
Në Ulqin dikur thuhej: “Po shkoj me marrë nji há peshk”. Thuhej kështu sepse deti i Ulqinit ishte aq i pasur sa që nuk kishe nevojë ta zësh peshkun por merrje aq sa kishe nevojë. Një, dy apo më shumë “há”.
Deti Adriatik – kjo “arë” pjellore bojë qielli, as nuk duhet mbjellë, as korrë, as ujitë, as plehërosë e megjithatë përmes duarve të arta të peshkatarëve na dhuron frutat e saj të detit. Peshkatarët me mund e djersë i vjelin këto frute dhe na i sjellin në tryezat tona përmes llojeve më të ndryshme të peshkut, e ata janë të shijshëm, të mëdhenj, të vogël, kualitativ, të pasur me vitamine etj.
Iktiologjia është degë e zoologjisë e cila merret me studimin e peshqve. Edhe pse në botë ekzistojnë rreth 25000 lloje të peshkut, vetëm në ujërat e Adriatikut zyrtarisht janë të evidentuar 434 lloje prej të cilëve 20 janë helmues.
Nëse bëjmë një përllogaritje të bregdetit shqiptar prej grykëderdhjes së Bunës e deri në kepin e Stilit, mësojmë se shqiptarët jetojnë në një vijë bregdetare të gjatë 400 km. Megjithatë po që se kërkojmë gjurmë të shkruara lidhur me peshkatarinë si veprimtari të cilën pa dyshim se e kanë praktikuar shqiptarët e bregut të detit e me ta edhe ulqinakët si detarë të zellshëm, atëherë mbesim në heshtje. Autorit të këtyre rreshtave për momentin i kujtohet vetëm kalorësi gjerman Arnold von Harfi i cili në vjeshtën e viti 1496 regjistron 26 fjalë shqipe prej të cilave njëra nga ato është edhe peshku apo në origjinal siç e shkruan ai “pyske”. Derisa fqinjët tanë dalmatë, në Zarë në gjuhën e tyre amtare, në vitin e largët 995 e lëshojnë dokumentin lidhur me lejimin për peshkim, ne shqiptarët nuk mund të dokumentojmë asgjë nga kjo lëmi.
Ne shqiptarët përmes Gjon Buzukut në vitin 1555 fitojmë librin e parë në gjuhën shqipe kurse miqtë tanë dalmatë të relaksuar nëpërmjet Petar Hektoroviqit në vitin 1556 mësojnë shumëçka lidhur me peshkimin, llojet e peshqve, erërat që fryjnë dhe informacione tjera lidhur me peshkatarinë dhe detin në përgjithësi përmes librit “Ribarstvo i ribarsko prigovaranje”. Me këtë krahasim vetëm dua të përafroj lexuesit se sa pak kemi punuar ne si komb në dëshminë e pranisë tonë në këto troje, pak ose aspak kemi punuar në mbledhjen e fjalëve autoktone shqipe të çdo fushe dhe lëmi jete e veçanërisht të veprimtarive lidhur me detin. Po theksoj detin sepse që nga parahistoria e veçanërisht në antikitet kur ilirët ishin në kulmin e zhvillimit njihej veprimtaria detare e ilirëve dhe anija ilire të cilën si model e marrin dhe e perfeksionojnë romakët. Kurse sot ne nuk kemi të shkruar asgjë andaj prapë mbesim në heshtje.
Në fjalën e saj redaktorja e këtij libri, prof.dr. Shefkije Islamaj thotë: “Peshkimi, si një nga zejet më të vjetra të njerëzimit edhe për Ulqinin me rrethinën e tij ka paraqitur faktor të rëndësishëm të zhvillimit për jetesën e popullatës së tij, sikur edhe për gjithë bregdetin shqiptar… Ulqinakët kanë pasur privilegjin natyror për të jetuar buzë detit e për të peshkuar në det, liqe e lumë, ujëra këto shumë të pasura me peshq e me gjallesa të tjera ujore për çka është dashur të krijohet edhe një nomenklaturë gjuhësore e infrastrukturë veglash e mjetesh peshkimi, sado modeste fillimisht, për zënien, trajtimin, gatimin e ruajtjen e tyre, për t’u zhvilluar e pasuruar me kohë e deri në ditën e sotme.”
Pra, kur kemi të bëjmë me Ulqinin dhe ulqinakët, mund të themi se terminologjia detare ulqinake është një konglomerat fjalësh e cila në vete përmban fjalë ilire, greke, romake, arbërore, veneciane, osmane, perse, arabe, dalmate, italiane, spanjishte dhe në fund sllave. Kjo është e tillë sepse detarët ulqinakë kanë shkelë brigjet jo vetëm të Adriatikut, Jonit e Egjeut por edhe të të gjithë basenit të Mesdheut përfshirë të gjitha portet kryesore detare dhe kësisoj ulqinakët kanë huazuar fjalë nga vendet tjera, por edhe të tjerët nga ulqinakët fjalë të ndryshme lidhur me ekonominë detare. Pra, me fjalë tjera kanë pasuruar leksikun e njëri-tjetrit me fjalë të ndryshme
Hajro Ulqinaku, ashtu siç e zbulon origjinën e tij edhe mbiemri, në vitin 2003 botoi “Glosar – fjalorth i terminologjisë detare të folmes së Ulqinit” dhe me këtë libër, sadopak, u thye boshllëku leksikor i shqiptarëve lidhur me fjalët që i përkasin detit. Ky glosar u ribotua i plotësuar në vitin 2011 kurse sot, nga po i njëjti autor, në duar kemi një libër të ri me titull “Peshqit e detit tonë – glosar i iktiologjisë”. Ky libër plotëson glosarin e parë dhe përmes tij ne sot kemi mundësi të mësojmë shumë emra dhe fjalë autoktone shqipe të peshqve, mjeteve për zënien e tyre dhe anijeve të peshkimit.
Libri “Peshqit e detit tonë” ka 130 faqe dhe përbëhet prej dy pjesëve. Pjesa e parë përmes katër njësive trajton: peshqit (104 fjalë), gjonjën (46 fjalë), barkat e peshkimit (79 fjalë) dhe erërat e detit (36 fjalë). Autori Ulqinaku, në pjesën e dytë të librit gjithashtu na përafron me tre lista të cilat përmbajnë këto informacione: peshq që kanë emra shqip, emra – fjalë autoktone shqipe, emra të huazuar në shqip.
Në fondin e termave të së folmes së Ulqinit që janë përfshirë në këtë fjalor, shquhet shtresa e krahinorizmave të terminologjizuara me vlerë leksemore ose kuptimore. Shumica e tyre konsiderohet nga autori se janë me burim të shqipes. [Sh.Islamaj]
Plotësisht pajtohem me recensionin e Jaho Kollait ku për këtë vepër ai thotë: “Qëllimi parësor i Ulqinakut mbase nuk është të na nxjerrë në tepsi sa të vendit janë këta emra peshqish, madhore është fakti se ata (emërtimet) janë këtu, të përfshirë në një libër të vetëm dhe kjo është për tu përshëndetur”.
Libri në ballinë ka Bukurinën, peshk ky tipik me emër të pastër shqiptar. Është interesante se në Ulqin ende sot tregohet legjenda se si i ka mbet emri këtij lloji peshku. Nga fondi i të folmes së Ulqinit nga ky glosar po sjell edhe disa emra peshqish që burimin e kanë nga gjuha shqipe: arava, rançi, gjanca, korba, gurcaku, baltaku, cumrra, gushtaku, veshari etj.
Ky fjalor në vete përfshin shumë fjalë e shprehje të panjohura e të rralla e që paraqesin një pasuri të padiskutueshme leksikologjike. Punë e madhe mbetet në zbërthimin e fjalëve dhe emrave apo prejardhja etimologjike e tyre, por që ky libër padyshim se do jetë një bazë e mirë për hulumtime gjuhësore të kësaj fushe.
Më kujtohen fjalët e autorit të librit në një intervistë dhënë RTK-së para disa vitesh, ku në bashkëbisedim me gazetarin Gjergj Anton Filipaj mes tjerash deklaroi: “Të garantoj se peshqit kanë emra shqip, por nuk mundem të të garantoj se edhe flasin shqip”. Sot, me daljen në dritë të këtij libri u vërtetuam se peshqit e Ulqinit megjithatë flasin shqip dhe siç thotë autori Hajro Ulqinaku: “Ulqinakët, detarët e peshkatarët u rezistuan stuhive të detit dhe të kohëve, e ruajtën leksikun autokton shqiptar, ulqinakçe. Peshqit kanë emra shqip”.