Reflektim i laramanisë kulturore dhe identitare kombëtare

“Gjetja e një mase vlerash që bashkojnë të gjithë popujt pakicë në Mal të Zi është një detyrë e përgjegjshme dhe e vështirë, por është treguar se CEKUM-i mund ta bëjë këtë. Për mua më e rëndësishmja është që kjo revistë të jetë serioze, e vlefshme, e hapur për të gjithë krijuesit. Dhe mbi të gjitha të ketë vazhdimësi. Vazhdimësia dhe stabiliteti janë pikërisht gjërat më të rëndësishme që sjell një qytetërim”, ka thënë publicisti Mustafa Canka

Ulqin – Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave promovoi të enjten (27 shkurt 2025) në galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin numrin 24 të revistës për kulturë, shkencë dhe letërsi “Kod”, që botohet nga ky institucion.
Për rolin, rëndësinë dhe vlerat e kësaj reviste kanë folur publicistët Gazmend Çitaku, Mustafa Canka dhe Ismet Kallaba.
Në fjalën e tij, Çitaku ka thënë se revistat janë një formë e mediave që kanë pasur ndikim në kulturë dhe kanë drejtuar mënyrën se si të krijohet kultura dhe në çfarë drejtimi të shkojë.
Sipas tij, “revistat krijojnë mundësinë që përkrah emrave më të mëdhenj të kulturës të dëgjohen edhe zërat e atyre më pak të dëgjuar ose të margjinalizuar nga format e mediumeve tjera”.
Duke folur për revisën “Kod”, ai ka theksuar se ajo i përket një mediumi të specializuar, i cili te lexuesi përcjell njohuri lidhur me laramaninë kulturore dhe identitare kombëtare, duke u munduar që përmes letërsisë dhe kulturës të krijojë ura lidhëse.
“Revista KOD ka vite që punon për të edukuar shoqërinë duke shpalosur krijues dhe njerëz të kulturave të ndryshme të këtij areali. KOD-i pareshtur mundohet të gjejë, afirmojë dhe prezantojë krijues dhe kështu të nxjerrë në pah aspektet pozitive të tyre. Revista ‘Kod’ gjithashtu ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të mira kombëtare. Lexuesit mund të mësojnë rreth traditës, artit dhe elementeve të tjera kulturore”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo revistë “luan një rol të rëndësishëm në bashkimin e kulturave të shoqërive të ndryshme në Mal të Zi dhe në këtë proces kontribuon në shmangien e paragjykimeve dhe stereotipeve”.
Publicisti Mustafa Canka ka potencuar rëndësinë e pasjes së institucioneve për kryerjen e punëve dhe në këtë kontekst rolin e Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave.
“Besoj se ne jemi ndërgjegjësuar në këtë drejtim dhe prandaj është kaq e rëndësishme që të krijojmë institucione dhe pastaj ato të bëjnë punën e tyre. Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që ne të kemi Qendrën për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, ose siç e quajmë ne CEKUM-in, e cila boton një revistë të tillë”, ka thënë ai.
Canka ka theksuar se gjetja e një mase vlerash që bashkojnë të gjithë popujt pakicë në Mal të Zi është një detyrë e përgjegjshme dhe e vështirë, por është treguar se CEKUM-i mund ta bëjë këtë.
“Për mua më e rëndësishmja është që kjo revistë të jetë serioze, e vlefshme, e hapur për të gjithë krijuesit. Dhe mbi të gjitha të ketë vazhdimësi. Vazhdimësia dhe stabiliteti janë pikërisht gjërat më të rëndësishme që sjell një qytetërim”, ka thënë ndër të tjera ai.
Gazetari dhe publicisti Ismet Kallaba ka nënvizuar nevojën e komunikimit të kulturave të ndryshme.
“Ne jemi kultura të vogla dhe mbyllja në guacat tona, në kohën e rrezikimit dhe kërcënimit serioz nga globalizmi (nënkupto kultura globaliste) mund të përligjet dhe duket në pamje të parë si diçka e nevojshme në kohën që jetojmë. Por kulturat kanë nevojë të komunikojnë mes tyre, sepse krijimtaria në vetvete, qoftë artistike, letrare, muzikore etj. nënkupton lirinë, thyerjen e kufijve dhe të barrierave të ndryshme”, ka thënë ai.
Në këtë kuadër, ai ka thënë se revista “Kod” ka një mision të vështirë – së pari të bashkojë kulturat e pakicave në Malin e Zi, e duke u njohur ndërmjet vetes, të komunikojnë edhe me kulturën e shumicës.
Kallaba ka thënë se ne vuajmë nga kompleksi i vetëmjaftueshmërisë, prandaj “Kod”-i i shërben këtij komunikimi ndërkulturor.
“’Kod’-i simbolizon nevojën e daljes nga guacat tona. Por ‘të dalësh’ nga guaca nuk është e lehtë, sepse do të thotë të sprovosh, të rrezikosh. Kur lexon ‘Kod’-in mëson se sa shumë i kanë dhënë pakicat dhe sa shumë e kanë pasuruar mozaikun kulturor të Malit të Zi”, është shprehur ai.
Në fjalën përshëndetëse, drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, Gzim Hajdinaga, ka theksuar rolin dhe rëndësinë që ka kultura në jetën e një populli dhe vendi.
“Dhe besoj që edhe ata që deri dje nuk e kanë kuptuar këtë si vlerë, duhet ta kuptojnë se ky mozaik i përgjithshëm ku shqiptarët dhe pakicat japin kontribut domethënës, është vlerë e përgjithshme në mozaikun kulturor të përgjithshëm të Malit të Zi”, ka thënë ai.
Hajdinaga ka numëruar disa prej aktiviteteve të institucionit që drejton që prej ardhjes së tij në krye të tij.
“Jemi munduar që t’i shpalosim këto vlera, që ndoshta në këtë diversitet që ka Mali i Zi, shumëçka edhe nuk dihet për pakicat, të cilat unë shpesh e them – Mali i Zi ka një privilegj në krahasim me shtetet tjera, sepse një e katërta e banorëve të Malit të Zi i takon pakicave autoktone”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se gjatë muajve mars dhe prill Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave do të organizojë në Ulqin disa aktivitete kulturore.
Promovimi i numrit 24 të revistës “Kod” është organizuar në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës – Ulqin, ndërsa programi është udhëhequr nga gazetarja Dafina Teliqi.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat