Rrëfim i thellë dhe personalpërpara lexuesit të vëmendshëm

Tuz – Në Qendrën Kulturore- Informative “Malësia” të enjten mbrëma (25 tetor 2024) u bë promovimi i përmbledhjes poetike “U” i autores nga Shkodra, Uarda Albunesa.
Në vështrimin e tij mbi këtë vepër letrare, udhëheqësi artistik dhe regjisori i programit në QKI “Malësia” Idriz Gjokaj tha se, përmbledhja poetike e titulluar me një “U” si njëra prej zanoreve, në dukje të parë shfaqet si enigmatike e mistike pasi, siç tha, përveç qasjes për emrin për vargëzimin prozodik e metrik, për emërtime, apo përemra vetor dhe rimë, rropatet edhe për një “çjerrje qoftë grisje” introspektive të vetë autores më shumë si një fëshfërimë e butë e agsholeve të agimit mëngjesor sesa si një stuhi kumbuese e buçitëse përmbajtjesore e një shpirti ëndërrimtar.
“Vëllimi me germën U, si shkronja e unitetit, udhëheqjes, e ujdisë, udhëzimit, universit, e urtësisë, etj, ka tendencën për të na shpërngulur në deshifrime edhe më të thella, por kur përkufizimi merr formën, atëherë ne perceptojmë se autorja përdor pehlivanizma ekzibicional, sa që duket se në vend të lapsit ka shkopin e magjistares me të cilin zhonglon dhe i ja arrit ta bind lexuesin se poezia të falë magji shpirtërore” theksoi në mes tjerash, Gjokaj.
Më tej ai tha se shpirti krijues i autores e bën atë të patundshme, mbase diku, edhe e pavetëdijshmja i jep të drejtë e kënaqësi për të pasur ngadhënjimin e jetës, të bukurës, ëndrrës lakmitare dhe asaj e cila është rrekje për t’u kapur pas armës më të fuqishme, dashurisë, si më unikja e bëmave të krijimtarisë së saj.
“Ato nga çfarë ndikohet autorja, janë thermi të kruciales dhe fundamentales jetësore, edhe pse në dukje të parë, për ne shfaqen si profane, mirëpo pikërisht qasja dhe thellimi, qoftë aty për aty qoftë pas “rrugëtimit tonë me të”, na rezulton krucial dhe spiritual. Ajo na fton gjithashtu, që përmes zërit melodioz të penës së saj, edhe ne të tentojmë këtë proskenion jetësor, për të cilin ndoshta sot, më shumë se kurrë më parë kemi nevojë dëshpëruese” u shpreh ai.
Ndërkohë, z, Gjokaj tha se mesazhi që përcjell kjo përmbledhjes poetike “U”, qartëson se dashuria për të mirën e ndaj saj dhe tundimi për të luftuar rutinën e brengave përditësuese, tejkalon vite dekada e shekuj dhe arrit mu në mesin e atyre të cilët me veprat e tyre artistike, patën gëzuar statusin e të mëdhenjve dhe korifenjve të ajkës sonë krijuese, duke i shtuar këtij qyteti (Shkodrës) një epitet e status të veçantë si “djep kulture”.
Ndërkohë, në vështrimin e saj mbi përmbledhjen poetike “U”, Sidorela Berishaj u shpreh se, ky vëllim poetik të bën që të eksplorosh në botën e brendshme të shpirtit artistik të poetes dhe të gjesh veten në shumë vargje.
“Secili titull përcjell një mesazh ndryshe te lexuesi, duke qenë se poezitë lirike burojnë natyrshëm nga thellësia e shpirtit, prandaj poetja na e sjellë me plotë emocion botën e saj të brendshme, me reflektim në realitetin e jashtëm, pra, me dritën dhe terrin, me gëzimin dhe vuajtjen, me urrejtjen dhe dashurinë, që shpesh na karakterizojnë të gjithëve, pa përjashtim” tha ajo.
Një gjë që sipas saj bie në sy teksa lexon këtë libër, është gjuha, fjalët në dialektin shkodran.
“Në poezi dominon vargu i lirë, por edhe ai prozaik tradicional me strofa, rimë, ritëm dhe strukturë metrike të rregullt. Figurat stilistike që dominojnë janë metafora, epiteti, simboli, antiteza, krahasimi. Vargjet e dala jo vetëm nga shpirti i poetes por edhe nga një mendim i pjekur dhe lidhja shumë e veçantë që poetja ka me artin, ka nxjerrë në pah një mozaik plotë ngjyra dhe dritëhije të ndryshme” u shpreh ndër të tjera Berishaj në vështrimin e saj.
Ndërkaq, autorja e përmbledhjes me poezi “U” Uarda Albunesaa duke iu përgjigjur një sërë pyetjesh të moderatores së mbrëmjes mbi krijimtarinë e saj artistike, ka theksuar se është krejtësisht e zakonshme që një avokate me profesion të jetë edhe poete, duke thënë se historia dhe letërsia botërore na ka njohur me shkrimtarë të mëdhenj botëror, që studimet i kanë mbaruar për Drejtësi.
“Sepse studimet e drejtësisë të ndihmojnë shumë në zhvillimin e imagjinatës dhe pa diskutim një jurist apo një avokat brilant, duhet të jetë një orator brilant”, u shpreh autorja, Albunesa.
Ndërkohë, e pyetur se çfarë e motivon atë për të shkruar, ajo tha se gjeja e parë që e motivon të krijojë është dhimbja, si ajo e familjes, e shoqërisë, apo dhimbja e saj personale.
Në të njëjtën kohë, duke iu përgjigjur pyetjes se pse ka zgjedhur të shkruaj në dialektin gegë, znj. Albunesa u shpreh se, duke qenë bijë Shkodre, vendimi për të shkruar në gegërisht i ka ardhur në mënyrë krejt origjinale.
“Unë jam rritur me dialektin gegë, kështu që gjeja e parë që më vinë në formë krejt burimore për të shkruar, ishte në gegërisht. Më pas duke shkruar në këtë dialekt, kuptova se masazhi i poezisë është shumë i fuqishëm kur lexohet në gegërisht. Unë dua që poezia dhe dialekti gegë, jo vetëm që të mos vdes asnjëherë, por të kultivohet dhe të marrë vendin që i takon sepse dialekti gegë mund të referohet edhe si dialekti i pellazgëve” tha mes tjerash autorja.
Ajo duke qenë se u përket dy fushave shoqërore, tha se përmes jurisprudencës përpiqet që t’i shpëtojë klientët e saj, t’i nxjerr nga problematikat dhe rreziqet që ato kanë, ndërsa nëpërmjet artit të poezisë ajo don që t’i pushtojë ata.
“Dhe ky është ndryshimi. Ndërmjet avokatisë dhe ligjeve dua t’i shpëtojë, ndërsa përmes poezisë dua t’i pushtojë nëpërmes gjendjes time shpirtërore” u shpreh autorja Uarda Albunesa.
Ndërkohë, e pyetur se, a është Tuzi mjaftueshëm i lidhur artistikisht me Shkodrën, autorja Albulena tha se fatkeqësisht jo, nuk është i lidhur mjaftueshëm.
“Sepse e kam ndjerë dhe e ndjejë shumë pak Tuzin nëpërmjet aktiviteteve në Shkodër, por edhe Shkodrën nëpërmjet aktiviteteve në Tuz” tha Albunesa.
Znj. Uarda Albunesa ka filluar të shkruaj që në kohën e hershme të fëmijërisë. Ky është libri i saj i parë me përmbledhje poezish, ndërkohë që u zotua se shumë shpejtë do të fillojë të shkruaj dhe të botojë edhe në prozë.
Ky vëllim poetik, siç sugjeron edhe titulli, përbën një rrëfim të thellë dhe personal përpara lexuesit të vëmendshëm. Është një udhëtim i ndjeshëm në botën e brendshme, një bisedë e afërt dhe e sinqertë me vetveten. Në përmbajtjen e tij, përveç temave të brendshme, gjejmë edhe motive etnike, siç është kushtimi për Rozafën ose “Shqipninë”.
Uarda Albunesa ka lindur në një familje shkodrane dhe ka përfunduar studimet e larta në drejtësi. Ajo ka zgjedhur “Të Drejtën e Autorit” si fushë të studimeve të saj doktorale.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat