POEZI: Argëzon Sulejmani

PA DASHURINË

Në qyteza si kjo e jona
Sheh çfarë në metropole as nuk mund ta përfytyrosh
Shembull, sheh vokalistin e grupit tënd të preferuar
Që bën banakierin në një kafene lagjeje
(Në fakt ai do të thoshte që bën vokalistin)
Ai ujdisë gotat më të bukura me limonë
Në qyteza si kjo e jona fundi i limonadave krahasohet me fundin e L2B
S’ka urban, metro jo se jo
Seç e gjenë veten papritur në sedilen e një kabine
Ku luhet “Long train running”
“Pa dashurinë
Ku do ishe ti tani
Pa dashurinë”…
Me kërkim të shpejtë gjen Anne dhe
“Muzika lundron prapë nga ne”
Në qytezat e vogla si kjo e jona
Ku shumica e rrugëve përfundojnë qorrazi
Ti dëshiron që kjo hekurudhë të mos mbarojë asnjëherë
Pa të keq e lutë vokalistin për “edhe një” rrugë të gjatë me tren
Vetëm kur në vend të refrenit
Të plasë në tavolinë edhe një teke fërnet
Të shkon nëpër mend se ku do të ishte bota tani
Pa qyteza si kjo e jona
Pa qytetarzinë
Pa dashurinë…

JETO

Kujto,
Një jetë do mbetet “na ishte njëherë”
Në përralla do ngjajnë ditë si këto
Motet do t’i lodhim për një copë verë
Deri sa të ketë jetë – ti jeto.

Mëso,
Jetët tona janë kështjella jote
E tonat vite syve tu ushtarë
Ti je shkrirja në yll e një bote
Amullisë së kohëve – ti i je fanar.

Jeto!

ZOT, MERRNA MË NGADALË

Zot, merrna kohën më ngadalë
Se po na zihet fryma
Tek e shikojmë
Të na kalojë para syve
Si një lokomotivë theqafëse
Që hamendëson cakun…

Zot, ta marrim rrugën më shtruar
Se po na lënë fuqitë
Përqiellshëm di vetëm Ti
Ka shumë cytje binarësh
Po shkëputemi prej tokës
Po ndryshkemi nënresh…

Zot, më ngadalë me emrat tanë
Bëj përemra të bukur prej tyre
Se nuk po e njohim veten
S’po na bëjnë këmishët tona
Kollaret e personalizuara
Po na e zënë frymën…

Zot, merrna më ngadalë!

JETA ËSHTË E BUKUR
(kronikë e brezit tim)

Si pesëvjeçarë
Cepi i botës sonë nuk rrotullohej
Krismat luanin trampolinën
Unicef ishte babadimri.
Kështu mësuam të kërcenim një kat shkallë
Por rrëzoheshim në shkallët lëvizëse.
Asohere bota ishte marroçe, të rriturit
Luanin lojët e fëmijëve njëmend, fëmijët Ngujoheshin para lajmeve të mbrëmjes.
Veç fëmijët patën mbetur pa flamuj
Ndërkohë “Zastava” ishte flamur, veturë,
allti, gjithçka.
Mësonim himne që ndërroheshin si çorapet
Minahedhësit orkestronin valët e radiove.
Si fëmijë pa çanta, pa klasë, pa kohë
Në ditar shënonim kalendarin e motit.
Ditoret tona janë përplot diell
Pa fjalë, pa pika, pa emotikone.
Rriska jonë e bukës projektohej e ndarë
Si Jugosllavia, ndahej,
Ndahej dhe të gjithë ishim shëndosh.
Veç harabelët mund të ndiqnin udhët tona
Ndërkohë kufijtë shtrëngonin si litar.
Ishim këmbëza të karrigeve që çonin lart.
“La Vita e Bella” mbante numër 2 dhe 1997
Luftat tona përhumbeshin numrave e viteve.
Secili nga ne i kishte tejkaluar njëmijë pikë.
Jeta jonë ishte e bukur – e bukur, më e bukura
Sepse ishte jona pa të dytë, para shekullit
Që cilësinë dhe shijen do ndërronte përditë.
Prandaj secilit i qeshemi në surrat
Kur na thotë t’i prijmë kohës, numrave
Kur na kërkojnë t’u prijmë ndryshimeve
Ha-ha-haaaa — Ha-ha-haaaa …
S’jemi të marrë – jo,
As të lodhur s’jemi, as të demotivuar
Thjeshtë jemi në kulmin e triumfalizmit
Shohim sa majtas – djathtas
Të thinjur dhe buzëqumësht
Që ngrenë përdhunshëm pas
Që shtyjnë rrejshëm përpara,
Pa motiv, pa motivacion.
Njerëz: Jeta është e Bukur!
Sepse më e bukura ishte fëmijëria jonë!?
Mos u shtyni e as mos na shtyni
Vetëm – edhe më – mos na shtypni.
Giosue-të që sot janë mbi të tridhjetat,
Sa shumë beteja i kanë fituar
Si dhjetëvjeçarë.

NË EMËR TË VITEVE

Ç’i tha gjendja ëndërr – syrit gjumë
Kur e pa nga një cep nëndhese
Rri me Zotin dhe ik nga unë
Kam me të pritë te një nënkrese.

Ç’i tha qenia ëndërr – syrit zgjim
Kur e pa nga një hark mbireje
Gjithçka nisi nga loti yt
Krejt e sotmja është falë teje.

I ndryj sytë dhe i hapë ëndrrat
Dritë nga to iu jap të dyve
Njomë lëkurën dhe të pabërat
Kështu iu falem mrekullive.
N’GURË E N’DRU’

Mur pa gur
Çati pa dru’
N’gurë e n’dru’!

PLAKÇE

Në një vend ku
Je më i vogël se të gjithë
Veç rri urtë
Dhe rritesh përditë.

Në një vend ku
Je më i madh se krejt
S’ke ç’pret tjetër
Pos me vdekë.

NYJE ME SHI

Më dhemb çdo nyje trupi
Tek bie shi…
Por më plandos
Nyja me emrin Ti.

Përplasem me shiun
Nëpër tehet e tokës
Dhe s’quhet vetëvrasje.
Sesi vjen ti në nyjën tënde
Dhe më shpëton pa dashje.

Dhe i mëtoj retë
Të bardhat, të largëta
Pa e menduar rilindjen.
Sesi vjen ti dhe ma këndellë
Pasionin përmbi bindjen.

Sa dhemb çdo nyje jete
Tek bie dashuri…
Por më ngufatë
Nyja që mbështolle Ti.

Kur rrezet lëshohen si shi
Paqe gjej te tehet në tokë
Nyjat zënë të shkrihen si qiri
Ti më jep dhe pak kohë…

Drita që hapë kanatat e shpirtit
Nyjat m’i shkrehë si pendël gri
Rrokë yjet, kërcej brigjet si çilimi
Deri në gjithësi, jo,
Por gjer te nyja Ti.

Të fundit

më të lexuarat