Rrëfime të një realiteti të dhimbshëm

“Ky libër është ndërtuar përmes një rrëfimi të kujdesshëm, ku janë qëndisur e ndërlidhur ato pjesë që Pashko Camaj ka zgjedhur të na rrëfejë jetën reale të autorit. Autori nuk dëshiron ta paraqesë largimin e tij nga vendlindja si një tragjedi dhe nuk e paraqet veten si dikë për të cilin duhet pasur mëshirë, përkundrazi, autori rrëfen realitetin e vet, pa i vendosur vetes epitete e heroizma. Madje, i gjithë rrëfimi është një dialog i Pashkut me Malësinë. Ai brenda shpirtit të vet ndien se ka bërë një faj, mëkat, tradhti ndaj vendlindjes, ditën që është nisur për ta braktisur atë”, ka thënë shkrimtari Mark Lucgjonaj

Në Librarinë “ Ulqini, të dielën (26 janar 2025) është përuruar libri “Porosia e kullës” i autorit Dr. Pashko Camaj nga Malësia. Ndryshe nga titulli i librit në gjuhën angleze që është “Ëndërrime nga bagazhi i një veture amerikane”, për lexuesin shqiptar libri vjen me titullin “Porosia e kullës”, në kolanën e veprave të Shtëpisë Botuese “Onufri”, falë përkthimit të vëllait të Pashko Camajt, nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj. Ai, duke folur me emocion për titullin e ri të librit dhe shqipërimin e tij, theksoi se në konsultim me autorin ka propozuar që t’ia ndërrojnë titullin veprës.
“Ky është i vetmi gisht që unë kam në këtë punim të librit, që lidhet me amanetin e kullave, amanetin e të parëve tanë. Kulla përfaqëson shtëpinë ku ai është rritur dhe shërben si fortesa stërgjyshore ku mbrohen traditat e lashta, por cila është porosia e kullës, lexuesi mund ta zbulojë përmes përjetimeve që përballin dy botë – të shkuarën me të tashmen. Kjo vepër, sado që është një rrëfim i Pashkut për jetën e tij të ikur nga Malësia në Amerikë, para dyzet vitesh, nuk është personale. Sepse përveç të arriturave që ai ka në jetë, të cilat i gjen në pjesën e dytë të librit, në të gjitha rrëfimet tjera mund ta gjejë veten çdo njeri që ka mërguar. Edhe pse është një rrëfim familjar, mendoj se nuk mund të kufizohet vetëm me familjen tonë ngase çdo familje shqiptare ka dikë në mërgim”, ka thënë Camaj.
Ai ka veçuar një prej historive që vjen në libër, që ka të bëjë me përshkrimin e vrasjes së gjyshit të tij nga komunistët jugosllavë më 1947.
“Nga aty lind titulli i librit. Komunistët e rrethojnë kullën dhe e detyrojnë të dalë prej saj plaku i shtëpisë, gjyshi im Pjetri. Duhej të dilte pa armë dhe në Malësi, fytyra (nderi) ka rëndësi. A ditën të qëndrojnë, a ishin trima, po ashtu kishte rëndësi. Të lejosh që të vijnë të të marrin babanë nga shtëpia e ta vrasin, nuk është e lehtë. Kjo ka qenë një ndër gjërat më të vështira për babain tim. Mirëpo gjyshi i thotë se për kullën duhet të jetohet, jo të vdiset. Ajo është porosia e kullës, fjalët e fundit të tij janë: ju duhet të jetoni për kullën, jo të vdisni”, ka thënë Camaj.
Vlerësim për librin ka shprehur shkrimtari Mark Lucgjonaj, i cili e ka cilësuar atë “një rrëfim mahnitës në vetën e parë, ku autori që në faqen e parë rrëfen jetën e vet, me të vetmin qëllim, që dëshmia e tij ta nxisë lexuesin që të besojë te vetja”.
“Ky libër është ndërtuar përmes një rrëfimi të kujdesshëm, ku janë qëndisur e ndërlidhur ato pjesë që Pashko Camaj ka zgjedhur të na rrëfejë jetën reale të autorit. Autori nuk dëshiron ta paraqesë largimin e tij nga vendlindja si një tragjedi dhe nuk e paraqet veten si dikë për të cilin duhet pasur mëshirë, përkundrazi, autori rrëfen realitetin e vet, pa i vendosur vetes epitete e heroizma. Madje, i gjithë rrëfimi është një dialog i Pashkut me Malësinë. Ai brenda shpirtit të vet ndien se ka bërë një faj, mëkat, tradhti ndaj vendlindjes, ditën që është nisur për ta braktisur atë. Përjetimet e Pashkut shpesh janë aq të forta sa nuk mund të mos derdhësh lot dhe këtu qëndron forca e rrëfimit të së vërtetës në këtë libër. Pashko Camaj në këtë vepër na rrëfen fëmijërinë dhe kujtimet për ato vite, jetën e malësorit dhe të Malësisë përmes kujtimeve të veta. Dhjetëra ngjarje që autori i ka jetuar, disa prej të cilave janë shumë të dhimbshme, falë rrëfimit të tij mjeshtëror, nuk dalin asnjëherë rrëfime tragjike, por vetëm si një realitet i dhimbshëm”, ka thënë Lucgjonaj.
Autori këtë libër e ka cilësuar si një kujtim të jetës, në vendin ku ai është rritur, në Malësi.
Ai foli me shumë emocion duke shpërthyer në lot gjatë rrëfimit të tij për momentin kur ai dhe motra e tij binjake Drita, tashmë e ndjerë, qëndronin në bagazhin e mbyllur të veturës amerikane rrugës nga Meksika për në Amerikë.
“Në këtë bagazh u ndieva jo mirë, tejet i shqetësuar. Me mbylljen e bagazhit fillova të mendoja se çfarë bëra kur tani vendosa që fatin tim e ka në dorë dikush tjetër, i cili nuk të njeh fare dhe për të je vetëm një numër, por gjithnjë duke menduar për një jetë më të bukur në të ardhmen. Qetësinë e shpirtit në këtë vorbull mendimesh e gjeta nga inkurajimi që bëri motra ime binjake Drita, tashmë e ndjerë, me fjalët e saj të ëmbla që të mos frikësohem se gjithçka do të përfundojë mirë”.
Këtë libër, i cili ndërlidhet me përvojën e tij, Dr. Pashko Camaj e ka cilësuar si një kujtim të jetës, në vendin ku ai është rritur, në Malësi, nga e cila u largua në moshën 20-vjeçare.
“Unë përballem me ndjenjën e fajit për largimin nga trojet e të parëve. Që nga dita e parë që jam larguar nga Malësia, kam pasur një pyetje të thjeshtë: a kam mëkatuar ndaj 16-17 gjeneratave që kanë jetuar në të njëjtën shtëpi dhe duke i dhënë jetën gjeneratave që kam pasur fatin t’i njoh, t’u tregoj gjeneratave që vijnë në Amerikë se nga vijnë, ku i kanë rrënjët. Synimi im ka qenë që ky libër t’u shërbejë edhe atyre brezave që kanë lindur dhe janë rritur në SHBA që të njohin historinë dhe origjinën e tyre shqiptare, me të cilën ata duhet të mburren”, është shprehur Camaj.
Përurimi i librit, nën udhëheqjen e Arlinda Osmanit, është mbyllur me një bashkëbisedim të ngrohtë e vëllazëror me autorin e librit.
Përurimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Libraria “Ulqini”.

Gjekë Gjonaj

Të fundit

më të lexuarat