
Harald Haarmann, i lindur në Gjermani më 1946, është linguist dhe kulturolog gjerman. Jeton dhe punon në Finlandë. Ka doktoruar në Bon, më 1970. Ka ligjëruar dhe udhëhequr hulumtime në universitete në Gjermani dhe Japoni. Fushat e tij kryesore të studimit janë historia e kulturës, arkeomitologjia, historia e shkrimit, evolucioni i gjuhës, historia e religjionit. Më 2011 botoi në Munih librin “Das Rätsel der Donauzivilisation”.
Qytetërimi i Danubit ose Evropa e Vjetër është term që përdoret për kulturat autoktone evropiane të Evropës Juglindore që ekzistonin para ardhjes së indoevropianëve në rajonin aktual (nga 4500 deri në 2500 para Krishtit). Termi Evropë e Vjetër u përdor për herë të parë nga arkeologia Maria Gimbutas në librin e saj “The Goddesses and Gods of Old Europe” (1981), për kulturat para-indoevropiane të Neolitikut dhe Eneolitikut (6500 deri në 3500 para Krishtit). Termi i referohet territorit nga Egjeu dhe Adriatiku në jug, deri në Çekinë, Sllovakinë dhe Poloninë jugore në veri dhe Moldavinë dhe Ukrainën në lindje.
Libri “Enigma e qytetërimit danubian” përmbledh njohuritë ekzistuese, por gjithashtu sjell njohuri të reja për qytetërimin e Evropës së Vjetër. Në kapitullin e parë përfshihet zhvillimi i kulturave të para rajonale neolitike në Evropën Juglindore: Karanovo, Cucuteni, Trypillia, kultura Tisa, Lengyel. Në kapitullin e dytë autori e bën rindërtimin e gjurmëve gjenetike dhe gjuhësore. Në kapitullin e tretë dhe të katërt trajtohen hapësira ekonomike dhe arti. Modeli i shoqërisë egalitare shqyrtohet në kapitullin e pestë. Në kapitullin e gjashtë diskutohen besimet dhe mitologjia. Në kapitullin e tetë, autori merret me shkrimin e Evropës së Vjetër, ndërsa në kapitullin e nëntë flet për zhvendosjen e kulturave nga Ballkani drejt zonës së Egjeut të lashtë.
Haarmann merret me zhvillimin shpërthyes të qytetërimeve bujqësore neolitike në Evropën Juglindore në mijevjeçarët VII dhe VI para Krishtit. Siç thotë ai, “kalimi nga stili i jetës gjuetar-mbledhës në atë të bujqësisë, është një nga temat më komplekse në hulumtimin e parahistorisë evropiane”. Termi i mëparshëm “revolucion neolitik” u zëvendësua me termin “tranzicion”, pasi procesi i tranzicionit në bujqësi zgjati më shumë se 2 500 vjet. Gjurmët gjenetike homogjene të Evropës së Vjetër autoktone (gjenotipi mesdhetar) janë të vjetra rreth 12 000 vjet dhe përfshijnë sot Italinë jugore, Kroacinë, Malin e Zi, Serbinë, Kosovën, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Rumaninë, Moldavinë dhe Ukrainën. Haarmann thotë se grekët, si populli më i vjetër indoevropian i Ballkanit për të cilin ekzistojnë të dhënat më të vjetra me shkrim, “kur erdhën në atdheun e tyre të ri, hasën një popull që kishte jetuar atje shumë kohë para tyre. Në mitet e tyre”, thotë Haarmann, “grekët i quanin ata popuj Pellazgë”. “Gjuha greke i ka thithur këto elemente të huaja sikur një shpuzë” dhe thotë se në greqishte “sasia e elementeve të substratit para-grek është thjesht sensacionale”. Këto janë gjuhë që e kanë origjinën në Evropë dhe nuk janë sjellë nga jashtë”, thotë Haarmann. Tradita e evropianëve autoktonë daton nga Paleolitiku i vonë (rreth 12 000 vjet më parë) deri në epokën e bronzit apo edhe deri në epokën romake.
Haarmann gjithashtu merret me marrëdhënien midis shkrimit të Evropës së Vjetër (shkrimi i Danubit) dhe Mesopotamisë ose Egjiptit, dhe thotë se tradita e shkruar e qytetërimit të Danubit ndoqi rrugë krejtësisht individuale kulturore specifike që nuk mund të krahasohen lehtë me ato të Mesopotamisë ose Egjiptit.
Kontaktet e Evropës së Vjetër me stepat e banuara nga barinjtë nomadë indoevropianë të një rendi shoqëror patriarkal, në fillim ishin kryesisht të natyrës tregtare. Me kalimin e kohës, lidhjet midis evropianëve të lashtë në kufirin lindor të Evropës së Vjetër (Ukraina e sotme) dhe popujve të stepës u forcuan dhe supozohet se tranzicioni shkoi në dy mënyra: se meshkujt nga stepat martoheshin me gratë e popullatës bujqësore të Evropës së Vjetër. Një mundësi tjetër është që grupet më të vogla të nomadëve të stepës, përmes kontrollit të trafikut dhe rrugëve tregtare, u konsoliduan si elitë ushtarake përbrenda popullsisë së Evropës së Vjetër. Konsolidimi i nomadëve indoevropianë të stepës si një elitë filloi në rajonin e Varnës (Bullgaria e sotme) rreth vitit 4500 para Krishtit. Që atëherë, fillon vazhdimësia në procesin e indoevropeizimit që përcaktoi zhvillimin e bazës gjuhësore në Evropë mijëra vjet përpara. Megjithatë, Haarmann argumenton se kjo vazhdimësi gjuhësore nuk i referohet vetëm dominimit të kulturave gjuhësore indoevropiane.
“Ka gjithashtu indikacione që tregojnë mbijetesën e relikteve gjuhësore dhe elementeve të trashëgimisë multikulturore. Vazhdimësia nuk ka të bëjë vetëm me palën që e dominon një kulturë, sepse edhe pala që nuk është dominuese mund të ketë vazhdimësi”, përfundon ai.
Libri ekziston në përkthim shqip
(“Enigma e qytetërimit danubian”, Botimet Dudaj, Tiranë, 2021).