Reflektim mbi kuptimin e jetës

“Tinguj shprese” nuk është thjesht një përmbledhje poezish, por një dialog i hapur mes autores dhe lexuesit. Nëpërmjet vargjeve të saj, Edina na fton të reflektojmë mbi kuptimin e jetës, të përballemi me realitetin me guxim dhe mos ta humbim shpresën, pavarësisht errësirës që mund të na rrethojë

Luljeta Avdiu – Cura

Sot kemi privilegjin dhe kënaqësinë të jemi bashkë për të promovuar një vepër të veçantë, vepër që përcjell mesazhe që burojnë nga shpirti i një autoreje të re, por të pjekur në mendim dhe ndjenjë. Libri “Tinguj shprese” i autores Edina Bajri është pasqyrë e shpirtit njerëzor, një udhëtim i ndjeshëm mes sfidave, ëndrrave dhe emocioneve që e bëjnë jetën tonë kaq të veçantë.
“Tinguj shprese” nuk është thjesht një përmbledhje poezish, por një dialog i hapur mes autores dhe lexuesit. Nëpërmjet vargjeve të saj, Edina na fton të reflektojmë mbi kuptimin e jetës, të përballemi me realitetin me guxim dhe mos ta humbim shpresën, pavarësisht errësirës që mund të na rrethojë.
Në këtë libër, poezia dhe proza poetike ndërthuren në mënyrë harmonike, duke krijuar një rrëfim të fuqishëm mbi ndjenjat universale të njeriut. Autorja përmes vargjeve të saj na mëson se shpresa nuk është thjesht një koncept abstrakt, por një forcë që mund të na mbajë gjallë edhe në momentet më të vështira të jetës. Ajo e përshkruan shpresën si një dritë që nuk shuhet kurrë, si një forcë që na shtyn përpara edhe kur rruga nuk duket e qartë.
Në poezinë “Mos u dorëzo”, ajo shkruan: “Mos u dorëzo, të lutem mos hiq dorë, Ende je në kohë jetën ta përqafosh.”
Këto vargje janë një thirrje e fuqishme për të gjithë ata që ndihen të lodhur nga sfidat e jetës, për të mos u ndaluar dhe për të vazhduar të ëndërrojnë dhe të luftojnë.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij libri është trajtimi i marrëdhënieve njerëzore, veçanërisht i familjes si një shtyllë e rëndësishme e jetës sonë. Në poezinë “Babait”, autorja shpreh mirënjohjen dhe dashurinë e saj të pakushtëzuar për figurën atërore:
“Babi im, një hero i heshtur, Një shok i pandarë, që gjithmonë më lartëson.”
Në të njëjtën frymë, poezia “Nëna” është një himn për sakrificat e nënave, për dashurinë e pakufishme që ato japin pa kushte, për durimin dhe forcën e tyre të pashoqe. Edina na kujton se nënat janë gurët themelorë të jetës sonë, burimi i parë i dashurisë dhe mbështetjes.
Poezitë dhe prozat e këtij libri prekin gjithashtu edhe temën e kujtimeve. Autorja shtron pyetje të thella mbi kalimin e kohës dhe ndjesitë që ajo lë pas në shpirtin e njeriut. Te “Harta e kujtimeve”, ajo përshkruan mënyrën sesi e shkuara është gjithmonë e pranishme në të tashmen, duke ndikuar në identitetin dhe rrugëtimin tonë.
Një pjesë tjetër e rëndësishme e librit është reflektimi mbi drejtësinë dhe padrejtësinë në botën tonë. Tek “A vritet pafajësia?”, autorja ngre pyetje mbi fatin e njerëzve të ndershëm që shpesh vuajnë pa meritë, duke e bërë lexuesin të mendojë thellë mbi të vërtetën dhe drejtësinë në shoqëri. Edina sjell një pasqyrim të realitetit tonë, ku shpesh ata që janë të drejtë vuajnë, ndërsa ata që manipulojnë e keqpërdorin të tjerët dalin fitimtarë. Kjo poezi është një thirrje për ndërgjegjësim dhe për të mos lejuar që e vërteta të mbytet nga gënjeshtra.
Një nga pjesët më prekëse të librit është proza poetike “Shpërngulja nga vendlindja”, ku autorja përshkruan dhimbjen e largimit nga rrënjët, ndarjen nga kujtimet dhe vështirësitë e fillimit të një jete të re larg shtëpisë. Përmes një gjuhe të ndjerë dhe të fuqishme, ajo përshkruan mallin për vendlindjen dhe sfidat emocionale që përballon një njeri kur largohet nga toka ku ka lindur.
Në mënyrë të veçantë, më duhet të theksoj prozën poetike “Tinguj shprese”, e cila shërben si një metaforë e fuqisë së artit dhe muzikës për të dhënë shpresë. Në këtë tregim, muzika bëhet një simbol i ndjenjave njerëzore dhe një mjet për të ndriçuar errësirën e shpirtit. Muzika, në duart e një pianisti të panjohur, kthehet në një burim ngushëllimi për ata që ndihen të humbur. Ky tregim është një dëshmi e bukurisë së artit dhe ndikimit të tij në shpirtin e njeriut.
E veçanta e këtij libri është se çdo poezi, çdo fjalë është e mbushur me sinqeritet dhe përcjell një mesazh të fuqishëm për këdo që e lexon. Edina Bajri ka sjellë një vepër që nuk të lë indiferent, por të shtyn të reflektosh, të ndjesh dhe të vlerësosh jetën me gjithë kompleksitetin e saj. Ky libër është një thirrje për të besuar te vetja, për të luftuar për ëndrrat dhe për të mos lejuar që sfidat të na mposhtin.
Si redaktore e këtij libri, kam pasur privilegjin të jem dëshmitare e një talenti të jashtëzakonshëm dhe një zëri të ri poetik që meriton të dëgjohet. Edina Bajri ka një ndjeshmëri të veçantë për fjalën dhe një aftësi të jashtëzakonshme për ta kthyer atë në një mjet shprese dhe fuqie për lexuesin. Poezitë e saj nuk janë thjesht vargje, por mesazhe që prekin zemrat e të gjithëve.
Dua ta përgëzoj nga zemra autoren për këtë krijimtari të veçantë dhe t’ju falënderoj të gjithëve ju që jeni sot këtu për të mbështetur artin dhe fjalën e bukur. Ju ftoj të lexoni “Tinguj shprese”, një libër që do t’ju mbushë me frymëzim.

(Fjala në përurimin e librit “Tinguj shprese” të nxënëses Edina Bajri në bibliotekën e shkollës fillore “Marshall Tito” – Ulqin, më 18 prill 2025)

Të fundit

më të lexuarat