Përshkrim i Shqipërisë së vitit 2044

Ngjarjet zhvillohen në vitin 2044, kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar mjaft. Afganët, që tashmë janë shndërruar në shtet brenda shtetit, kërkojnë të pushtojnë Kosovën, për të krijuar një shtet më të madh, ose një Afganistan të ri në mes të Evropës. Një plan që shqiptarëve nuk u pëlqen, por nuk kanë forcë ta kundërshtojnë. Rreshtimi i Amerikës dhe Rusisë në këtë konflikt mund të shkaktojë një Luftë të Tretë Botërore

Tuz – Adhurues të fjalës së shkruar në një numër të konsiderueshëm, u njohën me veprën e fundit letrare, romanin “Komploti” të autorit nga Tirana, gazetarit, politikanit dhe shkrimtarit, Ben Blushi, i cili u promovua të enjten mbrëma (22 shkurt 2024) në QKI “Malësia” në Tuz.
Një vështrim të detajuar për atë se çfarë përmban dhe trajton ky libër, e shpalosi profesori i Gjuhës dhe Letërsisë, njëherësh, deputeti Nikollë Camaj, i cili tha se romani në fjalë është një aluzion i fortë për atë se çfarë mund të na presë dhe që ka drojë autori se mund të na presë.
“Sikur autori na tërheq vërejtjen se çdo gjë që i ka ndodhur dikujt, pritet të ndodhë edhe te ne. Apo sipas asaj të Coelhos, që një gjë që ka ndodhur njëherë mund të mos përsëritet, por një gjë që ndodhë dy herë, pritet se do të përsëritet. E ajo që po ndodhë në Evropë sot, sidomos kur bëhet fjalë për migrimet, dyndja dhe ndërrimi i strukturës etnike për çfarë as Shqipëria nuk ndjehet imune, sikur nuk e lë indiferent autorin. Kjo, ani pse e pritshme, e shqetëson atë, dhe këtë shqetësim në formën më të bukur artistike e përcjell edhe te lexuesi përmes ‘komplotit’, që e sajon në veprën politiko-fiktive “Komploti”, theksoi Camaj.
Ai ndër të tjera u shpreh se ky roman i jep lexuesit një fund më optimist, një shpresë se Lufta e Tretë, megjithatë, nuk do të ndodhë dhe shpresë se SHBA-ja dhe Rusia, nuk do të ndeshen mu në Shqipëri.
Ndërkohë, autori i romanit “Komploti”, përpara se të flasë gjerësisht mbi veprën e botuar, shprehu kënaqësi për interesin e shprehur ndaj veprës së tij letrare, edhe jashtë kufijve administrativ të Shqipërisë, duke thënë se është e rëndësishme që shqiptarët kudo që të jetojnë, të mos kenë kufij kulturor.
Ndërkaq, ai ka thënë se libri “Komploti” merr përsipër ta përshkruajë Shqipërinë e vitit 2044, pra dyzetë vjet më vonë.
“Libri quhet “Komploti” sepse në vitin 2024, sipas librit gjithmonë, në Shqipëri ndodhë një përplasje mes një komuniteti të madh afganësh dhe shqiptarësh” u shpreh në mes tjerash Blushi.
Ai duke folur për idenë për të shkruar këtë libër, tha se ajo ka lindur nga një vizitë që i kishte bërë Shën Gjinit vitin e kaluar, kur ai kishte vajtur atje për të bërë fotografi, dhe atje kishte parë shumë afganë që jetojnë. Dhe nisur nga numri relativisht i madh i tyre (afro tremijë) që jetojnë aty, e ka nxitur autorin që të shkruaj dhe të shpalos një vizion të tij se si në dyzetë vitet e ardhshme, në qoftë se këta afganë qëndrojnë aty dhe nuk ikin, ky numër i afganëve mund të shumëfishohet drastikisht, dhe nëse do ndodhte kështu, sipas autorit, gjeja e parë që do të ndodhte është ajo se ata do të merrnin bashkinë e Shëngjinit.
“Duke menduar për këtë skenar, më lindi ideja e këtij libri i cili parashikon që në vitin 2044, për shkak se Shqipëria u bë një vend i vogël ku çdo ditë po humb në popullsi, duke emigruar në Evropë, atëherë popullsia e Shqipërisë zvogëlohet. Dhe në qoftë se popullsia e Shqipërisë zvogëlohet, popujt tjerë, qofshin afganë, sirianë, afrikanë, bangladeshas, apo turq, ndoshta do të vinë të jetojnë në Shqipëri, ca për arsye pune, emigracioni, ca për arsye klime, e ca të tjerë për arsye se në vendin e tyre mund të persekutohen, dhe këto komunitete do të krijojnë një komunitet të madh siç ka ndodhur në Itali, siç ndodhë në Gjermani, në Francë, Angli, etj.” u shpreh Blushi.
Ai theksoi se në momentin që ata do të vijnë, siç mund të vijnë, ata do të organizohen, duke marrë një bashki, pastaj do të hyjnë në qeveri, më pas të kërkojnë pak më shumë pushtet dhe gjithnjë kjo krijon një përplasje në libër, “dhe nuk e di nëse kjo do të ndodhë në të vërtetë apo jo”.
“Një përplasje e cila përfundon me një komplot në mënyrë që afganët të mos realizojnë atë që kishin ëndërr, të marrin pushtetin në Shqipëri” tha z. Blushi.
Ai ndër të tjera ka thënë se ritmi i emigracionit në Shqipëri po rritet dukshëm, ku siç tha, njëzetë vitet e fundit, Shqipëria ka humbur rreth një milionë banorë.
“Që do të thotë se nëse ky ritëm vazhdon, në njëzet vitet e ardhme, mund të humb edhe 1 milionë banorë të tjerë. E para, se ka shumë emigracion dhe e dyta se ka lindje të ulëta. Dhe duke bërë këto llogari, shkova deri në vitin 2044 për të bërë këtë libër” tha autori, Blushi.
Ngjarjet zhvillohen në vitin 2044, kur në Shqipëri është krijuar një komunitet i madh afgan, ndërkohë që popullsia shqiptare është pakësuar mjaft. Afganët, që tashmë janë shndërruar në shtet brenda shtetit, kërkojnë të pushtojnë Kosovën, për të krijuar një shtet më të madh, ose një Afganistan të ri në mes të Evropës. Një plan që shqiptarëve nuk u pëlqen, por nuk kanë forcë ta kundërshtojnë. Rreshtimi i Amerikës dhe Rusisë në këtë konflikt mund të shkaktojë një Luftë të Tretë Botërore. Në këtë lojë futen edhe tre hebrenj të krisur, që për arsye të ndryshme, përpiqen të thurin një komplot për të penguar pushtimin e Kosovës nga Shqipëria dhe aleancën e kësaj të fundit me Amerikën.
Z. Blushi, për mbi një orë e gjysmë u ndoq nga audienca me shumë kërshëri, duke folur për tematika të shumta që ka dokumentuar në libër, por edhe për ngjarje dhe histori të ndryshme, ballkanike, evropiane dhe botërore.
Kjo është hera e parë që Z. Blushi e viziton Tuzi dhe që promovon në Tuz, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar, romani “Komploti” është përuruar në librarinë “Dukagjini” në Tiranë.
Ben Blushi është lindur në vitin 1969 në Tiranë, ku dhe mbaroi Universitetin për Gjuhë dhe Letërsi shqipe. Ka një karrierë shumëvjeçare si gazetar, politikan dhe shkrimtar. Gjithashtu, ka qenë edhe drejtor i përgjithshëm i “Top Channel”-it. Shkrimtari Blushi, ka një aktivitet të gjerë botues në krijimtarinë letrare me shumë tituj si; “100 ushtarë”, “Të jetosh në ishull”, “Otello Arapi i Vlorës”, “41 sekrete” etj.. Ai është nderuar me çmime të ndryshme letrare si “Kult”, si Eseisti i parë i vitit. Çmimi Evropian për Letërsinë, Çmimi “Lumo Skëndo”, etj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat