Një enciklopedi për Postën Shqiptare dhe rrugëtimin e saj ndër vite

Autori u shpreh se posta shqiptare, pavarësisht sfidave të kohës dhe mjeteve transportuese më pak të zhvilluara apo edhe peripecive gjatë luftërave të ndryshme, nuk reshti së punuari për të bartur lajmin në Shqipëri dhe në trojet jashtë saj

Gjatë diskutimit të librit, ne ndalemi mbi një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë institucionale: shërbimet postare shqiptare dhe rrugëtimin e tyre nëpër vite. Kjo është një histori që nuk kufizohet vetëm me dërgimin dhe marrjen e mesazheve, por që reflekton zhvillimin e shoqërisë, marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe kontekstin politik e ekonomik të vendit tonë, gjegjësisht të trojeve shqiptare ndër vite dhe etapa të ndryshme historike, ndër sundues dhe perandori të ndryshme që kanë sunduar mbi këto zona. Duke patur parasysh këto etapa, autori Fadil Smajlaj u shpreh se posta shqiptare, pavarësisht sfidave të kohës dhe mjeteve transportuese më pak të zhvilluara apo edhe peripecive gjatë luftërave të ndryshme, nuk reshti së punuari për të bartur lajmin në Shqipëri dhe në trojet jashtë saj.
Nëpërmjet dokumenteve të gjetura dhe dëshmive historike, patëm mundësinë të ndjekim nga afër evolucionin e postës, jo vetëm si institucion, por si një element kyç në forcimin e lidhjeve midis shqiptarëve, si brenda vendit ashtu edhe në rajon. Gjatë këtij rrugëtimi u përmendën edhe zona të veçanta dhe figura të spikatura të këtij shërbimi, përfshirë edhe ata nga Ulqini, duke hedhur dritë mbi disa personalitete që kanë lënë gjurmë në këtë fushë. Në libër janë të përfshira lista të plota të punonjësve të postës shqiptare, duke përfshirë këtu edhe punonjës nga Ulqini të cilët i shërbyen këtij misioni gjatë gjithë këtyre viteve.
Një prej këtyre figurave në shërbim të këtij misioni ishte pa dyshim z. Fadil Smajlaj. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë, ai u emërua ekonomist pranë Drejtorisë së PTT-së në Pukë. Kontributi i tij në organizimin e shërbimeve postare ka qenë thelbësor jo vetëm për rrethin e Pukës, por edhe për qytete të tjera si Kukës, Tropojë, Mirditë, Peshkopi dhe Burrel. Për vite me radhë, ai ka qenë një pikë referimi për zhvillimin dhe konsolidimin e këtij shërbimi jetik. Në vitin 1999, në një moment kyç për kombin shqiptar, z. Smajlaj i kushtoi përvojën dhe profesionalizmin e tij ngritjes dhe zhvillimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ai dha një ndihmesë të çmuar në riorganizimin e shërbimit postar në Kosovë, në një periudhë të vështirë por jetike për të ardhmen e saj.
Krahas autorit, për librin foli edhe Ervis Krymbi, pedagog në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke e vlerësuar atë si një enciklopedi për Postën Shqiptare dhe rrugëtimin e saj ndër vite.
Ai tha se ky botim iu shërben brezave të tashëm dhe të ardhshëm duke qenë busull e rëndësishme për trashëgiminë dhe vlerat e shumta historike që ka pasur dhe që do të ketë posta në vazhdim.
Në fund, diskutimi u hap edhe për publikun, ku u potencua edhe më tej rëndësia e fjalës së bartur dhe korrespondencave gjatë viteve të letrave dhe fjalës ndër këto troje, dhe në një mënyrë të spikatur u ngrit figura e lajmëtarit duke theksuar se ai ka qenë ura lidhëse kryesore që komunikimi mes trojeve shqiptare mos të ndalet edhe në periudha luftërash apo të ngurtësimeve ndërkufitare deri në ditët e sotme.
Rëndësia e këtij libri, duke patur parasysh që përmbledhja e dokumenteve historike bëhet përgjatë pesë viteve dhe përfshin periudhën që nga viti 1800, kur kemi patur të dhëna reale mbi postën, e bën këtë libër pasuri të madhe për kombin tonë dhe viset shqiptare ndër shekuj.

A. Osmani

Të fundit

më të lexuarat