Peshkopi Arbanas – Vladika Arbanashka

Gazmend Çitaku

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të disa botimeve të librave të cilat janë me shumë vlerë për kulturën e përgjithshme. I tillë është edhe “Glosari iktiologjik” i Hajro Ulqinakut i cili këtë verë më bëri që ditët e plazhit t’i kaloj në kërkim, identifikim dhe pastaj fotografimin e peshqve në ambientin e tyre jetësor, pra nën ujë. Meqë deti jonë është shumë i pasur me lloje të ndryshme peshku padyshim se uji i pastër i Valdanosit paraqet parajsë për peshkun. Andaj ditë për ditë nga disa orë ia kushtova zhytjes dhe çdo ditë u befasova me gjërat e reja që mësova e vërejta brenda qetësisë së detit tonë. Bota e qetësisë së nënujit në të vërtetë ishte një botë shumë dinamike, ngjyra-ngjyra dhe plot harmoni. Në jetën e përditshme kemi përshtypjen se speciet nënujore rrinë të grupuara sipas llojit që i takojnë. Por, jo. Peshqit shoqërohen me njëri tjetrin dhe lehtë në çdo grup dalloja nga katër ose pesë lloje të ndryshme peshku që shoqëroheshin bashkë. Kështu fillova të shkoj gjurmëve të tyre dhe fotografitë çdo ditë vinin duke u rritur në kualitet.
Tashmë kisha edhe grupin e top peshqve që pa problem më vinin pas dhe pa përtesë më bënin poza. Bukurina, arava, fiku, marxhani, kallauzi, mrina, frati, shapurina, shkalpoçi, qefulli si dhe një lloj peshku ndër më të bukurit e me më së shumti ngjyra që quhej “peshku stolisur” e që veçmas do ia kushtoj disa rreshta në vazhdim.
Po fillojmë me radhë, atë çka lexoja në libër tani kisha mundësi ta gjeja në ambientin e tyre jetësor, ta identifikoj dhe ta bëj që të më bëj poza për fotografi. Pastaj në shtëpi kur i shkarkon fotografitë në kompjuter fillon procesi më i vështirë dhe më i bukur i përzgjedhjes së fotografive, ndarjes, grupimit dhe marrjes së informacioneve bazë për këta peshq. Kësisoj pa dashtë futesh në një botë komplet të paditur deri më tani. Futesh në një botë komplekse të një ambienti komplet ndryshe me rregulla dhe kushte plotësisht të reja për atë çka jemi mësuar nga jeta e përditshme.
Kështu deri dje nuk e kam ditur se peshku me emrin më të bukur shqip BUKURINA dallon shumë në pamje kur kemi të bëjmë me gjininë mashkull – femër të këtij peshku. Shkenca tregon se ky lloj peshku sikurse edhe shumë lloje tjera njihen për nga dimorfizmi gjinor. E që do të thotë se peshku mashkull e femër dallojnë shumë për nga pamja e jashtme. Kështu, shumë shkencëtarë deri vonë për bukurinën kanë menduar se kanë të bëjnë me dy lloje të ndryshme peshqish Coris julis (mashkulli) dhe Coris geofredi (femra). Mirëpo hulumtimet kanë treguar se kemi të bëjmë me të njëjtin lloj peshku por të gjinive të ndryshme.
Gjithashtu edhe peshku i quajtur FIK (Labrus mixtus) ka dallime të mëdha në ngjyrë ndërmjet gjinive dhe sipas një rregulli të pashkruar natyror gjinia mashkullore ka ngjyra më të bukura e më të gjalla me siguri për joshjen e gjinisë tjetër.
Ajo çka më bëri të bëj kërkime më të mëdha ishte një lloji shumë i bukur i peshkut që latinisht quhej Thalassoma pavo, miqtë tanë dalmatë e quanin VLADIKA ARBANASHKA që në përkthim të lirë i bie PESHKOPI ARBANAS. Dalmatët këtë lloj peshku e quanin “Peshkopi arbanas” sepse laramania e tij gjasonte me pelerinën e peshkopit arbanas andaj edhe i kishte mbetur kështu emri. Shpejt e shpejt në ndihmë thërras miqtë e mi peshkatarë që të më ndihmojnë në identifikimin e këtij peshku dhe gjetjen e emrit të tij në gjuhën tonë lokale të Ulqinit. Të gjithë që kontaktova të gjithë më thanë se është lloj i “shapurinës” dhe se shapurina në ujërat tona kishte diku gjashtë lloje. Normal ky shpjegim nuk më kënaqte. Konsultoj glosarin iktiologjik i Hajro Ulqinakut ku në faqen 23 përmend këtë lloj peshku me shpjegimin “shapurinë jeshile” por fotografi përcjellëse nuk ka. Konsultoj edhe “Fjalorin e emrave të kafshëve të Shqipërisë” nga Dhimitër Dhora. Kërkimin e bëj sipas emërtimit latin dhe e gjej në faqen 131 me shpjegimin Thalassoma Pavo / Peshku i stolisur (peshku pallua) / Ornate wrasse. Katalogu i peshqve të Adriatikut përpiluar nga kroatët për këtë lloj peshku japin edhe emërtimin në shqip “Karkaleci antenëgjatë i gjelbërt” dhe atë çka vërej të përbashkët në shpjegim është mbiemri “i gjelbërt” që është identik me shpjegimin që jep glosari i Hajro Ulqinakut.
Peshkopi arbanas ose shapurina jashile është lloj i peshkut që i takon familjes së buzakëve dhe hyn në grupin e peshqve të detit Adriatik me më plot ngjyra. Është lloj peshku shumë i shpejt që asnjëherë nuk mund ta hasësh duke pushuar por pandërprerë lëviz duke ndërruar shpesh kahun e lëvizjes. Ky peshk jeton në ambientet pranë shkëmbinjve dhe fushave të barit të detit (Posidonia) dhe zakonisht në thellësi prej 1-50m si dhe preferon ujërat e ngrohta. Në veri të Adriatikut është më i rrallë kurse me atë çka kam vërejt unë në Valdanos ky lloj peshku bashkë me bukurinën janë dominues. Peshkopi në fillim është i gjinisë femërore dhe me kalimin e kohës ndërron gjininë në atë mashkullore. Arrin madhësinë deri në 25cm por zakonisht më të shumtit janë deri në 20cm. Këtë peshk nuk mund ta hasim natën sepse futet në rërë dhe kalon natën. Zakonisht ushqehet me butakët dhe gaforre.
Një ditë duke dashtë t’i lavdërohem njërit prej shokëve, ia tregova fotografitë e disa peshqve që kisha fotografuar në akuatoriumin e Valdanosit e ai si për befasi më pyeti “Kush e ka këtë akuarium kaq të bukur?” Po e vërtetë i thashë se është i bukur dhe se është i të gjithëve ne, sepse fotografitë i kam bërë përmes zhytjes në Valdanos. Nuk kishte ç’ta bindte. Shkurt nuk i besonte syve se ke ne ka kaq peshq të bukur e ekzotik. Ndoshta fakti se jemi mësuar më shumë me llojet e peshkut që i konsumojmë si ushqim e që janë më të mëdhenj ka bërë që peshqit e vegjël t’i abstrahojmë dhe mos t’i njohim. Ja pra vetëm në akuariumin natyror të Valdanosit unë si laik nga fillimi i verës e deri më sot ia arrita të identifikoj dhe fotografoj mbi 20 lloje të peshkut që jetojnë në Valdanos. Ja pra miq zbulova edhe një anë të re të verës.

Të fundit

më të lexuarat