Një mbrëmje reflektimi mbi trashëgiminë

Dokumentari u prezantua si një thirrje e fuqishme për kujtesë, bashkëjetesë dhe ruajtje të trashëgimisë sonë kulturore

Në ambientet e kompleksit “Lamiga” në Krythë të Anës së Malit (Ulqin), të martën e kaluar (më 6 maj 2025) u zhvillua një mbrëmje kulturore e jashtëzakonshme, e cila mblodhi së bashku qytetarë, përfaqësues institucionesh, të organizatave joqeveritare dhe figura të komunitetit lokal për promovimin e dokumentarit më të ri të organizatës SOS Telefoni për Femra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës – Ulqin.
Në hapje të mbrëmjes, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Trojet Tona” e ngrohu atmosferën me një valle tradicionale të Anës së Malit, duke e lidhur artistikisht të kaluarën me të tashmen.
Dokumentari me titullin domethënës “Burimet e së kaluarës – fuqia e multikulturalizmit” u prezantua si një thirrje e fuqishme për kujtesë, bashkëjetesë dhe ruajtje të trashëgimisë sonë kulturore.
Në këtë dokumentar u vu theksi te burimet natyrore dhe kulturore të fshatrave Rashtishë, Kravar, Brajshë dhe Mali i Sumës, zona që janë të njohura për historinë e pasur dhe trashëgiminë e tyre të veçantë. Për të sjellë një pasqyrë sa më autentike dhe të thelluar, në dokumentar rrëfejnë vetë banorët vendas, të cilët janë dëshmitarë të historisë dhe zhvillimeve të këtyre trevave. Ndër ta, Dr. Nexhat Avdiu, Muhamet Nika, Adem Suma, Agim Suma, Rexhep Lleshi, Havo Demiri dhe Isa Demiri ndanë me publikun kujtime, rrëfime dhe fakte historike të trashëguara brez pas brezi. Përmes fjalëve të tyre, dokumentari sjell në dritë një panoramë të gjallë të jetës në këto fshatra, duke përfshirë zakonet, sfidat dhe lidhjen e ngushtë që banorët kanë me tokën dhe historinë e tyre.
Drejtoresha e organizatës SOS Telefoni, Hatixhe Nelaj, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e këtij projekti jo vetëm si vepër filmike, por si një udhëtim përmes krojeve dhe burimeve të vjetra të Ulqinit, me theks të veçantë në zonën e Anës së Malit.
“Ky dokumentar është shumë më tepër se një material filmik. Ai është një thirrje nga e kaluara, një kujtesë e gjallë e lidhjes sonë me natyrën dhe me paraardhësit tanë. Në secilin krua, në secilën pikë burimi, gjenden histori të pashkruara – për jetën, për fshatrat, për shpirtin që dikur rridhte me ujin. Sot, këto burime janë të rrezikuara. Koha kalon, urbanizimi përparon dhe harresa shpesh bëhet më e shpejtë se kujtesa. Por ky dokumentar është pikërisht një përpjekje për të ndalur kohën për një çast – për të thënë: ‘Ja ku jemi dhe ja nga vijmë’”, u shpreh ajo.
Nelaj ka treguar se ky është dokumentari i dhjetë që realizon SOS Telefoni – Ulqin dhe se secili projekt ka qenë një gur i çmuar në ndërtimin e urës midis së kaluarës dhe së ardhmes sonë kulturore.
“Në një kohë kur dhuna, përjashtimi dhe harresa shpesh përbëjnë lajmet e ditës, është jetike të promovojmë iniciativa që forcojnë lidhjen ndërmjet njerëzve dhe që sjellin në pah vlerat e respektit, barazisë dhe diversitetit”, ka thënë ajo.
Realizimi i dokumentarit është mbështetur financiarisht nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi, dhe është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet sektorit civil dhe institucioneve shtetërore.
Nelaj shprehu mirënjohje të thellë për këtë mbështetje, duke theksuar se shpreson që “Ministria do të qëndrojë pranë nesh edhe për dokumentarin e njëmbëdhjetë, në rrugën tonë drejt mbrojtjes dhe promovimit të vlerave tona kulturore”.
Në emër të Ministrisë foli përfaqësuesi i saj, drejtori i përgjithshëm në Drejtorinë për Mbrojtjen dhe Avancimin e të Drejtave të Pakicave, Arben Xhurreta, i cili e cilësoi projektin si një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“Mjetet e investuara nga Ministria jonë janë plotësisht të arsyetuara përmes punës së madhe që është bërë në terren, veçanërisht në Anë të Malit, dhe rezultatet janë të dukshme. Ky projekt është një kontribut i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe në forcimin e bashkëjetesës multikulturore – vlera që ne i mbështesim me përkushtim”, u shpreh Xhurreta.
Ndërsa në fjalën e tij përshëndetëse, nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sella theksoi rëndësinë që ka për komunitetin ruajtja e trashëgimisë së përbashkët.
“Burimet tradicionale të Anës së Malit nuk janë vetëm pjesë e natyrës, por pjesë e shpirtit të vendit tonë – vendtakime të historisë, kujtimeve dhe identitetit të përbashkët. Ky dokumentar na kujton rëndësinë jetike të multikulturalizmit, si vlerë bazë e Ulqinit dhe bashkëjetesës së harmonishme mes komuniteteve tona. Në emër të Komunës së Ulqinit propozoj që ky rrugëtim të mos ndalet këtu dhe të vazhdohet me realizimin e dokumentarit të dytë për burimet tjera në Anë të Malit. Këto vlera duhet të dokumentohen, të ruhen dhe të promovohen për brezat që vijnë”, u shpreh ai.
Njëri ndër protagonistët e dokumentarit, Dr. Nexhat Avdiu, profesor i gjeografisë dhe historisë, u shpreh se ky dokumentar nuk është thjesht një arkivim vizual i së kaluarës – është një formë e edukimit qytetar dhe historik.
“Këto kroje janë dëshmi të gjalla të një kulture të përbashkët që është ndërtuar mbi respektin, ndarjen dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve. Në një kohë të globalizimit të shpejtë dhe rrezikut të zbehjes së identiteteve lokale, kjo iniciativë është edhe një mjet për të rikthyer krenarinë kulturore dhe ndërgjegjësimin historik”, u shpreh ai.
E veçanta e këtij dokumentari qëndron në atë se në secilin krua, në secilën pikë burimi gjenden histori të pashkruara – për jetën, për fshatrat, për shpirtin që dikur rridhte me ujin.
Falënderime të veçanta u shprehën për të gjithë ata që bënë të mundur realizimin dhe prezantimin e këtij projekti: ekipin e dokumentarit, gazetarët Dafina Teliqi dhe Bekim Çoba, skenaristin Shefqet Luca si dhe Shaban Bajraktarin, i cili solli me mjeshtëri vizuale çdo pamje të këtij dokumentari, ndërsa për përkthimin dhe titrimin në gjuhën malazeze u kujdes Ajdina Metani – Luka. Një falënderim u shpreh edhe për restorantin “Lamiga” dhe pronarin Gazmend Demiri për mikpritjen, Samir Veliqin për pajisjet e zërimit dhe Din Zenelin për performancën artistike.
Ky dokumentar jo vetëm që hedh dritë mbi një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Ulqinit, por fton qytetarët që ta shohin të kaluarën si themel për një të ardhme të përbashkët dhe më të drejtë. Një ftesë për të mos harruar dhe për të ndërtuar bashkë.
“Ja ku jemi dhe, ja nga vijmë”.
Kjo thirrje rezonon si një apel për vetëdije, ruajtje dhe bashkëpunim për ruajtjen e identitetit kolektiv në një botë që ndryshon me shpejtësi.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat