Pasqyrim i tematikave sa historike, aq edhe aktuale në të gjithë truallin shqiptar

Tuz – Qendra Kulturore-Informative “Malësia” organizoi të martën mbrëma (27 gusht 2024) promovimin e romanit “Kush na mallkoi”, dhe përmbledhjen me poezi, “Pikëllim dhe shpresë” të autores Age Gjokaj- Ivezaj.
Për këto dy vepra letrare, vështrimet dhe kumtesat e tyre i shpalosën, prof. dr. Bexhet Asani, shkrimtari dhe publicisti, Fran Camaj dhe shkrimtari, Mëhill Velaj.
Shkrimtari dhe publicisti nga Malësia, Fran Camaj u shpreh se romani “Kush na mallkoi” është një roman social, me një titull mjaft intrigues që të nxit ta lexosh, ndërsa ndahet në nëntë kapituj.
“Titulli është mjaft interesant, “Kush na mallkoi?”. Mund të na kenë mallkuar thua, toka që e kemi braktisur, a thua të parët tonë që kanë derdhur gjak e djersë për mbrojtjen e asaj toke për të na e lënë neve që t’a trashëgojmë, por i tradhtuam. A thua na mallkoi perëndia që na dhuroi këtë tokë, këtë vendlindje kaq të bukur, ose të gjithë ne e mallkuam vetveten” theksoi Camaj.
Ai u shpreh se ngjarja në këtë roman zhvillohet në trekëndëshin, Malësi- Itali- Nju Jork, ndërsa koha në të cilën zhvillohen ngjarjet i takon fundit të viteve të 60-ta dhe fillimit të viteve të 70-ta të shekullit të kaluar, duke u shtrirë deri edhe në ditët e sotme.
“Autorja në këtë vepër trajton dy tema, sa historike, aq edhe aktuale në të gjithë truallin shqiptar. Fjala është për mërgimin e bashkëkombësve tonë nga trojet e veta etnike, fenomen i cili fatkeqësisht është i vjetër sa dhe kombi ynë. Temë tjetër bosht e këtij romani është pozita e femrës shqiptare, e në këtë rast asaj malësore e cila nuk është pyetur për asgjë, madje as për zgjedhjen e njeriut me të cilin do ta kalonte jetën dhe do të krijonte familje. Ndër personazhet kryesore të këtij romani është Leka me të gjitha tiparet e një burri të pavendosur e prapanik që e keqtrajton mizorisht të shoqen dhe të bijën që me sjelljet e tij të luhatura, bën t’a urresh me shpirt” u shpreh ndër të tjera, shkrimtari dhe publicisti, Fran Camaj.
Në të njëjtën kohë, në kumtesën e tij mbi veprën letrare “Kush na mallkoi”, Mëhill Velaj, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe u shpreh se, drama familjare dhe kolektive fillon që në faqe të para të rrëfimit të romanit, sikur do të na pasqyrojë realitetin tragjik të një familjeje e cila ndër breza qe sakrifikuar për lirinë e kombit.
“Njeriu malësor si i huaj në atdheun e tij në këtë roman dhe dramat që i shoqërojnë personazhet në këtë roman është një odisejadë pikëllimi, zhgënjimesh e mbijetese”, u shpreh ndër të tjera, Velaj.
Romani paraqet realitetin e hidhur të kohës dhe emigrimin masiv të popullsisë së Malësisë në Amerikë. Në mënyrë reale është paraqitur drama njerëzore, ndarja nga familja dhe nga bashkëvendësit. Në roman, malësorët paraqiten si trima të fjalës dhe të besës, me tradita dhe zakone e që dinë ta mbrojnë nderin e tyre dhe të familjes. Kështu paraqitet edhe Leka, protagonisti i librit, i cili për një fjalë goje që i kishte dhënë bashkëvendësit të vetë, e la familjen në Hot dhe u nis me të për në SHBA. Libri tregon realitetin e kohës, ku secili mërgimtar mund ta gjejë veten aty.
Përveç promovimit të romanit “Kush na mallkoi”, të njëjtën natë u bë promovimi i librit me përmbledhje poezish, i titulluar “Pikëllim dhe shpresë” i autores Age Gjokaj- Ivezaj i cili doli nga shtypi vetëm pak ditë më parë.
Mbi këtë vepër letrare foli doktori i shkencave filologjike, mbledhësi dhe studiuesi i folklorit, prof. dr. Bexhet Asani i cili tha se autorja në këtë përmbledhje poezish, ka përshkruar me besnikëri dhe përgjegjësi adetet dhe zakonet e kësaj Malësie.
“Traditat e malësorëve duhet të ruhen domosdoshmërisht, sepse njerëzit po na ikin dhe kjo është fatale për trevat tona, qoftë për Malësinë qoftë për vendet tona që është derdhur aq gjak, dhe ne sot largohemi” theksoi Asani.
Ndërkaq, z. Asani tha se autorja Age Gjokaj- Ivezaj kultivon paralelisht prozën dhe poezinë.
“Vëllimin poetik “Pikëllim dhe shpresë” e karakterizon dashuria si nocion i përgjithësuar, si dashuria dhe malli për atdheun, dashuria për popullin, dashuria për heronjtë, dashuria për fëmijët, dashuria për natyrën, etj. Kjo përmbledhje me poezi paraqet një spektër të gjerë ndjenjash, përvojash dhe reflektimesh që janë të lidhura ngushtë me jetën e mërgimit” u shpreh në mes tjerash, prof. dr. Bexhet Asani.
Ai ka lexuar poezinë “Elegji për vëllain Tomë Gjokaj” nga libri “Pikëllim dhe shpresë”, ndërsa një poezi tjetër po nga i njëjti libër e lexoi, Bekim Kelmendi, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe.
Autorja e këtyre dy veprave letrare, Age Gjokaj- Ivezaj në prononcimin për gazetën “Koha Javore” thotë se për të shkruar romanin “Kush na Mallkoi” e ka frymëzuar shpërngulja masive, veçanërisht ajo e viteve të 60-ta dhe 70-ta, përkatësisht emigrimi masiv i shqiptarëve nëpër kampet e Italisë dhe emigrimi në SHBA.
“Jam përpjekur të paraqes tek lexuesi atë me çfarë janë ballafaquar mërgimtarët në atë kohë. Ajo ka qenë një kohë kur ata nuk kanë di të shkruajnë as të lexojnë, nuk ka pasur internet sikur sot dhe në këtë mënyrë jam përpjekur t’i paraqes ata. Pastaj fati tragjik i vetë personazhit e përcakton edhe vetë titullin romanit” u shpreh autorja.
Age Gjokaj- Ivezaj lindi në Triesh të Malësisë. Shkollën fillore e mbaroi pjesërisht në Tuz dhe në Triesh, kurse gjimnazin në Tuz, e më pas u diplomua në Universitetin e Prishtinës në drejtimin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Pas mbarimit të studimeve u shpërngul në SHBA. Në Nju-Jork dallohet si veprimtare dhe pjesëmarrëse e shumë tubimeve me karakter kombëtar. Për disa vjet ka qenë bashkëpunëtore e rregullt në gazetën “Illyria”, e pastaj anëtare e Bordit Arsimor të Nju-Jorkut ku dhe punoi me fëmijët me nevoja të veçanta.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat