Pasqyrim i sfidave që lidhen me ruajtjen e vlerave tradicionale

Tuz – Në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut të fushave, profesioneve dhe pozitave të ndryshme, në sallën e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” të martën mbrëma (4 shkurt 2025) u bë përurimi i romanit “Livia” i autorit Mark Pashku – Lucgjonaj.
Në recensionin e saj, Dr. Sabina Osmanoviq, profesoreshë në Universitetin e Malit të Zi, u shpreh se romani “Livia” i Mark Pashkut vjen si një kronikë e fuqishme që trajton dilemat dhe konfliktet mes traditës dhe modernitetit, individit dhe shoqërisë, idealizmit dhe realitetit të kohës në të cilën jetojmë.

Botuesi i kësaj vepre letrare Frano Kulli, duke shpalosur disa impresione për librin nga pozita e tij si lexues, ka thënë se autori jo vetëm se fascinohet me të shkuarën dhe me shumëçka përreth saj, por se krejt qenia e tij gjallëron larg e jashtë, e shumë më pak brenda modernitetit


“Ngjarjet zhvillohen në Holta, një qytezë fiktive në Mal të Zi, gjysmë e braktisur, dhe sikur të mos mjaftonin fatkeqësitë natyrore – erërat e forta dhe zjarret shkatërruese – më e dhimbshme është shkatërrimi që asaj po i vjen nga vetë dora e njeriut vendas. Holta nuk është thjesht një sfond i zakonshëm, por një simbol i degradimit shoqëror dhe moral. Ajo përshkruhet si një ‘vend që vdes përmes rilindjes që po pëson’ duke pasqyruar një cikël të vazhdueshëm të rënies dhe ringjalljes”, u shpreh Osmanoviq.
Ajo më tej theksoi se protagonisti i cili qëndron në qendër të romanit, Leka, mishëron figurën e njeriut idealist që lufton për të ruajtur vlerat tradicionale, aq sa mundet dhe aq sa di.
“Sfida e tij më e madhe është të ruajë familjen e vet. Në anën tjetër, gruaja e tij, Livia, është një figurë moderne, e cila braktis pasionin për pikturën për një karrierë të suksesshme në një institucion shtetëror. Livia pasqyron femrën moderne, e cila përballet me një transformim të madh, e vendosur nën presionin e shoqërisë për t’u përqendruar te karriera dhe vetja, ndërsa ndien distancën që krijohet mes saj dhe Lekës, çka kulmon me kërkesën e saj për divorc”, tha Osmanoviq.
Sipas saj, përtej konflikteve personale, romani pasqyron realitetin e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në rajon, duke trajtuar fenomenin e migrimit, boshatisjen e zonave rurale dhe degradimin e familjes.
“Holta është një reflektim i shumë vendbanimeve shqiptare, të cilat, për shkak të ndryshimeve ekonomike dhe shoqërore, janë lënë në harresë. Kjo vepër është një homazh, për gruan si shtyllën e familjes dhe shoqërisë, një himn për miqësinë e sinqertë dhe ndershmërinë – vlera që po veniten nën trysninë e kohëve moderne”, u shpreh, mes tjerash, Osmanoviq.

“Sfida e tij më e madhe është të ruajë familjen e vet. Në anën tjetër, gruaja e tij, Livia, është një figurë moderne, e cila braktis pasionin për pikturën për një karrierë të suksesshme në një institucion shtetëror. Livia pasqyron femrën moderne, e cila përballet me një transformim të madh, e vendosur nën presionin e shoqërisë për t’u përqendruar te karriera dhe vetja, ndërsa ndien distancën që krijohet mes saj dhe Lekës, çka kulmon me kërkesën e saj për divorc”, tha Osmanoviq


Botuesi i kësaj vepre letrare Frano Kulli, duke shpalosur disa impresione për librin nga pozita e tij si lexues, ka thënë se autori jo vetëm se fascinohet me të shkuarën dhe me shumëçka përreth saj, por se krejt qenia e tij gjallëron larg e jashtë, e shumë më pak brenda modernitetit.
“Dhe bash këtu zë fill ajo drama e brendshme psikologjike, morale, shoqërore dhe njerëzore në përgjithësi. Një dramë që ia kalamend jetën sa në një stom në një tjetër, sa në një krah në krahun tjetër të tij dhe e bën të vuajë më shumë e më pak të gëzojë”, u shpreh ndër të tjera Kulli.
Ai më tej tha se kapërcimet jolineare të ngjarjeve të romanit, sa në përditshmërinë, sa në të shkuarën trashëgimore, me një zhdërvjelltësi të lakmueshme, e shpërfaqin qartë botën e brendshme të personit, të individit “që në të vërtetë është simbolika e vetë turmës, e shoqërisë sonë”.
Kulli tha ndër të tjera se libri përcjell një mesazh për qëndresë në sinoret e traditës, e cila e ka ruajtur ekuilibrin moral të shoqërisë njerëzore për shumë kohë.
Ndërkohë, një vështrim të detajuar për librin e paraqiti edhe Nikollë Berishaj, shkrimtar dhe përkthyes. Ai në mes tjerash theksoi se lufta e autorit të romanit “Livia” është një luftë për ruajtjen e familjes në rrethana të globalizimit gjithëpërfshirës që nuk lë asgjë dhe askënd pa prekur.
“Realiteti i Lekës gjen ngjashmëri të madhe me botën e ëndrrave në të cilën objektet e zakonshme e ato më të afërta të tij, deformohen dhe metamorfohen në mënyrë tejet të çuditshme, për të, të pakuptueshme, të papritshme dhe të paartikulueshme”, tha mes tjerash Berishaj.
Ai u shpreh se ngjashmëria e deformimit të jetës së tij, gjendet në një pikturë surrealiste të piktorit të madh, Salvador Dali “Orët që shkrihen”.
Ndërkaq, autori i romanit “Livia”, Mark Pashku – Lucgjonaj, duke falënderuar të gjithë të pranishmit në promovim, u shpreh se ajo që ai përpiqet të paraqesë nëpërmjet krijimtarisë së tij letrare, është krijimi i një pasqyre përballë lexuesit.
“Ajo që neve na shfaqet përpara pasqyrës është realiteti, se si ne jemi në të vërtetë dhe asnjëherë nuk na paraqitet ajo zonja që na thotë: Ti je më i miri në botë. Ti je më i bukuri në botë. Pra, te krijimtaria ime përpiqem që lexuesi të shohë defektet e veta dhe të shoqërisë”, u shpreh Lucgjonaj.
Krijimtaria e tij letrare, siç tha ai, lindi për shkak të “kacafytjeve” të tij që në vegjëli, me babanë e tij.
“Në fillim më ka shtyrë që të shkruaj ai konflikti që besoj se shumë prej nesh e kemi kuptuar, e kush s’e ka kuptuar, është fatkeqësi. Pra, në fillim, babai është armiku ynë më i madh, e pas një periudhe kohore e falënderojmë, sepse është i vetmi që na mëson për t’u përmirësuar e për përmirësim ka nevojë gjithsecili”, u shpreh autori.
Ajo që na mungon ne si shoqëri, tha ai, është guximi dhe besimi te vetvetja.
“Vetëm jeta jonë në kulla guri, sakrifica aq e madhe që është bërë me shekuj, dëshmon se ata kanë pasur një ëndërr për diçka. Dhe kur shkëputesh prej kësaj ëndrre, duhet të përqafosh një ëndërr tjetër”, u shpreh në mes tjerash autori, duke shtuar se ajo çfarë ne veprojmë sot, do të jetë e ardhmja e brezave që po rriten.

“Realiteti i Lekës gjen ngjashmëri të madhe me botën e ëndrrave në të cilën objektet e zakonshme e ato më të afërta të tij, deformohen dhe metamorfohen në mënyrë tejet të çuditshme, për të, të pakuptueshme, të papritshme dhe të paartikulueshme”, u shpreh mes tjerash Berishaj


Mesazhi që përcjell romani “Livia” është ruajtja e njerëzores përballë presionit të vazhdueshëm të ndryshimeve të pamëshirshme teknologjike dhe materialiste.
Në këtë vepër letrare shtrohen pyetje mbi drejtësinë, rëndësinë e familjes dhe sfidat që lidhen me ruajtjen e vlerave tradicionale në një kohë ndryshimesh të vrullshme.
Mark Pashku – Lucgjonaj ka lindur në Podgoricë në vitin 1986. Studimet katërvjeçare për gjuhë dhe letërsi i përfundoi në Prishtinë, kurse studimet master në Shkodër, në drejtimin Etnokulturë dhe Letërsi shqipe.
“Livia” është romani i tij i katërt. Më herët ka botuar romanet “Fshati i heshtjes”, “Ligji i maskave” dhe “Humbja”.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat