parë ishte Tomë Lekë Lucaj.
Shkolla fillore në Poprat hapet në vitin shkollor 1948/1949. Mësues i parë ka qenë Preloc Mark Lekoçaj. Gjatë zhvillimit të mësimit në gjuhën shqipe pas Luftës së Dytë Botërore në Triesh deri në vitin 1965 shumica e mësuesve të padiplomuar, pa përgatitje të nevojshme profesionale, ose të kualifikuar me anë të kurseve pedagogjike. Megjithatë kontributi i tyre ka qenë jashtëzakonisht i madh, sepse ata vunë jetën e tyre në themelet e arsimit të gjuhës shqipe në Triesh.
Periudha artë e arsimit të shkollimit të brezit të ri trieshian fillon me mësuesit dhe arsimtarët e parë të Tetëvjeçares së Trieshit : Gjergj Marash Hasanaj, Gjon Mark Gjonaj, Vasil Mark Margilaj, Pjetër Toni Gjuravçaj Ndue Nikollë Lekoçaj, Prelë Mark Gegaj dhe Gjergj Gjon Gjokaj. Në vitin shkollor 1962/1963 del gjenerata e parë e gjysmëmaturantëve të shkollës së Trieshit.
Shkolla e Trieshit e para dhe e vetmja në Malësi që mban emrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut
Me propozim të kolegjiumit arsimor të shkollës , Kuvendi i Komunës së Titogradit, me vendim numër 01-1535 Shkolla Fillore Popullore ” Triesh i Epërm”, siç quhej deri atëherë, merr emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti -Skënderbeu. Kjo është shkolla e parë dhe e vetme në Malësi që mban emrin e kësaj figure më të rëndësishme për shqiptarët.
Kjo vatër e arsimit dhe edukimit me rastin e Jubileut të artë – 100 vjetorit të themelimit , në vitin shkollor 1987/1988 është laureatë i Shpërblimit m më të lartë federativ “Urdhri vëllazërim-bashkim”, kurse punëtorët e arsimit- drejtori, Pjetër Gjuravçaj dhe Lucë Lucaj dekorohen me Urdhrin për Merita për Popull, kurse mësuesit e dalluar , Gjon Gjonaj dhe Prelë Gegaj dekorohen me Urdhrin e Punës.
Shkolla tetëvjeçare në Triesh rritet në shkollë nëntëvjeçare në vitin shkollor 2008/2009. Këtë institucion arsimor nga themelimi i tij e deri më sot e kanë drejtuar: Gjergj Hasanaj, Prof.Dr. Pjetër Gjuravçaj, Gjon Margilaj, Zef Gjuravçaj, Nikollë Dukaj dhe Leon Gjuravçaj , drejtori aktual.
Ky tempull i denjë i diturisë dhe misionarët e tij të arsimit , gjatë 137 vite ekzistimi dhe veprimtarie ishte dhe është një qendër e rëndësishme për formimin arsimor e kulturor. Nën shembullin e kësaj shkollë, duke e parë rëndësinë e madhe kombëtare të shkollës shqipe, u frymëzuan më vonë edhe banorë të viseve( trevave) tjera shqiptare në Mal të Zi.
Thënia e Mithat Frashërit, në fillim të këtij shkrimi, është porosi e madhe me domethënie të përhershme. E vërtetë e padiskutueshme.
Vlen të mbahet përherë parasysh mendimi i filozofit italian të gjuhës, Benedeto Kroçe: “Quaj njeri atë që është zot i gjuhës amtare”.
Vendosja e bustit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut
Vendosja e trupores së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrotit- Skënderbeut, në nëntor të vitit 2019 , në oborrin e shkollës nëntëvjeçare në Triesh, e cila me krenari mban emrin e tij më se gjysmë shekulli është dhurata më e bukur dhe më e çmuar që ka marrë ndonjëherë në historinë e vet të lavdishme kjo trevë e lashtë shqiptare, e cila nuk u gjunjëzua para presioneve të pushteteve ( regjimeve) të egra gjakatare të kohës për nënshtrim, tjetërsim, zhdukje e çkombëtarizim.
Trieshi me vendosjen e statujës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut u bë treva e parë dhe e vetme në Malësi të Mbishkodrës që në gjirin e vet ka një përmendore të tillë. Kjo shtatore e radhitë krahinën e Trieshit në mesin e qendrave më të mëdha shqiptare Tiranën, Prishtinën , Shkupin e qytete të tjera që kanë shtatoren e Skënderbeut.
Ardhja në bronz e shtatores së këtij personaliteti të madh të kombit tonë me përmasa evropiane e botërore në Triesh është një mesazh i qartë i trieshianëve se dinë dhe duan t’i respektojnë figurat e mëdha kombëtare, të cilat kanë dhënë shumë për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar.
Trieshi me prezencën e trupores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut u shndërrua në idhull shqiptarizmi, dhe u bë edhe më i dashur për të gjithë ata njerëz që do ta vizitojnë.( Fund)