“Romani është shkruar si një nevojë për t’u çliruar nga burgu i kujtesës. Ai e ka për detyrë, e ka për mision këtë moment të rrëfimit. Don të rrëfejë se si e ka parë një fëmijë botën”, është shprehur autori
Në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, të shtunën është bërë përurimi i romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, veprës më të re të autorit Stefan Çapaliku.
Romani trajton periudhën e komunizmit dhe ngjarjet e ndryshme në qytetin e Shkodrës, të ndodhura në harkun kohor 1967-1985, që përkon me kohën e shpalljes së Shqipërisë shtet ateist dhe prishjen e objekteve të kultit, deri në vdekjen e liderit komunist Enver Hoxha. Të gjitha këto ngjarje jepen në këndvështrimin e autorit, që në atë kohë ishte fëmijë.
Autori ka thënë se “letërsia shqipe e ka parë komunizmin prej dy ekstremesh: ose prej Bllokut, duke na treguar se si kanë jetuar elitat komuniste, ose si e kanë parë të persekutuarit, njerëzit prej burgut”, por jo edhe se si kanë jetuar njerëzit e zakonshëm.
Çapaliku ka pranuar se “romani është shkruar si një nevojë për t’u çliruar nga burgu i kujtesës”.
“Romani e ka për detyrë, e ka për mision këtë moment të rrëfimit. Don të rrëfejë se si e ka parë një fëmijë botën”, është shprehur ai.
Autori ka treguar për mënyrën e ndërtimit të romanit mbi bazën e disa rrathëve koncentrikë, që fillon nga përemri “unë” e deri te televizori, të cilin ai e quan kuti magjike, e që është rrethi i fundit, pra bota.
“Ajo çfarë është e rëndësishme në roman është se televizori vjen në shtëpinë time natën kur prishen kishat dhe xhamitë”, ka thënë Çapaliku, duke e parë këtë si një moment vendimtar në gjykimet dhe perceptimet e tij të realitetit të kohës.
Botuesi Frano Kulli, pronar i Shtëpisë Botuese “Gjergj Fishta” në Lezhë, e cila e ka botuar romanin, ka vlerësuar se kemi të bëjmë me një prej botimeve më interesante dhe më cilësore, që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit në mbarë botimet e letërsisë së sotme shqipe.
“E them këtë në bazë të kontakteve që kemi pasur në të gjitha promovimet e romanit”, është shprehur ai.
Sipas tij, romani rrok ngarjet të cilat “janë parë nga autori në një këndvështrim krejt të veçantë”.
Në vazhdim të përurimit, autori është përgjigjur në pyetjet e moderatores Drita Llolla dhe publikut.
Përurimi u organizua nga Organizata joqeveritare “iAct”, ndërsa po të njëjtën ditë është bërë përurimi i romanit edhe në Tuz. i. k.