Përpjekje për të goditur fort fenomenet negative në shoqëri

“Edhe pse autori i veprës Faik Konica e ka shkruar ‘Doktor Gjilpërën’ para shumë vitesh, ne shikojmë dhe pasqyrohet edhe në vepër se është një aktualitet i kohës së sotme dhe ne si aktorë, si trupë e re, përpiqemi që të sjellim një energji dhe një forcë të re dhe t’i godasim fort fenomenet negative të shoqërisë”, u shpreh aktori, Ronaldo Kolgjokaj

Tuz- Shfaqja teatrore “Doktor Gjilpëra” një vepër satirike e Faik Konicës, e produksionit të Teatrit “Metropol” të Tiranës, me regjisor Klodian Çelmetën, u luajt të mërkurën mbrëma (18 dhjetor 2024) në sallën e QKI-së “Malësia” e cila u mirëprit me duartrokitje të shumta dhe me shumë admirim nga të pranishmit.
Përreth një orë shfaqje në skenë nga një trup studentësh të Akademisë së Arteve në Tiranë, ‘Doktor Gjilpëra Murati’, (një intelektual i ri shqiptar që kryen studimet për mjekësi në Rusi e Suedi dhe ndodhet para alternativës: të qëndronte jashtë apo të kthehej në atdhe) pas një karriere të suksesshme në spitalet më prestigjioze të Evropës, ku ka trajtuar njerëzit e elitës shoqërore, rikthehet në mëmëdhe.
Ai heq dorë nga një jetë me shumë përfitime për të ndërtuar një spital që do t’u shërbejë bashkatdhetarëve të tij. Por, në këtë përpjekje humanitare, ai përballet me drejtuesit e shtetit, të cilët janë pjesë e një bande kriminale me synimin për ta larguar dhe përfituar nga situata. I ndodhur përballë kësaj sfide të vështirë, ’’Doktor Gjilpëra’’ detyrohet të përdorë mjetet e tyre për të realizuar qëllimin fisnik për të cilin është kthyer.
Njëri ndër aktorët që luajnë në këtë shfaqjeje, Ronaldo Kolgjokaj në prononcimin për gazetën “Koha Javore” thotë se përmes saj, ata përfaqësojnë një pjesë të fenomeneve negative që ndodhin jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë.
“Edhe pse autori i veprës Faik Konica e ka shkruar ‘Doktor Gjilpërën’ para shumë vitesh, ne shikojmë dhe pasqyrohet edhe në vepër se është një aktualitet i kohës së sotme dhe nga ne si aktorë, si trupë e re përpiqemi që të sjellim një energji dhe një forcë të re dhe të godasim fort fenomenet negative të shoqërisë”, u shpreh aktori, Ronaldo Kolgjokaj.
Ai tha se mesazhi që përcjell në opinion “Doktor Gjilpëra” është ai kundër korrupsionit dhe aferave korruptive që ndodhin nëpër institucionet shtetërore e gjithashtu edhe pengimi i njerëzve të cilët duan të investojnë në këtë vend dhe duan të jenë të drejtë dhe me meritokraci, por që hasën me burokracinë dhe me problemet që shteti dhe sistemi i korruptuar iu sjell në rrugën e tyre.
Aktori në fjalë u shpreh se premiera e kësaj shfaqje e cila është dhënë në muajin tetor të këtij viti në Tiranë, ka qenë mundësia e tyre e parë që të marrin pjesë dhe të përfaqësojnë universitetin e tyre në “Metrofest”.
“Dr Gjilpëra” është shkruar dhe botuar në vitin 1924 në gazetën “Dielli” të Bostonit në formën e një proze të gjatë satirike.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat