Organizoi ekspozitën me vepra të piktorit nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të tij

“Ajo përbëhet nga dy koleksione të mëdha të artit të tij. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit, është ai i Sead Gjokajt nga Podgorica, një kushëri entuziast i Gjeloshit i cili në dy dekadat e fundit ka arritur ta bëjë, pos monografisë më përfshirëse dhe më cilësore të krijimtarisë së Gjeloshit, edhe një koleksion të begatë privat të veprës së Gjelosh Gjokajt” theksohet në njoftimin e GKK-së me rastin e organizimit të kësaj ekspozite

Prishtinë – Galeria Kombëtare e Kosovës ka organizuar të mërkurën më 15 maj 2024 ekspozitën retrospektivë të piktorit të madh, Gjelosh Gjokaj, të titulluar “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj“, e kuruar nga Shkëlzen Maliqi, kritik arti, filozof, analist politik dhe intelektual nga Kosova.
Nga Galeria Kombëtare e Kosovës me rastin e organizimit të kësaj ekspozite, kanë njoftuar se vepra e Gjelosh Gjokajt është me vlera të pakapërcyeshme për kulturën e trevave shqiptare dhe të rajonit.
“Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, karrierën e denjë prej artisti, Gjelosh Gjokaj e ka zhvilluar edhe në Itali dhe Gjermani, ku për katër dekada ka jetuar dhe vepruar si artist i lirë. Në Kosovë Gjelosh Gjokaj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm si pedagog dhe themelues i shkollës së grafikës dhe si piktor”, theksohet në njoftimin e GKK-së.
Më tutje thuhet se kjo ekspozitë e organizuar për nder të të 90-vjetorit të lindjes së Gjelosh Gjokajt, përfshin vepra nga të gjitha fazat e zhvillimit të artit të Gjokajt.
“Ajo përbëhet nga dy koleksione të mëdha të artit të tij. Koleksioni bazë, me 75 vepra të artistit, është ai i Sead Gjokajt nga Podgorica, një kushëri entuziast i Gjeloshit i cili në dy dekadat e fundit ka arritur ta bëjë, pos monografisë më përfshirëse dhe më cilësore të krijimtarisë së Gjeloshit, edhe një koleksion të begatë privat të veprës së Gjelosh Gjokajt” theksohet në njoftimin e GKK-së me rastin e organizimit të kësaj ekspozite.
Në këtë ekspozitë, koleksionin e jashtëzakonshëm të Seadit, e plotësojnë edhe 18 veprat e Gjelosh Gjokajt që i posedon fundusi i Galerisë Kombëtare të Kosovës, që duhet të jetë koleksioni më i madh institucional i veprës së tij.
“Me këto dy koleksione, që janë kompatibile, është mëtuar arritja e prezantimit të tërësisë së opusit të Gjelosh Gjokajt, që as gjatë jetës së tij nuk është realizuar si retrospektivë e këtij formati përfaqësues. “Rrugëtimi Modernist i Gjelosh Gjokaj”, kuruar nga Shkëlzen Maliqi, është ekspozita më e madhe retrospektive që prezanton më shumë se 90 vepra që datojnë nga vitet e 60’ta, e deri në fillim të viteve 2000”, njoftohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës”.
Fjalën e nderit në këtë ekspozitë e ka mbajtur edhe nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Nik Gjeloshaj dhe i ngarkuari me punë i ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, Bernad Çobaj.
Mes shumë personalitetesh dhe figurash shtetërore, në këtë ekspozitë kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i kulturës, rinisë dhe sportit, Hajrullah Çeku, drejtoresha e Gelerisë Kombëtare të Kosovës, Alisa Gojani- Berisha, kushëriri i piktorit Gjelosha Gjokaj, Sead Gjokaj, etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 7 korrik, 2024.

Gjelosh Gjokaj (1933-2016) është njëri ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar.
Gjelosh Gjokaj u lind në vitin 1933 në fshatin Milesh të Malësisë. Shkollën e mesme të artit e kreu në Pejë, studioi në Akademinë e Arteve në Beograd ku dhe u diplomua në vitin 1963. Një vit më pas, ai themelon degën e grafikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Në periudhën 1964 – 1969 punoi profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë dhe së bashku me Mulliqin ishte njëri nga nismëtarët e themelimit të Fakultetit të Arteve Pamore ku udhëhoqi degën e Grafikës. Nga viti 1969 deri më 1983 punoi dhe jetoi në Romë. Nga viti 1983 jetoi në Augsburg në Gjermani dhe vitet e fundit të jetës i kthehet vendlindjes së tij, Mileshit që kishte lënë vulë aq të madhe në të. Ka qenë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve i Duklës. Gjokaj ishte fitues i Çmimit “Urdhri i Naimit të Artë” i akorduar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, fitues i Çmimit “13 Korriku” i Malit të Zi, fitues i Çmimit “Kritikët Zgjedhin” – Bolaffid’Arte Moderna, Torino – Itali (1975). Gjokaj ishte anëtar nderi dhe laureat i çmimit Tradicional të “Art Club”-it por edhe i shumë çmimeve prestigjioze artistike të Gjermanisë e gjetiu. Gjelosh Gjokaj la pas vetes si trashëgimi kulturore mbi 3 mijë vepra të çmuara artistike.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat