Ulqin – Në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin, të mërkurën e kaluar (18 dhjetor 2024) është bërë përurimi i librit “Ulcinjska tradicionalna kuhinja” (përkthim i botimit të mëparshëm “Kuzhina tradicionale e Ulqinit) i autoreve Hadixha Gjoni dhe Jasmina Hasa.
Autorja e librit, Hadixha Gjoni, ka treguar për motivin që i ka shtyrë për përgatitjen e një libri të tillë.
Ajo ka thënë se të ruash diçka që përbën trashëgimi gastronomike, të ruash trashëgiminë jomateriale – folklorin, artizanatet, ka rëndësi të njëjtë sikur të luftoni për mbrojtjen e të gjitha të drejtave të njeriut, historisë së vet, traditës së vet etj..
“Kjo është trashëgimi jomateriale që jemi të obliguar ta ruajmë dhe t’ua lëmë të tjerëve, ashtu si neve na e kanë lënë trashëgim gjeneratat e mëparshme. Pra, kjo është një përpjekje e jona që ato (recetat) të ruhen“, ka theksuar Gjoni.
Një segment tjetër i rëndësishëm për të është frymëzimi i pronarëve të restoranteve dhe të tjerëve që janë pjesë e ofertës turistike të Ulqinit që në restorantet e tyre të përfshijnë më shumë ofertën e gastronomisë tradicionale të Ulqinit ose atë çfarë Ulqini e ka trashëgim.
Autorja tjetër e librit, mësuesja Jasmina Hasa, ka rrëfyer se si ka lindur ideja për botimin e këtij libri.
Ajo ka treguar se me Hadixhe Gjonin shoqërohen shumë dhe duke qenë femra, flasin zakonisht për familjen dhe për gatimet.
“Kemi ardhur në idenë që ato receta disi t’i grumbullojmë dhe t’i ‘shfrytëzojmë’ femrat të cilat gatuajnë dhe mund të na i japin ato receta. Në mesin e këtyre femrave kanë qenë tezet e mia dhe shumë femra të tjera që unë i kam njohur. Kështu kemi filluar të kërkojmë receta prej tyre dhe ka filluar puna për këtë libër“, ka thënë Hasa.
Ajo ka theksuar se përpos ruajtjes së recetave të gjellëve tona tradicionale, botimi i këtij libri është në njëfarë mënyre një falënderim i madh për ato që na kanë rritur me këto gjellë, të cilat edhe pse nuk kanë pasur ushqim me bollëk, kanë përgatitur gjellë të shijshme për sofrën dhe familjen e vet.
Konsiderata për librin kanë shprehur recensentët Mustafa Canka dhe Muzafer Çaushi.
Gazetari dhe publicisti Mustafa Canka ka thënë se ruajtja e traditës është mënyra më e mirë për të ruajtur Ulqinin tonë, vazhdimësinë dhe lavdinë e tij.
“Kështu ne dëshmojmë përkatësinë tonë ndaj këtij qyteti të mrekullueshëm, i cili na ka dhënë të gjithëve shumë më tepër sesa i kemi dhënë ne atij”, ka theksuar ai, duke nënvizuar se ky libër është një monument i kulturës sonë të gjallë.
Duke folur për punën e autoreve të librit, Canka ka thënë se më e vështirë është të shkruash një libër të tillë sesa t’i përgatitësh të gjitha këto gjellë të përshkruara në të.
“Por më e vështirë është të ruhet ky thesar dhe përgjegjësia është mbi të gjithë ne”, ka konkluduar ai.
Shkrimtari Muzafer Çaushi ka thënë se recetat e përmbledhura në këtë libër përbëjnë një pasuri të vërtetë të këtij mjedisi, komuniteti shoqëror dhe se ato janë identiteti ynë dhe trashëgimia jonë kulturore.
“Ndërsa sa i përket përmbajtjes së saj, recetave që përmban, unë nuk kam parë ndonjë libër (tjetër) me kaq shumë receta të gjellëve dhe ëmbëlsirave“, ka thënë ai.
Duke iu referuar së kaluarës, Çaushi ka thënë se gjyshja e tij ka jetuar me dhe për ushqimin.
Ai ka theksuar se përkundër faktit se ekziston një lloj mendimi se ne si komunitet i japim tepër rëndësi ushqimit dhe flasim tepër për të, për këtë çështje ne nuk bëjmë përjashtim nga të tjerët, sepse kudo në botë i kushtohet rëndësi ushqimit. Këtë e ka vërtetuar më së miri në vitin 2022, kur me një grup qytetarësh nga Ulqini ka marrë pjesë si mysafir në panairin më të madh të të ashtuquajturit “ushqim i ngadaltë“ (slow food) në Torino të Italisë.
Përkthyesja Edona Bakalli, profesoreshë e gjuhës malazeze, ka rrëfyer përvojën e saj në përkthimin e librit.
“Mund t’ju duket e thjeshtë kur i thoni dikujt se i keni përkthyer recetat, por nuk ka qenë aq e thjeshtë duke pasur parasysh se bëhet fjalë për receta tradicionale. Jam përpjekur vërtet që ta ruaj autenticitetin e të folmes popullore dhe të gjej ekuivalentët gjuhësorë në të dyja gjuhët“, ka thënë ajo.
Por krahas vështirësive, Bakalli ka thënë se ka ndier kënaqësi të zbulojë bukurinë e gjuhës shqipe dhe malazeze.
Ajo ka thënë se mendon që e ka kryer punën me shumë sukses.
“Këtë do ta gjykoni vetë kur ta lexoni librin“, është shprehur përkthyesja.
Për udhëheqësen e përurimit, Ardita Rama, njëherazi udhëheqëse e Bibliotekës së Qytetit, puna e autoreve Hadixha Gjoni dhe Jasmina Hasa është testament i dashurisë ndaj traditës sonë, artit të kulinarisë dhe dhuratë gjeneratave të ardhshme, duke ruajtur dhe ndarë me botën këtë trashëgimi të çmuar.
“Libri ‘Kuzhina tradicionale ulqinake’ sjell një pasqyrë të artit të kuzhinës dhe traditës ulqinake, duke ruajtur dhe përhapur ato vlera që janë pjesë e identitetit tonë kolektiv”, ka thënë ajo.
Sipas saj, autoret kanë punuar me pasion dhe përkushtim për të mbledhur, përzgjedhur dhe dokumentuar recetat që pasqyrojnë larminë dhe shijet e kësaj zone.
“Ato na sjellin një mozaik të pasur me tradita që përthithin ndikime të ndryshme, por gjithmonë mbeten të rrënjosura në kulturën dhe identitetin tonë lokal”, ka theksuar Rama.
Libri “Tradicionalna ulcinjska kuhinja”, përkthim i botimit në gjuhën shqipe “Kuzhina tradicionale e Ulqinit” (botuar në vitin 2021), është botuar nga Instituti për Politikë Gjinore “Dulcinea”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Komunës së Ulqinit, UDSH-së etj., ndërsa përurimi i tij është organizuar nga Instituti “Dulcinea” në bashkëpunim me Bibliotekën e Ulqinit.
Në fund të përurimit, autoret kanë ndarë libra falas për të gjithë të pranishmit.
i. k.