Poezi me filozofi jetike

Në këtë libër gjenden poezi me tematika të ndryshme, si poezi dashurie, poezi për mallin dhe mungesën, poezi për vetëbesimin, poezi revolucionare, poezi për miqtë, për sfidat e jetës, për diturinë, frikën, e mbi të gjitha poezi që vijnë nga brendësia, si valët e një zemre ku edhe tek lexuesi më i pavëmendshëm ngjall një rreze drite në fund të tunelit. Poetja arrin të prekë mendjet e lexuesve me një ndjenjë si detyrim moral, që edhe të tjerët të ndjejnë optimizmin që është paraqitur në poezi. Motivohet nga sfidat e jetës që përballemi çdo ditë, që rrjedhin si valët e detit duke u kthyer në valë zemre

Lumnije Metanoviq

Kur hyra në botën e librit fillova të lexoj me kujdes poezitë e para dhe menjëherë më erdhi frymëzimi të shkruaj për librin. Këtë frymëzim e mora nga vargjet e shkruara me shumë pasion, ku letra dhe pena janë miqtë më të mirë të Libertës.
Të shkruash dhe të botosh sot në këto kohë, ku frika nga pandemia pothuajse ka kapluar çdo njeri, për mua është një vullnet shumë i madh dhe një dashuri për jetën, njerëzit, artin dhe fjalën e shkruar. Thonë se shkrimtarët janë ata që sfidojnë kohën, sepse duke lënë në duart tona veprat e tyre, ata e bëjnë veten të jenë gjithmonë pranë nesh dhe brezave që vijnë pas.
Sado që të merr hov teknologjia, tekstet, qofshin në prozë apo në poezi, janë ato që të japin një ndjesi të veçantë, të rrëmbejnë dhe të bëjnë për vete. Këtë gjë e bëri edhe kjo përmbledhje me poezi e Libertës, e cila edhe pse në shikim të parë poezitë të duken të shkurtra e të thjeshta, ato thellë në vete e kanë një filozofi jetike që të mbërthejnë dhe të bëjnë të hysh në një vorbull mendimesh dhe emocionesh.
Këtë libër e cilësoj me shumë lëvdata dhe vlera poetike, por më së shumti e përgëzoj poeten për pasurinë letrare me të cilën e ka ilustruar librin, me aq përkujdesje dhe përsosmëri. Arsyen që ky libër me poezi është i pasur, e përbën shumëllojshmëria e temave që trajton dhe fushat të cilave autorja iu përkushton poezi.
Në këtë libër gjenden poezi me tematika të ndryshme, si poezi dashurie, poezi për mallin dhe mungesën, poezi për vetëbesim, poezi revolucionare, poezi për miqtë, për sfidat e jetës, për diturinë, frikën, e mbi të gjitha poezi që vijnë nga brendësia, si valët e një zemre ku edhe tek lexuesi më i pavëmendshëm ngjall një rreze drite në fund të tunelit. Poetja arrin të prekë mendjet e lexuesve me një ndjenjë si detyrim moral, që edhe të tjerët të ndjejnë optimizmin që është paraqitur në poezi. Motivohet nga sfidat e jetës që përballemi çdo ditë, që rrjedhin si valët e detit duke u kthyer në valë zemre.
Pasi që libri trajton tematika të ndryshme kam zgjedhur disa poezi t’i analizoj edhe pse zgjedhja ishte e vështirë, pasi që të gjitha të bëjnë për vete dhe të mbushin me emocion.
Poezia “Mërgimi” prek një pikë të dobët për të gjithë botën shqiptare e në veçanti trojet të cilat i paraqet Liberta, duke trajtuar diasporën dhe mërgimtarët. Që nga vargjet e para, poezia prek zemrat e mërgimtarëve duke tentuar të fluturojë për t’i takuar. Për të përgjithësuar gjendjen dhe për të treguar se sa i gjerë është problemi i mërgimit, poetja shprehet në vargjet:
“Atje larg i kam motrat
I kam prindërit që lotojnë
I kam vëllezërit që ju mungoj’’ – si për të treguar se të gjithëve na mungon një mërgimtar.
Më pas vijon të ushqejë dëshirën e tyre për t’u kthyer me vargjet:
“Kthehuni në foshnjën tuaj
Atje jeni foshnje e huaj” – duke tentuar të qartësojë dallimin mes dashurisë së vendit të vet me vendin e huaj. Gjithashtu me po këtë qëllim gërshetohen edhe vargjet e fundit, duke mbaruar me një thirrje të thjeshtë e aq kuptimplotë: “Kthehuni…”
Në poezinë “Gjenerali na tradhëtoi” poetja paraqet gjeneralin si një figurë kryesore të poezisë që mundohet të tregojë se të gjithë duhet të jemi gjeneralë të vetvetes dhe ashtu mund të fitojmë luftërat dhe të mposhtim sfidat pa ndonjë udhëheqës apo “Gjeneral”. Më së miri e paraqet me elementet e metaforës në vargjet:
“E fituam me shikim
Me dijeni
Luftë ishte,
Kënga nuk mungoi ”
Poezia “Dua të ndryshoj” ka një rimë të puthur, prek të gjithë ata lexues që ndihen se mund të marrin më shumë nga vetja, por rrethanat dhe sjelljet e njerëzve përreth nuk i mirëkuptojnë dhe nuk i vlerësojnë, përmban elemente këmbëngulëse dhe kritike ndaj gjykimeve të shoqërisë për njëri-tjetrin. Me vargjet:
“Më hidhni një shikim dhe do të mendoni
Se ç’është jeta ime, por s’do ta kuptoni” – paraqitet sfiduese ndaj botës.
Poezia “Ar mbi ne” është një poezi shumë interesante, në të cilën poetja gërsheton një mori mendimesh dhe ndjenjash drejt një dashurie të humbur. Kjo poezi prej 17 vargjeve, përshkruan gjendjen shpirtërore që nga fillimi me vargjet:
“Nata ishte mbi mua,
rreth meje drita të fikura” – të cilat tregojnë se shpirtërisht, gjithçka është e errët në rastin e një dashurie të humbur.
Më pas kemi edhe elemente të kontrastit dhe hiperbollës me vargjet: “Rrugët s’më tretën që të gjej” dhe “29 shekuj vajta në çdo fund”, ku nënkupton se një vit dukej i gjatë sa një shekull. Përgjatë vargjeve të fundit, poezia shpreh dashurinë me fjalët:
“Mbi truallin tënd, një melankoli,
Një këngë, një dashuri,
Një tastierë e mbaj në gji,
Si kujtim, dëshirë për ty”
Në fund përmendet dashuria e humbur si një “mollë e ndaluar” me vargjet:
“Emri im fjalë e fundit
Kur të tjerët të dërguan
Dhëndër s’pari kur të ftuan”
Libri “Valët e zemrës” është një përmbledhje poezish që e rrëmben shumë lehtë çdo moshë, qoftë ajo moshë e shtyrë, rinore apo edhe fëmijërore, sepse jo vetëm se në të gjen dashurinë, lumturinë, dhembjen e gëzimin, por këto poezi janë të ndërtuara me një gjuhë të thjeshtë, pa u ngarkuar me fjalë të huaja siç ndodh shpesh t’i dëgjojmë në ekranet tona, ku në një fjali të vetme përdoren fjalë të huazuara pa nevojë në fjalorin e tyre. Liberta nuk e bën këtë gjë. Ajo flet e shprehet qartë, është e ëmbël në gërshetimin e një strukture morfologjike mes dialektit dhe gjuhës letrare, që kështu të bën të fluturosh e të gjendesh pranë Malësisë së Plavë-Gucisë, pranë Alpeve Shqiptare.
(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në mjediset e Qendrës “Horizonti” – Milesh, më 21 dhjetor 2021)

Të fundit

më të lexuarat