Pozita sociale e shkrimtarit, liria e shprehjes dhe e drejta e autorit

Në konferencë kanë marrë pjesë shkrimtarë, përkthyes dhe publicistë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilët kanë trajtuar tema të ndryshme, si roli i shkrimtarit në shoqëri, përvojat personale me botuesit, pozita sociale e shkrimtarit në Kosovë, mbrojtja e lirisë dhe e pronës intelektuale, raporti i autorit dhe ideologjive, raporti i autorit dhe veprës, mbrojtja e të drejtave të autorit, liria e shprehjes dhe kufijtë e krijimtarisë letrare, aktivitetet promovuese për shkrimtarin, vlerësimi kritik i letërsisë, liria e shprehjes dhe sfidat krijuese, diskursi kulturor në Kosovë - me theks të veçantë në letërsi etj..

Prishtinë – PEN Qendra e Kosovës ka organizuar në Prishtinë konferencën dyditore (21-22 nëntor 2024) me temë “Pozita sociale e shkrimtarit, liria e shprehjes dhe e drejta e autorit”, në të cilën kanë marrë pjesë shkrimtarë, përkthyes dhe publicistë nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi.
Udhëheqësi i projektit, Prof. dr. Sali Bashota ka thënë se konferenca ka trajtuar një temë të qëlluar dhe mendon se ia ka arritur qëllimit të saj.
“Kjo konferencë për letërsinë tregoi se ne kemi nevojë të takohemi më shpesh dhe të diskutojmë edhe më shpesh lidhur me temat që na preokupojnë çdo ditë. Nga përvoja ime e gjatë në takime të ndryshme letrare dhe takime të tjera shkencore, lirisht mund të them se është njëri ndër takimet që për mua ka rezultat të jashtëzakonshëm, prej kumtesës së parë deri te kumtesa e fundit”, ka thënë ai në përmbyllje të konferencës.
Në konferencë janë lexuar 18 kumtesa, që sipas Bashotës, trajtojnë tema shumë të ndjeshme, ende të patrajtuara mirë në asnjë medie, as në asociacionet e shkrimtarëve.
“Jemi përpjekur që PEN Qendra e Kosovës bashkë me organizatorët e tjerë, që janë pjesëmarrës këtu, si PEN Shqipëria dhe ‘Art Club’-i, ta iniciojmë këtë aktivitet. E di që po na mungojnë edhe pjesët e tjera shqiptare, nga Kosova Lindore, Republika e Maqedonisë dhe nga diaspora, por synojmë që viteve të tjera të organizojmë aktivitete të përbashkëta me qëllim të afirmimit të vlerave dhe promovimit të kulturës shqipe në përgjithësi. Por edhe të debatojmë tema që janë me interes për opinionin dhe afirmimin e vlerave letrare, jo vetëm brenda hapësirës shqiptare, por edhe më gjerë”, ka thënë ai.
Konferenca për letërsinë është organizuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.
Drejtoresha e kësaj drejtorie, poetja Sibel Halimi, ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht e lumtur që kanë përkrahur një iniciativë të tillë, sidomos kur letërsia gërshetohet me mendimin dhe shprehjen e lirë, gjë që e ka efektin dhe rëndësinë e vet në shoqërinë tonë.
“Sidomos në një kohë kur mendimi dhe shprehja e lirë, në një formë apo tjetër, është atakuar nga të gjitha institucionet tona dhe nuk po arrijmë që të instalojmë edhe tek të rinjtë mendimin kritik dhe për rëndësinë e zhvillimit të mendimit dhe shprehjes së lirë”, ka theksuar ajo në fjalën përshëndetëse.
Halimi ka folur edhe për rolin dhe funksionin shoqëror të letërsisë.
“Letërsia është thirrje, apel që të shpëtohet e bukura që është krijuar së bashku me njeriun, të bukurën e shpirtit individual të njeriut dhe empatinë për shpirtrat tjerë me të cilët e ndajnë habitusin njerëzit tjerë. Të folurit për letërsinë dhe personazhet e librave si pjesë e kujtesës sonë është përpjekje për zbërthimin e kodit – nga vijmë dhe kush jemi”, ka thënë ajo.
Kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, ka thënë se në qendër të konferencës është shkrimtari, pra krijuesi i veprës letrare.
“Duke qenë se pozita e shkrimtarit nuk është aspak e mirë, as afër asaj që e do ose e parapëlqen autori, uroj që kjo gjë të mos reflektohet në disponimin tonë, të paktën gjatë kësaj konference”, ka thënë ai në fjalën përshëndetëse.
Kryetarja e PEN Qendrës së Shqipërisë, shkrimtarja Entela Kasi, e ka cilësuar konferencën si një nismë të rëndësishme dhe të bukur, ndërsa temën e saj aktuale dhe shqetësuese, jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por për mbarë njerëzimin.
“Gjithmonë kemi besuar dhe besoj se letërsia është atdheu universal i njerëzimit dhe autorët janë një botë shpirtërore e jashtëzakonshme dhe dëshmitarë të epokave që kanë jetuar. Ne nuk kemi nevojë të lexojmë histori, mjafton të lexojmë letërsi dhe t’i kthehemi njerëzimit, temave nga kohët antike në ato moderne për të kuptuar ku jemi”, ka thënë ndër të tjera ajo në fjalën përshëndetëse.
Kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ka folur për bashkëpunimin e kësaj shoqate me PEN Qendrën e Kosovës në organizimin dhe realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të ndryshme, duke thënë se urë lidhëse ndërmjet këtyre dy asociacioneve të rëndësishme letrare dhe kulturore ka qenë poeti, studiuesi i letërsisë dhe profesori universitar Basri Çapriqi, ish-kryetar i PEN Qendrës së Kosovës.
Ndërsa duke folur për temën e konferencës, ai ka thënë se ajo trajton një temë shumë të rëndësishme, sepse shkrimtari është strumbullari i letërsisë dhe pa të nuk ka as letërsi.
“Ne kemi nevojë që të flasim hapur, të debatojmë dhe të japim ide për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që lidhen me pozitën e sotme të shkrimtarit në shoqëritë tona, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e autorit, sepse hallet dhe shqetësimet i kemi pothuajse të njëjta”, ka thënë kryetari i “Art Club”-it.
Kumtuesit në konferencë kanë trajtuar tema të ndryshme, si roli i shkrimtarit në shoqëri, përvojat personale me botuesit, pozita sociale e shkrimtarit në Kosovë, mbrojtja e lirisë dhe e pronës intelektuale, raporti i autorit dhe ideologjive, raporti i autorit dhe veprës, mbrojtja e të drejtave të autorit, liria e shprehjes dhe kufijtë e krijimtarisë letrare, aktivitetet promovuese për shkrimtarin, vlerësimi kritik i letërsisë, liria e shprehjes dhe sfidat krijuese, diskursi kulturor në Kosovë – me theks të veçantë në letërsi etj.
Në fund të konferencës, e cila është mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, është bërë promovimi i botimeve të PEN Qendrës së Kosovës. Në këtë kuadër është bërë edhe përurimi i përmbledhjes me poezi “Baladat komite” të shkrimtarit malazias Jevrem Brkoviq, përkthyer në gjuhën shqipe nga Qazim Muja.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat