Ulqin – Në prani të një numri të madh të familjarëve, bashkëpunëtorëve, miqve, adhuruesve të librit dhe të kulturës, përfaqësuesve të pushtetit vendor etj., në sallën e leximit të Bibliotekës së Ulqinit, të mërkurën (21 shkurt 2024) u mbajt orë përkujtimore në kujtim të veprimtarit të kulturës dhe ish-drejtorit shumëvjeçar të këtij institucioni, Fadil Kroma, i ndarë nga jeta ditë më parë në moshën 83-vjeçare.
Ora përkujtimore filloi me një minutë heshtjeje.
Udhëheqësja e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama, ka thënë se me vdekjen e Fadil Kromës,
Ulqini humbi një qytetar të dashur e të respektuar, një intelektual të shquar, një veprimtar të kulturës, një atdhedashës, një njeri që do të mbetet përherë pjesë e ndritshme e historisë dhe krenari e secilit qytetar ulqinak.
“Ne, stafi i Bibliotekës, humbëm kolegun tonë, mentorin, prindin tonë të dytë, njeriun që na deshi si fëmijët e vet, që na mësoi e na udhëzoi pa përtesë, me dashamirësi e me vullnet të pashoq, duke na qëndruar afër gjithmonë, edhe pas pensionimit të tij. Humbëm njeriun i cili i vuri themelet e kësaj shtëpie të dijes, duke punuar me një entuziazëm të rrallë e me profesionalizëm për të krijuar jo vetëm një bibliotekë, por një qendër të mirëfilltë të jetës kulturore të Ulqinit”, ka thënë ajo, duke vijuar se falë tij ne sot kemi mundësinë të tubohemi në sallën e leximit të Bibliotekës së Qytetit, fëmijët mund të lexojnë libra shqip, studentët e studiuesit mund të shërbehen me enciklopedi e fjalorë, gazeta e revista, ndërsa Biblioteka krenohet me fondin e begatë të vendlindjes me autorë vendas.
Rama ka folur për kontributin e Kromës për krijimin e një biblioteke bashkëkohore në Ulqin, e cila për kohën ishte shembull për shumë biblioteka të tjera.
“Plot 36 vjet Fadil Kroma u angazhua me mish e me shpirt për të krijuar një bibliotekë bashkëkohore të qytetit me shërbime e me fond bibliotekar të pasur, për të përmbushur me sukses nevojat dhe kërkesat e bashkëqytetarëve të tij. Bëri çmos që nga një bibliotekë e vogël të ngre në këmbë një institucion të mirëfilltë të kulturës, një Bibliotekë për të cilën ishte dëgjuar anembanë ish-Jugosllavisë. Bashkë me kolegët e tij, stafin profesional bibliotekar, vendosi themelet, udhëhoqi dhe avancoi veprimtarinë informativo-bibliotekare, si dhe pasuroi ndjeshëm jetën kulturore në Komunën e Ulqinit, përmes manifestimeve e programeve të shumta kulturore e artistike”, është shprehur ajo.
Njëri ndër bashkëpunëtorët dhe miqtë e ngushtë të Kromës, profesori i muzikës Jusuf Lika, themelues dhe ish-drejtor i Shkollës së Muzikës në Ulqin, ka thënë se atë e kishte jo vetëm baxhanak, por më shumë – dorën e tij të djathtë dhe se për çdo gjë konsultohej me të.
“Fadili ishte një njeri i qetë, i kulturuar, i lexueshëm, me një fjalë njeri i mirë në kuptimin e plotë të fjalës. Kur është thënë Biblioteka e Ulqinit, menjëherë të shkonte ndërmend Fadili. Sepse ai ishte zemra e këtij institucioni për dekada”, ka thënë ai.
Lika ka thënë se Fadil Kroma na mësoi se si ta krijojmë dhe ta mirëmbajmë me përkushtim dhe dinjitet një institucion kaq të rëndësishëm si biblioteka.
“Ai ia kushtoi librit jetën e tij të plotë në këtë botë kalimtare. Kjo e fisnikëroi, e bëri rojtar të dijes dhe kujtesës sonë. Dhe ndikoi që shumë njerëz në këtë qytet të bëhen dashamirës të librave, të fjalëve të bukura dhe leximit, duke na porositur me plot dashuri: keni kohë për të lexuar – kjo është baza e urtisë”, ka theksuar ai, duke nënvizuar se Fadil Kroma ka dhënë një kontribut të madh edhe në hapjen e Shkollës së Muzikës në Ulqin.
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Prim. Dr. Gani Karamanaga ka folur për shoqërimin e tij me Fadil Kromën, prej të cilit ka thënë se ka mësuar shumë.
Ai ka thënë se largimi i Kromës nga jeta, përveçse përbën humbje për familjen e tij, është humbje edhe për bibliotekën dhe gjithë kulturën e Ulqinit.
Karamanaga ka thënë se megjithëse Fadil Kroma ka botuar vetëm një vepër, ajo është madhështore dhe ai zë vend të posaçëm në publicistikën dhe kulturën shqiptare.
Në orën përkujtimore poeti dhe publicisti Ibrahim Berjashi ka lexuar poezinë e tij kushtuar Kromës me rastin e vdekjes si dhe është lexuar mesazhi i ish-udhëheqëses së Bibliotekës dhe Sallës së Leximit në Tivar, Milla Çordasheviq, me të cilën Kroma kishte bashkëpunuar ngushtë.
Fadil Kroma u lind në Ulqin, më 2 shkurt 1941. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Shkollën e Mësuesisë në Nikshiq. Pas përfundimit të shkollimit punoi mësues në shkollën fillore “Marko Nuculloviq” në Shtoj, në vitin shkollor 1962/63. Më pas, në vitet 1965/67 punoi mësues në shkollën fillore “Boshko Strugar”, në paralelen e ndarë në Braticë. Prej më 1 shtator 1967 e deri në daljen në pension në vitin 2003 ka punuar në Bibliotekën e Qytetit të Ulqinit, të cilën e ka udhëhequr me shumë sukses. Gjatë kësaj periudhe ky institucion u bë jo vetëm institucion i dijes, por edhe qendër e jetës kulturore dhe e veprimtarive të ndryshme në Ulqin. Krahas kësaj, ai ka ushtruar edhe detyra të tjera me rëndësi në fushën e bibliotekarisë, kulturës, arsimit etj.. Për kontributin e tij në fushën e bibliotekarisë e kulturës në përgjithësi është dekoruar me shumë mirënjohje e plaketa. Në vitin 2015 ka botuar librin “Shënimet e bibliotekistit”, një monografi mbi historikun e zhvillimit të Bibliotekës së Ulqinit dhe jetës së tij profesionale në krye të saj. Vdiq të dielën, më 11 shkurt 2024.
Ora përkujtimore është organizuar nga Qendra e Kulturës – Biblioteka e Qytetit – Ulqin.
i. k.