
Një poezi ku bëhen bashkë nocionet që (keq)përdoren më së shpeshti në përditshmëritë tona të këtyre dekadave: lufta, paqja, liria, demokracia, partia etj.
- Leximi i parë të shtang për vetë faktin se luftës i pason paqja e pamjaftueshme, pluralizmit, demokracia e pamjaftueshme, njeriut njerëzorja e pamjaftueshme. E gjithë kjo pamjaftueshmëri të shtyn të mendosh për faje, për mosdije, për pangopshmëri.
Lufta mbaroi (…)
Erdhi paqja (…)
Krijuam partitë (…)
Janë këta tre vargje që më shumë se dëftojnë, ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi pikat e tyre dëftuese. U gabuam nga mendimi që lufta mbaroi në gadishullin ku lufta gëlon vazhdimisht, apo u gabuam që paqja “erdhi” si mysafire e papritur!? Sa mund të ishte hap i gabuar relativizimi i demokracisë me pluralizmin politik? A nisi të qelbej nga koka demokracia jonë në ditët kur zgjidhnim ditë e përditë kryetarë e nënkryetarë? A thyhet kjo poezi në vargun “Krijuam partitë”? A është kryemëkati ynë: fshehja e mëkateve nën lëkurë!?
Për këtë nevojitet rileximi, pse jo i disahershëm i kësaj poezie që veçse vlerës poetike bartë dhe tagrin dokumentar të një kohe që sidomos shqiptarët (dhe besoj të gjithë ballkanasit) nuk duan ta kalojnë nëpër mend. - Poezia përfundon me një varg tejet të gjetur dhe, do të thoja, me një fjali që me pak fjalë bën përshkrimin e tranzicionit të stërzgjatur shqiptar drejt botës perëndimore: “Paaftësitë tona i bëmë slogane”. Meqë pandërprerë po e rilexoja këtë poezi, në leximin me zë po më ndërlidhej kësisoj vargu përfundimtar me titullin: Paaftësitë tona i bëmë slogane – DEMOKRACI. Vargu nuk shënjon individë as grupacione, por thirret në shumësin e përbashkët, thirret në: NE. Dhe nga këtu lind kryepyetja: a është demokracia (jonë) slogan abuziv dhe a është po kjo demokraci paaftësia jonë më e madhe!? Po sloganet tjera që i shpërfaqim hera-herës, me zë të lartë ose figura të zgjedhura, a nuk janë publikim i paaftësive tona!?
Poezia në fjalë, veç thelbit që dominohet nga një poetikë avangarde, ka dhe pjesën tjetër ose rrafshin social të saj. Në një kuptim, është nga ato poezi që sado shkon e fluturon tejet lart, sërish ateron, sërish prekë tokën në pikat e përditshmërisë së njeriut nga i cili zë fill dhe të cilit i flet. Zbret në pazar, aty ku luhet drama e përditshme jetësore (aty ku “vreri blihet me lekë”) dhe bën pyetjet rutinë të ditëve:
A ke shtëpi,
Ujë,
Drita a ke?
Thjeshtësia me të cilën poetja vjen në këtë pikë e relakson aq sa e përmbytë lexuesin, sidomos atë shqiptar. Është, le të themi, një requiem i asaj pjesëkohe, për të cilën bashkëkohësit janë të bindur që nuk përmban asgjë humane, si të tillë asgjë poetike. Pikërisht nga ky fakt mund të niset edhe rikuperimi i një shoqërie të dërrmuar nga kalimi i përnjëhershëm nga njëri në tjetrin ekstrem.
Poezia, shkurtimisht por mjaftueshëm, prekë dhe pjesën e publikes intelektuale, e cila është mjaftueshëm e aftë t’u ikë gjykimeve, por jo edhe tu prijë ndryshimeve.
(…) dhe shkruanim për lirinë
dhe fshinim me gazeta buzët (…)
Nga kaq pak rreshta, poetja sikur pajtohet me proverbin e vjetër shqiptar: nga e thëna në të bërë – është një det i tërë. Varianti i ri i metaforizuar prodhon tonelata celulozë të shkruar që shërben për të fshirë buzët, domosdo edhe B-të e tjera të cilat lihen t’i vetëkuptojë lexuesi. Gazetat dhe frekuencat demokratike që zëvendësuan gazetat dhe rrymat enveriste në Shqipëri, pa vërejte, do të ktheheshin në kopertina sloganesh që jo vetëm shpërfaqnin – të autorëve paaftësi, por mbulonin edhe të të njëjtëve pasuri. Duke u thirrur në median si pushtet, si pushtet i pavarur, publikja shqiptare në pak kohë arriti të varë gjithçka nën objektivin e vet. Popullit nuk i mbet gjë tjetër veçse të fshinte buzët me të dielat, ku mishin dhe byrekun e hanin politikanët dhe vartësit e tyre VIP-a. - Poezia ”Demokraci” hynë në poezitë më të realizuara për demokracinë shqiptare ose demokracinë te shqiptarët. Për këtë arsye, ka kohë që e kërkoj përmbledhjen me poezi të poetes Ardita Jatru – As terr, as dritë. Në shumë librari në kryeqytet as që e njohin autoren, kurse asnjë e tillë nuk disponon ndonjë përmbledhje të autores. Premtojnë që do ta sjellin me muaj të tërë, premtojnë që do të njoftohem për këtë gjithashtu. Një gjë e tillë nuk ndodhë tash e disa muaj. Ardita Jatru (Tiranë, 1972) emigroi në Greqi në vitin 1990 ku jeton dhe sot. Ka botuar tre vëllime poetike dhe një roman. Në 2017 është publikuar përmbledhja me poezi në anglisht, “66 Kilos of Solutide”, nga shtëpia botuese Transcedent Zero Press (USA). Poezitë e saj janë publikuar në revista letrare dhe antologji poetike ndërkombëtare.
Vij në përfundimin që poezia sikurse dhe demokracia nuk do duhej të mateshin me sasi por me cilësi. Nuk do duhej të mateshin me klikime apo shitje por me impaktin dhe reagimin që shkaktojnë. Kemi nevojë për libra që të na godasin si një gjëmë, që të na tronditin thellë, si vdekja e dikujt që e donim më shumë se vetveten; një libër duhet të jetë sëpata që çanë detin e ngrirë brenda nesh, thekson në një vend F. Kafka. Në ndërkohë, më vjen një informacion nga facebook-u që më thotë se një friends imi sapo ka bërë një publikim. Marr dhe e hap. Është një postim me motive politike shoqëruar me disa vargje të (keq)përdorura të një rilindësi shqiptar. Aty e kuptoj që, paaftësitë tona nuk bëjnë dot as slogane për të thënë. Zullumit i jap një Like si revoltë, kurse në vend të sloganit që do të përshkruante paaftësitë e mia marr dhe grijë buzën me dhëmbë.
DEMOKRACI
(Ardita JATRU)
Lufta mbaroi
Krimet tona i fshehëm nën lëkurë
dhe hapëm dyert
Erdhi paqja
dhe ne shihnim ëndrra me të vrarë
U përpoqëm të ishim të lumtur
Krijuam partitë
zgjodhëm dhe një kryetar
dhe shkruanim për lirinë
dhe fshinim me gazeta buzët
Njëri-tjetrin pyesnim me zë të ulët:
A ke shtëpi,
Ujë,
Drita a ke?
Tek pazar i Gabit blemë vrerin tonë me lekë.
U bëmë një turmë memece
pa shtëpi,
pa jetë,
me parti.
Nën lëkurë fshehëm bukur të vrarët tanë
dhe paaftësitë tona i bëmë slogane.