Përmirësimi i infrastrukturës dhe adaptimi i hapësirave

“Pas rikonstruksionit do të ketë kushte më të përshtatshme për realizimin e programeve më të pasura dhe cilësore, duke përfshirë këtu shfaqjet teatrale dhe filmike, programet muzikore, ekspozitat e ndryshme dhe promovimet letrare”, thekson Lucaj

Tuz – Qendra Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz po i nënshtrohet rikonstruksionit të parë të rëndësishëm që nga ndërtimi i saj, para njëzet vitesh.
Nga ky institucion kulturor mësojmë se ndërhyrja ishte e domosdoshme, pasi hapësirat kryesore, si skena dhe galeria, kishin dalë pothuajse jashtë funksionit, duke e vështirësuar organizimin e aktiviteteve në përmasën dhe cilësinë e dëshiruar.
Zëdhënësja dhe përgjegjësja e sektorit programor në QKI “Malësia”, Bora Lucaj, në një prononcim për gazetën “Koha javore” thotë se godina kishte nevojë urgjente për standarde bashkëkohore të funksionimit.
“Këto kushtet jo vetëm që kufizuan jetën kulturore të qytetit, por edhe ndikuan në uljen e interesimit të qytetarëve për të marrë pjesë në aktivitete. Ndaj, ishte e domosdoshme që të ndërmerren hapa të rëndësishëm në ndërrimin e dyshemesë, të perdeve dhe sistemit për hapjen dhe mbylljen e skenës”, shprehet ajo.
Ndërhyrjet aktuale nuk parashikojnë ndryshime drastike në strukturën e objektit, pasi qëllimi është përmirësimi i kushteve ekzistuese dhe përshtatja e hapësirave për një funksionim më efikas.
“Projekti përqendrohet kryesisht në adaptimin dhe modernizimin e hapësirave, siç janë zyrat administrative, tualetet dhe hapësirat ndihmëse, duke krijuar kushte më të mira për punë dhe zhvillim të aktiviteteve kulturore. Një nga ndryshimet më të rëndësishme është përshtatja e qendrës për persona me aftësi të kufizuara. Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një institucioni më gjithëpërfshirës dhe funksional, në përputhje me standardet dhe ligjet që duhet t’i përmbushë çdo qendër publike e këtij lloji”, shprehet Lucaj.
Riparimi i çatisë ka qenë gjithashtu thelbësor, pasi reshjet e shiut kishin shkaktuar dëme materiale për shkak të depërtimit të ujit në sallë dhe skenë.
“Me këtë rast do të ndërhyhet edhe në fasadën e tërë objektit, gjë që nënkupton rifreskimin e ngjyrës”, thekson ajo.
E pyetur për rolin që QKI “Malësia” do të ketë pas rikonstruksionit në jetën kulturore të qytetit, Lucaj u shpreh se ky institucion do të vazhdojë të mbetet një pikë kyçe për zhvillimin kulturor të Tuzit dhe të Malësisë në përgjithësi.
“Pas rikonstruksionit, do të ketë kushte më të përshtatshme për realizimin e programeve më të pasura dhe cilësore, duke përfshirë këtu shfaqjet teatrale dhe filmike, programet muzikore, ekspozitat e ndryshme dhe promovimet letrare”, thekson Lucaj.
Ajo shtoi se përmirësimi i infrastrukturës do të sjellë më shumë mundësi bashkëpunimi me institucione kulturore dhe teatro, si në vend ashtu edhe jashtë tij, duke e shndërruar Qendrën në një urë lidhëse mes kulturës lokale dhe asaj ndërkombëtare.
Fokusi i tërë rikonstruksionit, sipas saj, mbetet përmirësimi i kushteve ekzistuese dhe adaptimi i hapësirave.
Lucaj e cilësoi Qendrën si një institucion të rëndësishëm për promovimin e artistëve të rinj dhe krijuesve të të gjitha moshave.
“Ajo ka luajtur një rol të veçantë në zhvillimin e artit në gjuhën shqipe, duke ofruar një skenë të hapur për shprehjen artistike dhe kulturore të popullatës sonë në Malësi. Rikonstruksioni do të krijojë kushte më të mira dhe më funksionale, gjë që pritet të nxisë edhe më shumë pjesëmarrjen e të rinjve në jetën kulturore”, shprehet ajo.
Sipas Lucajt, për shumë artistë të rinj kjo qendër ka qenë dhe mbetet vendi ku kanë prezantuar punën e tyre dhe kanë hedhur hapat e parë në skenën publike.
Investimi në rikonstruksionin e saj konsiderohet një investim i drejtpërdrejtë në zhvillimin e brezit të ri krijues dhe në fuqizimin e kulturës shqipe.
Në lidhje me programin e ardhshëm, Lucaj thotë se aktivitetet kulturore dhe artistike do të vazhdojnë të mbështeten në linjat programore të traditës së Qendrës, duke përfshirë muzikën, koncertet, artin pamor, shfaqjet teatrale për të rritur dhe fëmijë, promovimet letrare dhe kinemanë.
“Ajo që do të ndryshojë pas rikonstruksionit është cilësia e realizimit të këtyre aktiviteteve”, tha ajo.
Kushtet më të mira do të përmirësojnë përvojën si për artistët, ashtu edhe për publikun.
“QKI do të mund të jetë edhe më e hapur për risi dhe forma bashkëkohore të shprehjes artistike. Ekzistojnë ende nevoja të rëndësishme për përmirësime teknike, veçanërisht në ndriçimin dhe sistemin e zërimit, në skenë dhe në hapësirën e galerisë, të cilat janë elemente bazike për realizimin profesional të aktiviteteve kulturore”, theksoi Lucaj.
Sa i përket financimit të projektit, ajo tha se ai po mbulohet nga Drejtoria për Investime Kapitale, ndërsa mbështetja institucionale ka qenë vendimtare për realizimin e këtij rikonstruksioni.
“Ky është një shembull konkret i bashkëpunimit ndërmjet akterëve lokalë dhe institucioneve qendrore”, theksoi ajo.
Aktualisht, punimet po zhvillohen në katin e dytë të godinës, duke mos ndikuar në aktivitetet e përditshme.
“Kjo na jep mundësi të vazhdojmë me disa aktivitete edhe gjatë këtyre muajve. Megjithatë, së shpejti do të nisin ndërhyrjet edhe në katin përdhes, çka do ta bëjë të pamundur organizimin e aktiviteteve për një periudhë të caktuar”, u shpreh Lucaj.
Nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, rikonstruksioni pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti, kur është parashikuar edhe rihapja e plotë e Qendrës për qytetarët e Malësisë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat