Vitojë – Qendra Kulturore- Informative “Malësia” dhe Shoqata Kulturore- Artistike “Rapsha” organizuan të premten mbrëma (12 korrik 2024) në Vitojë, koncertin e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Prishtina.
Në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut, në vendin piktoresk të Vitojës, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” solli një atmosferë të këndshme argëtimi me këngë dhe valle autentike shqiptare nga repertori i tyre i pasur artistik.
Kryetari i SHKA-së “Rapsha”, David Junçaj në fjalën e rastit u shpreh se Malësia e Madhe, ky bajrak i shqiptarisë, ka mbajtur të lidhur me njëri-tjetrin vlerat tradicionale, duke u përpjekur që t’i ruajë dhe t’i kultivojë ato vlera, brez pas brezi.
Ai më tej shtoi se, pavarësisht se jetojmë të ndarë në shumë shtete, është gjuha shqipe, është flamuri kombëtar, si dhe këngët dhe vallet që na bashkojnë, “në një trung të përbashkët siç jemi sonte këtu”.
Kryetari i SHKA “Rapsha” i dhuroi një mirënjohje drejtorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Mehmed Xhemajlit, ndërkohë që ky i fundit duke e falënderuar drejtorin Junçaj për këtë mirënjohje, tha ndër të tjera që, së shpejti do të përfundojnë procedurat juridike për të bërë një memorandum bashkëpunimi me SHKA “Rapsha”.
Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” u shpreh se ndjen nder dhe kënaqësi që ndodhen në këtë ngjarje, ku ansambli “Shota” nga Kosova, erdhi të ndajë një pjesë të pasurisë kulturore dhe artistike.
“Tuzi, respektivisht Vitoja, kjo trevë e bukur e Malit të Zi është bërë sot një qendër ku bashkohen të gjitha ritmet, vallëzimet e meloditë tradicionale” u shpreh drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Mehmed Xhemalji.
Ndërkaq, në këtë manifestim përshëndeti Idriz Gjokaj, udhëheqës artistik dhe regjisor i programit në QKI “Malësia”, i cili duke iu uruar mirëseardhje mysafirëve nga Kosova dhe duke përshëndetur shoqatën vendase “Rapsha” tha se ansambli “Shota” na nderon me ardhjen e tij në Malësi.
“Të flasësh me gjuhën e trupit dhe të bësh atë tjetrin të të kuptojë është një ndër gjërat më të vështira për t’u arritur në të gjitha zhanret artistike. Ju dëshiroj mirëseardhje edhe në emrin e të gjithë juve prezent, për këtë mundësi, që të promovojmë traditën dhe vlerat tona më të mira e më të bukura, kulturore, artistike e identitare,dhe së dyti, që t’i shohim në performimin e tyre ‘live’ dhe pikërisht, këto thesare të bëhen garanci për etninë dhe etnitetin tonë dhe një urë lidhëse për të pasur bashkëpunime të tilla ndërkufitare të cilat qendra për kulturë i kultivon me motrat dhe vëllezërit nga Kosova”, u shpreh Gjokaj.
Ai tha se koncerti në fjalë ka rastisur të mbahet në 25 vjetorin jubilar të shtetit të Kosovës, prandaj, siç u shpreh ai, “i urojmë jetëgjatësi sa udhëtimet e shekujve në përjetësi”.
Në këtë mbrëmje kulturore dhe artistike, me këngë dhe valle nga repertori i tyre, performoi edhe Shoqata Kulturore- Artistike “Rapsha”.
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” është njëri nga ansamblet më të njohura dhe më të vjetra folklorike në Kosovë. I themeluar në vitin 1948 në Prishtinë, fillimisht si një shoqëri kulturore-artistike, “Shota” mori statusin e ansamblit profesional nga Kuvendi i Kosovës në vitin 1964. Ky ansambël ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin dhe ruajtjen e kulturës dhe traditave shqiptare përmes muzikës, kërcimeve dhe kostumeve tradicionale.
Ansambli “Shota” nuk është vetëm një grup artistik, por një institucion kulturor që ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol kyç në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Me një histori të gjatë dhe të pasur, ky ansambël vazhdon të jetë një simbol i identitetit dhe kulturës shqiptare, duke e pasuruar atë me performanca të jashtëzakonshme dhe një përkushtim të palodhur ndaj traditave
Repertori artistik i Ansamblit “Shota” përfshin një gamë të gjerë të muzikës dhe kërcimeve tradicionale shqiptare nga të gjitha rajonet e Kosovës dhe më gjerë. Ata interpretojnë këngë tradicionale, melodi popullore dhe valle që pasqyrojnë zakonet dhe traditat e ndryshme të popullit shqiptar. Këngët dhe vallet e tyre shpesh shoqërohen nga instrumente tradicionale si çiftelia, lahuta, dajrja dhe fyelli.
Performancat e tyre janë të njohura për saktësinë dhe autenticitetin e tyre, duke u kujdesur që çdo detaj, nga kostumet deri te lëvizjet e valleve, të jetë sa më i afërt me traditën origjinale. Kostumet tradicionale, të cilat janë një pjesë e rëndësishme e performancës, janë të punuara me dorë dhe pasqyrojnë stilin dhe artin e rajoneve të ndryshme shqiptare.
t. u.