Sfidat e raportimit mediatik nëgjuhën shqipe

Pjesëmarrësit në tryezë - gazetarë të mediave në gjuhën shqipe, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe intelektualë të tjerë kanë diskutuar për gjendjen, problemet dhe dukuritë e ndryshme të informimit në gjuhën shqipe në Malin e Zi si dhe kanë dhënë sugjerime për përmirësimin e situatës ekzistuese

Ulqin – Organizatat joqeveritare “Horizonti i Ri” dhe “Eduko Plus” kanë organizuar të shtunën (12 tetor 2024) në hotelin “Mediteran” në Ulqin tryezën e rrumbullakët me temë “Sfidat e raportimit mediatik në gjuhën shqipe”, ku pjesëmarrësit kanë diskutuar për gjendjen, problemet dhe dukuritë e ndryshme të informimit në gjuhën shqipe në Malin e Zi si dhe kanë dhënë sugjerime për përmirësimin e situatës ekzistuese.
Drejtori i OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliqi, ka thënë se ky nuk është projekti i parë që kjo organizatë realizon për media.
“E natyrshme është pyetja se pse një organizatë joqeveritare tubon media dhe diskuton për media. Sepse pikërisht gjatë gjithë punës sonë ne kemi kultivuar një parim – që shënohet në të gjitha manualet e demokracisë e që thotë që pikërisht shoqëria civile dhe mediat janë artikuluesit kryesorë të shqetësimeve të publikut”, ka theksuar ai në fjalën përshëndetëse.
Duke bërë prezantimin e projektit, ai ka thënë se synojnë që me media të krijojnë një partneritet efektiv cilësor me qëllim që të forcohet demokracia në vendin tonë dhe të promovohen vlerat e qytetarisë demokratike.
“Ky, pra, është edhe qëllimi kryesor i këtij projekti – që t’u ofrojë një mbështetje përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe mediave që të rrisin profesionalizmin e mediave dhe të rritet cilësia dhe sasia e informimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi”, është shprehur Veliqi.
Eksperti i medias, profesor Sefer Tahiri nga Maqedonia e Veriut ka folur mbi rolin e gazetarëve në debatin publik, raportimin mbi ngjarje dhe trajtimin e çështjeve që kanë interes publik si dhe raportimin mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, me fokus të veçantë në të drejtat e pakicave.
Përpos aspektit teorik mbi atë se çfarë përbën interes publik dhe cilat janë ato tema e ngjarje që përbëjnë interes publik, ai ka folur edhe për kontekstin mediatik dhe politik, por edhe ndëretnik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke sjellë shembuj konkretë që reflektojnë realitetin mediatik në këtë shtet dhe duke u përqendruar te shkeljet etike në rastet e raportimeve për ngjarjen e ndryshme, shpeshherë të lidhura me etninë.
Dr. Haxhi Shabani, gazetar i Redaksisë në gjuhën shqipe pranë Radiotelevizionit të Malit të Zi, ka nënvizuar problemet kryesore të mediave në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
Sipas tij, shqiptarët në Malin e Zi kanë bërë përpjekje për të bërë media, por nuk kanë arritur të bëjnë media të mirëfillta profesionale.
Duke folur për programin shqip në RTMZ, ai ka thënë se arritja kryesore për shqiptarët në Malin e Zi është që të krijojnë një kanal të veçantë.
“Ka disa arritje, por mendoj që tashmë problemet e hapësirave nuk ekzistojnë në RTMZ. Kanali i veçantë – kjo është një e arritur e cila mendoj se edhe me sensibilizim të kësaj çështjeje, edhe me hapa konkrete mund të arrihet”, ka theksuar Shabani.
Ndër problemet kryesore të mediave në gjuhën shqipe në Malin e Zi ai ka përmendur faktin se në to përgjithësisht dominon lajmi i përkthyer në kohën kur mungon në masën e duhur lajmi origjinal, dominon gazetaria e protokolleve, takimeve, pra ajo deklarative.
Publicisti dhe analisti Robert Camaj ka folur për rolin e mediave në ndërgjegjësimin e opinionit për çështjet identitare të shqiptarëve në Mal të Zi.
Në këtë kontekst, ai është shprehur kritik ndaj mediave në gjuhën shqipe duke thënë se është çështje për diskutim të gjerë se sa ato u përgjigjen nevojave dhe sa të tejkaluara janë ato duke u paraqitur me skemë programore të vjetëruar, e cila nuk nxit fare interesim për lexuesin, dëgjuesin dhe shikuesin.
“Kjo është evidente. Ka vite që nuk shikohet ‘Mozaiku’, nuk dëgjohet radio dhe nuk ka lexues të ‘Kohës javore’”, ka theksuar Camaj.
Sipas tij, në mediat në gjuhën shqipe që financohen nga buxheti do të duhej të kishte më tepër raportim të situatave që i shqetësojnë të gjithë dhe e përmirësojnë pozitën e shqiptarëve si pakicë kombëtare.
“Heshtja dhe mos trajtimi i temave jetësore kursejnë dhe ndihmojnë në ruajtjen e statusquo-së duke mbajtur gjendjen që u konvenon shumë qarqeve, por mediat duhet të luajnë rolin e vet, sepse këtë gjë nuk e bëjnë në emër të tyre, por të qytetarëve të cilëve u referohen”, ka thënë ai.
Redaktori i Redaksisë për Pakica në Radiotelevizionin e Malit të Zi, Senad Gilaj ka folur mbi gjendjen aktuale dhe mundësitë për avancim të redaksive në gjuhën shqipe në Servisin Publik të Malit të Zi.
“Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë dhe rolin e RTMZ-së si dhe për kapacitetet dhe fuqinë që kanë radio dhe televizioni, ne përmes programit tonë synojmë të informojmë, por edhe të edukojmë publikun e gjerë, por edhe të motivojmë dëgjuesit dhe shikuesit tanë që të ndjekin shembujt pozitivë dhe arritjet që paraqesim në emision”, ka theksuar ai.
Gilaj ka thënë se përgjatë viteve janë përballur me probleme dhe vështirësi të shumta, të cilat i kanë tejkaluar gradualisht dhe sot redaksia në gjuhën shqipe pranë RTMZ është më e avancuar se kurrë.
Ai ka thënë se përpos emisioneve tradicionale, kohë më parë kanë filluar me emisionin e ri “Në fokus” në televizion, kurse në radio tashmë ekziston programi 24 orësh online në gjuhën shqipe, që ka vetëm muzikë, porse ata tentojnë që edhe përmes kësaj radioje të transmetojnë kronikat që i përgatisin.
“Pastaj, mendoj unë që është edhe më e rëndësishmja, jemi bërë pjesë e rrjetit të serviseve publike rajonale shqiptare përmes një emisioni shumë domethënës ‘Pa kufij’. Pra, jemi të lidhur me Radio Kosovën, Radio Tiranën, Radio Shkupin”, ka theksuar ai, duke shtuar se planifikojnë që të njëjtën gjë ta bëjnë në të ardhmen edhe në televizion.
Gazetari i të përjavshmes “Koha javore”, Ismet Kallaba ka nënvizuar çështjen e degradimit të gazetarisë dhe të profesionit të gazetarit.
“Gazetaria nuk është një profesion i çmuar dhe i vlerësuar, as në aspektin publik, as në atë financiar (material). Kjo ka çuar në rënien e standardeve profesionale të gazetarisë. Kjo gjendje nuk është vetëm te ne, por edhe në vendet e tjera të rajonit“, ka thënë ai.
Duke folur për të drejtën e informimit në gjuhën amtare, ai ka thënë se mediat në gjuhën shqipe nuk duhet të ekzistojnë vetëm për shkak të informimit në gjuhën shqipe.
Sipas tij, “edhe pse nuk është bërë ndonjë hulumtim, mund të thuhet se mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi nuk janë burim parësor i informimit për pjesën më të madhe të shqiptarëve në Mal të Zi”, gjë që është një fakt që duhet të na shqetësojë.
Për sfidat e mediave lokale në gjuhën shqipe ka folur gazetari i RTV Rozhaje, Artan Daci, i cili ka sjellë për të pranishmit përvojën e tij në këtë medie dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohet duke qenë se i duhet që t’i bëjë të gjitha vetë, që nga raportimi në terren e deri te përgatitja teknike e materialit.
Projekti është mbështetur nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Avancimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Popujve Pakicë dhe Bashkësive Nacionale të Pakicave të Tjera, Arben Xhurreta ka thënë se kjo ministri është thellësisht e angazhuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave.
“Në këtë kuadër, ne fokusohemi në krijimin e politikave dhe mekanizmave që synojnë trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, kulturore apo gjuhësore. Një pjesë kyçe e këtij angazhimi është mbështetja e projekteve dhe nismave që promovojnë demokracinë, të drejtat e pakicave dhe përfshirjen shoqërore”, ka theksuar ai.
Ndër rekomandimet e kësaj tryeze, të cilat i ka përmbledhur prof. Sefer Tahiri është edhe
nevoja e krijimit të një medieje ditore që do të kishte prioritet raportimin mbi ngjarjet dhe problemet e shqiptarëve në tërë hapësirën ku ata shtrihen në Mal të Zi.
Edhe pjesëmarrësit e tjerë në tryezë – gazetarë të mediave në gjuhën shqipe, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe intelektualë të tjerë kanë diskutuar mbi probleme të ndryshme të informimit në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Ata kanë nënvizuar nevojën e organizimit më të shpeshtë të tryezave të këtij lloji, ku do të flitej për mediat në gjuhën shqipe si dhe që për këto çështje të debatohet në vetë mediat në gjuhën shqipe.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat