Të mërkurën, më 27 nëntor me rastin e festës së 28 Nëntorit – Ditë së Flamurit, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi organizuan në Ostros kremtimin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Me këtë rast, në kuadër të manifestimit u përurua libri me argumente “Bllaca ’99” përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe. Të pranishmit në fillim i përshëndeti moderatori i manifestimit Ali Gjeçbritaj. Në fjalën e tij për rëndësinë e kësaj feste ai u shpreh: “Prania juaj kaq masive ka rëndësinë dhe vlerën e vet edhe më të madhe nga vetë fakti se nderoni veten, neve si organizator dhe atë më të rëndësishmin – kombin dhe flamurin shqiptar. Vlera shumëdimensionale e 28 Nëntorit nuk mund të matet me fjalë. Për këtë datë të shkruar me shkronja të arta, flet historia, puna e atdhetarëve dhe patriotëve tanë që me pushkë dhe me pendë sakrifikuan dhe u flijuan për të pasur shtëpinë e vet- shtetin e vet. Vetëm pas këtyre përpjekjeve dhe sakrificave rrumbullakoset një ide shekullore e kamotshme e cila bëhet sublime përfundimisht me shpalljen e pavarësisë. Edhe shpallja e pavarësisë së kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e saj vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më Luftën Çlirimtare të UÇK-së. Pikërisht për këtë, sot në kuadër të manifestimit të Ditës së Flamurit do të bëjmë përurimin e librit me argumente “BLLACA ’99” përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe të autorit Jahja Luka. Për librin do të flasin përveç autorit edhe Xhevat Limani, aktor, skenarist dhe regjisor dhe Dibran Fylli, regjisor. Para se t’ua japim fjalën atyre që do të flasin për librin më lejoni që t’i them edha dy fjalë tjera rreth 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë.
Secila shtëpi niset nga themelet, e pikërisht me 28 Nëntor të vitit 1912 plaku i urtë, diplomati me famë botërore Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë. Ishte ky nëntori i dytë pas atij të Skënderbeut.
Kur kemi të bëjmë për flamurin kombëtar, pikërisht në Vlorë më 28 Nëntor 1912, pra këtu e 112 vite më parë, këtyre ditëve hasa një të dhënë historike, gjegjësisht lexova një shkrim me mjaft interes kur Ismail Bej Vlora arrin në Vlorë më 27 nëntor 1912 kur edhe u vendos që të nesërmen të shpallet pavarësia e Shqipërisë, u kërkua me shpejtësi një flamur. Atëherë Hydai Myftiu, mik i familjes Vlora, mori flamurin nga dhoma e Ekrem Bej Vlorës, i cili e kishte shtëpinë në të njëjtin kopsht me Xhemail Bej Vlorën ku edhe banonte Ismail Qemali.
Në orën dy e gjysmë, pasditen e datës 28 nëntor 1912 është ngritur flamuri në një shtizë të vogël në ballkonin e shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës. Ky flamur që ishte i Don Aledro Kastriotit, qëndroi aty në shtizë për dy javë derisa u zëvendësua me flamurin që qëndisi Marigo Pojzo, bashkë me zonja të tjera vlonjate…” dhe vazhdoi: “ Nuk e di se a e dimë të gjithë se në shpalljen e pavarësisë ka marrë pjesë edhe një krajan. Ai është Cuf Selimi nga një fis i ardhur prej Vuçkajsh në Perashaj. Kur u mor vesh se po shpallej pavarësia dhe po ngrihej flamuri në Vlorë, ai pasi siguroi ushqimin e udhëtimit u nis dhe shkoi në këmbë drejt në Vlorë për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme. Nuk dihet se sa zgjati udhëtimi veç dihet se nga Xhamia e Arbneshit deri në Shkodër është llogaritur tri orë rrugë këmbësorie. Distanca në mes Shkodrës dhe Vlorës është 218 km. Natyrisht, se prapë është kthyer në këmbë. Kur u kthye në Krajë e pyetën se çka është folur atje. “Nuk asht fol shumë, por u shpall pamvarsija e na këna rrahë shuplakë (duartokitë) për Shqypninë e lirë. Ka pas shumë kallabllëk (popull) at ditë atje”, tha ai. Edhe pse për këtë nuk haset deri sot ndonjë e dhënë e shkruar, në kujtesën dhe mendjen e popullit të Krajës emri i Cuf Selimit si pjesëmarrës në ngritjen e flamurit me 1912 në Vlorë është përcjell brez pas brezi nga goja e popullit. Një dëshmi të tillë e hasim edhe te kënga popullore patriotike “Krajl Nikolla me sy n’Shkodër”, ku në strofën e katërt në vargun e tretë dhe të katërt poeti popullor shprehet: Me dymdhetën n’Vlon kush mrrini/Patrioti – Cuf Selimi.
Për librin “Bllaca ’99” folën Dibran Ylli, regjisor dhe aktor, Xhevat Limani aktor dhe regjisor dhe autori Jahja Lluka. Ndër të tjera në fjalën e tij Dibran Ylli tha: “Për të dëbuarit në Maqedoni, kryesisht flitet në këtë libër, vendi i ferrit ishte Bllaca ku njerëzit ballafaqoheshin me vdekjen në rend të parë të moshuar, të sëmurë, fëmijë, të lodhur, të rraskapitur, të uritur e të mërdhitur erreshin po nuk dinin a do të gdhinin, a do të agonte apo zbardhte drita. Bllaca është një katastrofë njerëzore politike antihumane ndaj një populli të pambrojtur shqiptar. Bllaca si e këtillë u dënua nga opinioni humanitar demokratik ndërkombëtar. Deri në fund të majit të vitit 1999 nga Kosova ishin përzënë me dhunë shtatëqind e tridhjetë mijë shqiptarë, prej tyre gjashtëqind e pesë mijë në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë, ndërsa njëqind e njëzetë e pesë mijë në vendet tjera të Evropës, Amerikë dhe në Australinë e largët. Duke llogaritur të dëbuarit me dhunë edhe më herët del se Serbia shpërnguli me dhunë një milion shqiptarë nga Kosova deri në maj të vitit 1999”.
Aktori Xhevat Limani në fillim interpretoi një monolog për Skënderbeun, ndërsa lidhur me librin ndër të tjera tha ”Vëllezër të një gjuhe, të një gjaku! Geni im arbnor, babai im dëshmoi e unë u rithem përsëri dhe truallit të bukës dhe gjakut i thonë Arbëri. Studiuesit, akademikut, shpirtmadhit, shpirtkërkuesit të dramave të popullit të Kosovës, zotërisë Jahja Lluka unë i vë një paralele me Virgjilin, i cili në katet e ferrit tregonte të vërtetën e popullit të vet. Edhe mjeshtëria e Jahja Llukës i cili libra shkruan në bazë të kronikave historike, në bazë të rrëfimeve jetësore duke ua shtuar edhe pak imagjinatë artistike që u lejohet krijuesve. Këto tri elemente janë simbioza dhe shtylla vertebrale e studiuesit Jahja Lluka i ka këta që në hyrje të librit, i ka këta ciceronët apo Virgjilët. Virgjilët e Jahja Llukës janë gazetarët, gazetarët shqiptarë që kanë qëndruar besnikë, kanë rrezikuar vetën, kanë pranuar me vetëdije rolin e viktimës e sakrificës vetëm e vetëm për të dëshmuar para kombit, para Zotit, para pasardhësve të gjakut të Kastriotit”. Autori i librit Jahja Lluka tha se qëllimi i këtij libri është që përjetimet të mbeten të dokumentuara që pasardhësit të kenë mundësi të njihen dhe t’i lexojnë ata dhe shtoi “Shpërnguljet e shqiptarëve nuk kanë qenë veç gjatë luftës se fundit. Akademia e Shkencave Serbe dhe Kisha Ortodokse serbe kanë bërë projekte të veçanta për shfarosjen e popullit shqiptar. Vetëm të të shkojë mendja me shfarosë një popull është gjenocid, jo që këta e kanë pasur edhe në praktikë. Gjëja e fundit që ka provuar Millosheviqi për ta asgjësuar popullin shqiptar ka qenë plani “Patkoi” ku ka shpërngulur një milion shqiptarë. Kanë qenë tri porta kryesore: Kukësi, Bllaca dhe Rozhaja e nga Rozhaja pastaj nëpër trevat shqiptare në Mal të Zi. Shpëtimi i shqiptarëve në Bllacë kanë qenë shqiptarët e Maqedonisë. Njëjtë vlen edhe për Ulqin, Rozhajë dhe Kukës. Për Kukësin mos të flas. Në vitet e nëntëdhjeta Kukësi s’ka pasur bukë as për vete, por i ka hapur dyert për shqiptarët e Kosovës”, përfundoi ai.
Ishte kjo një orë e madhe e historisë kombëtare. Në fund moderatori falënderoi autorin, folësit dhe pjesëmarrësit në manifestim duke u shprehur:
Kujtojmë se derisa qëndronin në Bllacë shqiptarët regjistruan vuajtje, vdekje, uri, të ftohtë, trysni psikike…, Bllaca atëbotë u bë kufi jo ndërmjet shteteve, por ndërmjet jetës dhe vdekjes. Kjo katastrofë humanitare në fund të shekullit njëzet, mund të jetë metaforë edhe e të gjitha vuajtjeve të shqiptarëve nga viti 1913 e këndej.
Në Bllacë u vuloset vuajtja e vaji dhe aty personifikohen shpërnguljet e shqiptarëve që kanë ndodhur gjatë gjithë shekullit. Aty është “Muri i vajtimit” të shqiptarëve për “Eksodin” që e përjetuan.
Gëzuar për shumë vjet 28 Nëntori – Dita e Flamurit!