Një ndër monumentet më të mëdha të etnogjenezës iliro-shqiptare

Gjekë Gjonaj

Studiuesi dhe historiani i njohur trieshian, Preloc Margilaj botoi në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, në vitin 2000, një studim disavjeçar, një libër mjaft voluminoz me 460 faqe, me titull “Ilirët flasin shqip, shqiptarët flasin ilirisht”, një vepër e çmuar dhe e rrallë për këtë fushë të historisë. Botimi i librit në fjalë është rezultat i punës serioze intensive me përkushtim të veçantë të këtij studiuesi serioz. Tematika e këtij studimi, siç thekson autori në hyrje të librit, është shumë pak e njohur jo vetëm për masën e gjerë dhe atë laike, por edhe për pjesën më të madhe të opinionit intelektual, të disa shteteve të gadishullit tonë. I mbështetur në literaturë shkencore, me të dhëna të vërtetuara historike, fakte arkeologjike , me analiza onomastiko-toponomastike, Margilaj përpiqet të trajtojë dhe të ndriçojë të vërtetën e të kaluarës historike të pashlyeshme të popullit ilir, etimologjinë e emrave të fiseve ilire, dhe të tregojë vijën e pandërprerë të vazhdimësisë të gjuhës iliro-shqipe.
Vepra studimore “ Ilirët flasin shqip, shqiptarët flasin ilirisht” është e ndarë në nëntë kapituj, apo siç quheshin pas zakonit të shkrimtarëve antikë, në nëntë libra. Në këtë kuptim libri i Margilajt është kundër tezave nihiliste, që kanë marrë gati statusin e paragjykimeve të përjetshme kundër ilirëve.
Kapitulli i parë ka të bëjë me onomastikën, toponimet, oronimet, hidronimet dhe kuptimin e terminologjive të botës ilire në Ilirinë e Jugut, Dalmaci, të Ilirikumit bizantin etj.
Kapitulli i dytë lidhet me andronimet ilire, emrat personal , metamorfozën dhe disa kuriozitete etimologjike të emrave karakteristikë të ilirëve.
Kapitulli i tretë bazohet mbi rrënjët indoevropiane të gjuhës ilire, ( shqipe) dhe ka të bëjë me raportet krahasimtare me gjuhët e tjera, që japin shkencëtarët , filologët dhe linguistët më të njohur botërorë dhe shqiptarë.

“I mbështetur në literaturë shkencore, me të dhëna të vërtetuara historike, fakte arkeologjike , me analiza onomastiko-toponomastike, Margilaj përpiqet të trajtojë dhe të ndriçojë të vërtetën e të kaluarës historike të pashlyeshme të popullit ilir, etimologjinë e emrave të fiseve ilire, dhe të tregojë vijën e pandërprerë të vazhdimësisë të gjuhës iliro-shqipe”.


Kapitulli i katërt merret me emrat e miteve dhe kulteve ilire, teonimet, me mitin pelazgjik mbi krijimin e botës dhe me shpjegimin e disa emrave dhe figurave mitologjike.
Kapitulli i pestë , merret me toponimet ilire jashtë metropolit ilir, në Greqi, Itali, Bullgari, , Hungari dhe toponime të tjera, në Britani , Azi dhe Afrikë. Kapitulli i gjashtë i kushtohet lidhjeve iliro – trake, të cilat përbëjnë thelbin edhe të sekretit edhe të ngjizjes së shqiptarëve si një popull i gjallë dhe i veçantë i familjes indoevropiane.
Kapitulli i shtatë merret me etimologjinë e emrave të fiseve të mëdha ilire, gjenezën etimologjike të Besës dhe disa institucioneve etnografikë.
Në kapitullin e tetë autori studion gjurmët e ilirëve në Itali, raportet e ndërsjella të etruskëve ( degë e trungut të madh të racës pellazge) me ilirët, fundin e shoqërisë etruske dhe rritjen e qytetërimit të tyre, gjuhën etrure, dhe gjurmët iliro-etruske në Alpe.
Kapitulli i nëntë studion qytetërimet e tjera të lashta dhe lashtësinë e pamohueshme të gjuhës shqipe.
Në fund të librit është dhe një epilog, ku autori , ndër të tjera konstaton: “ Ndaj popullit shqiptar dhe historisë së tij në të kaluarën dhe në të tashmen, shkenca evropiane ka bërë boshllëqe të mëdha, në theksimin e vënies në dukje të kontributit inicial e themelor në krijimin e civilizimit të kontinentit evropian. Për studimet fundamentale dhe për ta vendosur shkencën historike në këmbë të shëndosha në Ballkan e në Evropë – gjuha shqipe si sistem duhet të radhitet si gjuhë paraklasike ose klasike, gjë që e dëshmojnë veprat e botuara në shumë disiplina historike”.
Vlen të theksohet se libri “ Ilir ët flasin shqip, shqiptarët flasin ilirisht”, të historianit Preloc Margilaj u mirëprit në qarqet intelektuale dhe akademike në të gjitha trevat shqiptare, përfshirë edhe diasporën tonë. Nga kumtesat respektive që u mbajtën në përurimin e librit të Margilajt në Tiranë dhe në Tuz, ku referuan historianë, studiues të albanologjisë dhe akademikë të shquar shqiptarë u konsiderua si një vepër enciklopedike me mjaft vlera, si një ndër monumentet më të mëdha të etnogjenezës së shqiptarëve .

Të fundit

më të lexuarat