Ironia e parodia si
vetëdije postmoderne
Poezia e Basri Çapriqit nuk ka kaluar pa u vënë re nga kritika letrare, e cila është shprehur me superlativa për të. Njëri ndër ta është shkrimtari e studiuesi i letërsisë Ag Apolloni i cili për poezinë e Çapriqit shprehet: “Përjashto veprat e tre-katër poetëve, poezia shqipe deri në dekadën e fundit të shekullit të kaluar është ose poezi rurale, ose poezi ideologjike. Basri Çapriqi, i cili krijimtarinë e tij e nis më 1983, bën pjesë te përjashtimet. Madje edhe te përjashtimet është i veçantë, aq sa mund të konsiderohet poeti i parë me vetëdije postmoderniste, ngaqë e përdor më shumë se çdo poet tjetër shqiptar ironinë, figurën kryesore të postmodernizmit dhe i dekanonizon standardet kulturore e letrare, nga vëllimi i parë (Ulli me dy mijë unaza,1983) deri tek i fundit (Zbutja e gjarprit, 2006).” (Basri Çapriqi, Përkryerja e shiut, Art Club, Ulqin 2013, f. 5)
Të ndalemi pak te koncepti i “vetëdijes postmoderne” dhe të mundohemi ta zbërthejmë duke u ndërlidhur edhe me poezinë e poetit Basri Çapriqi. Apolloni e konsideron veprën e Çapriqit vepër me “vetëdije postmoderniste” duke u nxitur nga dominimi i ironisë si kryefigurë në sistemin poetik të këtij poeti. Ky nuk është elementi i vetëm postmodern në poetikën e këtij poeti, por njëri ndër më të rëndësishmit në poetikën e Çapriqit, por edhe në poetikën e postmodernizmit në përgjithësi. Për autorët postmodernë, gjithçka vendosej në funksion të ironisë, e cila shkonte kah parodia dhe parodizimi. Për këtë arsye nuk mund të themi që ironia e intertekstualiteti janë shpikje të postmodernizmit, sepse ato kanë ekzistuar edhe më herët edhe tek autorë që nuk i kanë takuar kësaj poetike, mirëpo diferenca qëndron në mënyrën se si ata e përdorin atë. Duke qenë se ajo çka i karakterizon veprat e autorët postmodernë është erudicioni, ironia me qëllim parodizimi dallon nga ironia e autorëve të tjerë. Mirëpo çka ironizojnë autorët postmodernë? Ata ironizojnë mitin, historinë e duke shkuar deri te ngjarjet e përditshme.
Poezia ”Krijimi i botës dhe fundi”, duke ruajtur lidhjet intertekstuale me mitin e religjionin, ironizon skajshëm atë së bashku me qenien njeri, i cili sipas Çapriqit nuk është deleguar në këtë botë për asgjë mitike e heroike dhe se këto të fundit janë vetëm një gënjeshtër që na ka përcjellë ndër mijëravjeçarë të ekzistencës sonë. Heroike për subjektin lirik është që të jesh i vetëdijshëm mbi këtë gjë:
“Një herë e krijoi qenin
Pastaj më krijoi mua që të ketë ç’të hajë
Veten s’e llogariti ndër të vdekurit e rëndomtë.”(Basri Çapriqi, VEPRA 1, Kosova PEN Center, Prishtinë 2023, f. 125)
Si mjeshtër i fjalës dhe njohës i mirë i saj, Çapriqi në poezinë “Këngë fati” përmes figurës së ironisë dhe lojës me kuptimin e fjalës, arrin që të tregojë situatën e subjektit lirik dhe gjendjen e trazuar të tij, e cila paralelizohet me gjendjen e trazuar në aspektin kolektiv:
“Do të jem peshk a qen
Peshk (a) qen” (Po aty, f. 67)
Dy vargjet e lartcituara janë vargjet nistore të poezisë, e çka është më interesante është që poeti edhe në këtë poezi zgjedh që poezinë ta mbyllë në të njëjtën mënyrë si e ka nisur, por vetëm me një dallim. Në fund të poezisë, e cila në të njëjtën kohë përfaqëson edhe fundin e përsiatjeve meditative të subjektit lirik, e përfundon me vargjet të cilat shprehin dyshimin i cili kalon deri në ankth ekzistencial:
“kush do të jetë
Peshk (a) qen”. (Po aty)
Mirëpo, kur jemi te figura e ironisë është e pamundur që të tejkalojmë poezinë emblematike të Basri Çapriqit me titullin “Liria”. Në këtë poezi, si rrallë herë në poezinë shqipe shfaqet një subjekt lirik “i çliruar” nga temat e mëdha të karakterit ideologjik. Është tërësisht atipike për poezinë e mëhershme shqipe (e deri diku edhe të mëvonshme), që liria jo vetëm që nuk himnizohet por ndodh tërësisht e kundërta. Liria në poezinë e Çapriqit nuk është diçka që ia vlen që të japësh jetën për të e as të sakrifikosh asgjë. Rebelimi dhe moskokëçarja e subjektit lirik mbizotëron secilin varg të kësaj poezie.
Në mënyrë gati të njëjtë subjekti lirik shprehet edhe në poezinë “Kontributi im për revolucionin është zero”, ku ai ironizon me pseudoheronjtë e kohës moderne të cilët synojnë patetikisht të shprehin heroizmin e tyre.
Element tjetër i postmodernes në poezinë e Basri Çapriqit është loja me fjalët, me anë të së cilave herë përmes efekteve vizive e herë përmes përsëritjeve të qëllimshme të një fjale të vetme disa herë brenda një poezie arrihet një efekt tjetër. Këtë gjë e vërejmë te poezia ”Sizifi” në të cilën ironia postmoderne arrihet dhe theksohet më tepër duke përsëritur disa herë brenda një vargu të vetëm fjalën e njëjtë si fjalët: çelës, hark, zot, gur, fat, mjegull. Gjithashtu, fjala shkallë përsëritet në nëntë vargje të cilët përbëhen nga vetëm kjo fjalë. Këto vargje marrin formën e shkallëzimit zbritës, çka i jep edhe më tepër kuptim titullit të poezisë. Subjekti lirik i Çapriqit është një Sizif i cili, përkundër Sizifit mitik, rrotullon gurin poshtë, çka figurativisht konoton me degradimin e individit. Ky degradim tregohet në nëntë vargje, numër ky po ashtu simbolik, i cili menjëherë na konoton me nëntë rrathët e ferrit dantesk.
Poezia si koncept estetik
Përpjekja për kanonizimin e estetikës së letërsisë është një përpjekje e hershme, e cila gjenezën e vet e ka që në teoritë klasike me përfaqësues Platonin e Aristotelin dhe është problem teoriko-estetik i cili në teori të ndryshme është interpretuar në mënyra të ndryshme dhe ende ka vend për diskutim.
Nisur nga kjo gjë, ne po shtrojmë pyetjen se çka është poezia për Basri Çapriqin? Si duhet të jetë ajo? Si duhet shkruar? Natyrisht që përgjigjen e këtyre pyetjeve do të përpiqemi ta gjejmë pikërisht mes vargjeve.
Poezia “Jetë hiç artistike” është njëra ndër poezitë në të cilën mund të vërejmë pikëpamjet tipike postmoderne të Basri Çapriqit mbi poezinë, që mund ta vërejmë sidomos në vargun e fundit të poezisë: “Koha s’është për tema të mëdha arti nuk përtypet si buka”. (Basri Çapriqi, VEPRA 1, Kosova PEN Center, Prishtinë, 2023, f. 122) Në këtë varg, i cili si shumë vargje të tjerë të Çapriqit karakterizohet nga prishjet e rendit sintaksor apo mungesa e lidhëzave apo shenjave të pikësimit, që është një simbol i ngutjes, e cila i referohet ngutjes moderne, si diçka që e karakterizon gjithë epokën, ai jep pikëpamjet e tij mbi dy çështje shumë të diskutuara të estetikës së letërsisë, që janë çështja se cilat tema duhet të trajtojë letërsia dhe çështjen e lexuesit dhe kush mund ta perceptojë e lexojë poezinë. “Koha s’është për tema të mëdha” është shprehje e cila na lë të nënkuptojmë një qasje tipike postmoderne të autorit karshi zgjedhjes së temës së poezisë. Pra, epoka aspak heroike, nuk mund të prodhojë tema heroike. Në këtë mënyrë, autori nënkupton që vëmendja duhet të rikthehet tek e zakonshmja, tek e përditshmja, duke e larguar letërsinë nga temat e mëdha. Pra, letërsia të zhvishet nga çdo tematikë ideologjike.
“Arti nuk përtypet si buka” është shprehje e një ironie të hollë postmoderne me anë të së cilës vërtetohen pikëpamjet erudite të postmodernizmit si poetikë. Artin nuk mund ta arrijë ta kuptojë çdokush, edhe nëse temat janë nga e përditshmja dhe të frymëzuara nga kaosi i epokës që jetojmë, megjithatë arti i vërtetë gjithmonë mbetet sublim dhe me mision të vetëm artin dhe të bukurën.
Ironia postmoderne nuk i kursen as poetët. Çapriqi çmitizon e parodizon edhe figurën e poetit, i cili në periudha të ndryshme kishte pasur statuse të ndryshme. Në romantizëm poeti është konsideruar njeri i zgjedhur, prijës shpirtëror i individit e i popullit, Dichter. Këto koncepte i dekanonizon poetika e postmodernizmit dhe konkretisht edhe poezia e Basri Çapriqit, ku në poezinë “Miting poetik në Strugë” ai parodizon takimet mes poetëve duke shkruar:
“poetët rreshtohen në urë si ushtarët e Salaminës
e ndalin qarkullimin mbi Dri
Mund të kalohet vetëm prapa shpine
e ngrenë zërin bëjnë me gisht çojnë grushtat lart
si para fushëbetejës në Maratonë
fëmijët buzë Drinit qeshin me zë
dyshojnë në magjinë e fjalës” (Basri Çapriqi, VEPRA 1, Kosova PEN Center, Prishtinë 2023, f. 118).
Është tërësisht atipike për poezinë shqipe që një poet të parodizojë figurën e poetit e madje duke krijuar lidhje intertekstuale me poezinë e tij “Liria”, ai pikërisht mbas vargjeve që cituam lart, figurën e poetit do ta krahasojë me jashtëqitjen, njëjtë sikurse e krahason lirinë te poezia “Liria”:
“poetët janë pordhë e ftohtë më tha një plak në Strugë
kur dëgjoj vjershën liria”(Po aty)
Prandaj, duhet të pajtohemi me konstatimin e Ag Apollonit i cili Basri Çapriqin e konsideron si poetin më të guximshëm dhe reformator të poezisë shqipe: “Siç duket, Basri Çapriqi është i një mendje me J. L. Borges-in, se nuk ka letërsi pa poezi, sepse fiksioni i tij nga fillimi e deri sot lidhet vetëm me poezinë. Dhe me poezinë e tij e ka reformuar poezinë shqipe”.(Basri Çapriqi, Përkryerja e shiut, Art Club, Ulqin 2013, f. 14)
Vendlindja si figurë polisemantike
Vendlindja, qoftë si topos konkret e qoftë si topos meditativ e shpirtëror, zë një pjesë të konsiderueshme në kuadër të poezisë së Basri Çapriqit. Ulqini, Ana e Malit, Kraja e Tivari dhe grimca nga e kaluara, nga traditat e përditshmëria e njerëzve, askund më mirë nuk janë pasqyruar poetikisht se sa në poezinë e këtij poeti. Prandaj, kur jemi tek analiza e poezisë së Basri Çapriqit nuk mund të lëmë anash këtë pjesë të rëndësishme. Duke qenë që vendlindja si koncept merr përmasa polisemantike, ne do të mundohemi që brenda kësaj analize të shkurtër të paraqesim disa prej tyre.
Lidhja poetike e shpirtërore e poetit me vendlindjen mund të themi që dominon më së shumti në vëllimet e para poetike të tij, e sidomos në vëllimin e parë “Ulli me dy mijë unaza”. Në poezinë e cila pagëzon këtë vëllim poetik, ulliri si simbol i drejtpërdrejtë nga vendlindja më shumë se për të shpalosur imazhe apo simbolikën klasike që shpreh kjo bimë në letërsi, shpreh unifikimin e qenies njeri me këtë bimë. Në mënyrë të tillë shprehet studiuesi i letërsisë Nysret Krasniqi: “Është interesante: subjekti poetik krijon relacion gnoseologjik me ullirin, i cili për dallim nga dokumentet e dëshmon të kaluarën e vendit nëpërmjet jetës së tij dymijëvjeçare. Pra, Çapriqi ullirin e pandeh si monument të ambientit të vet, ku rrënjët e tij nën rrugë (ekzistenca e tij para rrugës), pastaj bregut tjetrën (lidhja e tij me gjenezën), degët mbi asfalt (koha e re), detit tjetrën (lidhja e pandarë me detin), dy mijë unaza (dy mijë vjet jetë dhe dashuri) japin trungun jetik të ullirit si shenjë e poetikës së detit.” (https://www.ceeol.com/search/viewpdf?id=696688 f. 3)
Pra, përmes ullirit poeti, përveçse spikat një element karakterizues të qytetit të Ulqinit, ai e zgjedh atë si dëshmitarin e tij poetik që të dëshmojë për lashtësinë e autenticitetin e vendit të tij, që të bëjë atë që historia nuk e ka bërë akoma.
Vetidentifikimin e subjektit lirik me bimën e ullirit e vërejmë edhe në poezinë “Ulliri ngjyrë hiri”, në të cilën autori paralelizon vuajtjet e subjektit lirik me ato të ullirit. E gjithë poezia rrjedh nga shprehja frazeologjike “Po heq të zitë e ullirit”, me të cilën fillon edhe kjo poezi e Çapriqit.
E një karakteri gati të njëjtë është edhe poezia “Ubla e Krajës”, e cila duke marrë si pikë referimi legjendën vendase për vitin e ndërtimit të këtij monumenti, kërkon që të rikthejë vëmendjen kah trashëgimia kulturore dhe mospërfillja kolektive ndaj tyre. Poeti përmend disa herë vitin 1001 (vit i cili sipas legjendës merret si viti i ndërtimit të monumentit), me anë të të cilit tregon edhe për lashtësinë e vendit por edhe e rifunksionalizon në kuadër të lojës postmoderne, duke qenë një numër që në letërsinë botërore na konoton me përrallat arabe të 1001 netëve.
Në poezinë “Në mes të ditëve të tregut”, Çapriqi merr një grimcë nga rutina e bashkëvendasve, siç ishin ditët e tregut, ditë të caktuara të javës, dhe e kthen në një meditim mbi “shit-blerjen” e dashurisë. Pra, nga një element nga përditshmëria e bashkëvendasve të tij, subjekti lirik mediton mbi dashurinë si ndjenjë e koncept filozofiko-meditativ. Janë të shumta poezitë në të cilat Çapriqi poetizon elemente nga përditshmëria e banorëve të Ulqinit, Anës së Malit e Krajës.
Në poezinë emblematike të Çapriqit, të titulluar “Anamalçe”, subjekti lirik shfaq revoltën e tij të brendshme se si vendi i tij nuk e ka një hero edhe pse heroizmi si cilësi nuk i ka munguar kurrë. Duke “kërkuar” llogari për mungesën e heroit anamalas, Çapriqi më tepër dëshiron që koncepti i heroizmit të zbresë në tokë dhe të kalojë te njeriu i zakonshëm. Në këtë mënyrë poezia e Çapriqit çlirohet nga temat e mëdha, e tashmë protagonistë të temave e ngjarjeve të mëdha janë njerëzit e vegjël, njerëzit e zakonshëm.
Përfundime
Poezia e Basri Çapriqit është poezi e pjekurisë së lartë poetike, të një poeti i cili në të njëjtën kohë është edhe ndër studiuesit më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Si i tillë, ai e njihte poezinë e letërsinë deri në detajin më të imët të tyre. Këtë gjë e vërejmë gjatë leximit, apo më mirë të themi gjatë rileximit të poezisë së tij, sepse poezia e Çapriqit kërkon lexuesin e sprovuar, atë që Umberto Eco e quan lexues model, i cili më tepër se për nga semantika e veprës është i fokusuar te semiotika e saj. Çdo shenjë e figurë nuk është e rastësishme në poezinë e Çapriqit. Secila prej tyre është e mirëmenduar dhe plotëson dhe rrit kënaqësinë e receptuesve të saj. Si e tillë, Çapriqi nuk mund të themi se mund të klasifikohet në grupin e autorëve veprat e të cilëve mund të lexohen me një frymë. Përkundrazi, leximi i poezive të Çapriqit përveçse që kërkon përqendrim të lartë, kërkon edhe dije teorike.
Poezia e Basri Çapriqit, si poezi tipike postmderne, sjell në letërsinë shqipe një stil e qasje të re. Subjekti lirik i këtyre poezive shfaqet i çliruar nga temat e mëdha dhe nën optikën e tij vëzhguese është e zakonshmja dhe njeriu i zakonshëm. Si e tillë poezia e tij nuk ka asgjë misionare, madje e parodizon skajshëm misionaren e heroiken. Këtë gjë e arrin përmes figurës së ironisë, e cila gëzon një vend komod në kuadër të poetikës së postmodernizmit.